Greqia rrezikohet nga kriza energjetike për shkak të borxheve

Një raport i agjencisë Reuters thotë se, Autoriteti Rregullator i Energjisë në Greqi, ka thirrur një takim urgjent me të gjithë aktorët e këtij sektori, për shkak se vendi rrezikohet të mbetet pa energji.
Në shkrimin me titull "Borxhet e Greqisë, rrezikojnë krizë energjetike", thuhet se në një takim të zhvilluar në Ministrinë e Financave është vendosur injektimi i likuiditetit në tregun e energjisë, duke siguruar kredi nga rezervat.
Kredia mbi 200 milionë euro, sipas të njëjtit burim, do të jepet për funksionimin e Tregut të Energjisë Elektrike, në mënyrë që të paguhen borxhet ndaj shtetit, të shlyhen detyrimet ndaj Korporatës së gazit natyror, DEPA dhe të paguhen borxhet për blerjen e gazit në tregun e huaj.
Administratorët e DEPA njoftojnë se borxhet për blerjen e gazit natyror arrijnë në 300 milionë euro dhe se nëse nuk gjehet një zgjidhje, kompania do të detyrohet të bëjë ndalimin e furnizimit dhe do të kërkojë konfiskimin e letrave të garancisë për klientët e saj.
Ndërkaq një tjetër rrjet informativ, BBC shkruan se kriza ekonomike po godet pa mëshirë industrinë e turizmit në Greqi, duke iu referuar dhjetëra hoteleve në Athinë dhe në gjithë vendin, të cilat janë të detyruar të vënë drynin, apo në rastin më të mirë të "pezullojnë" funksionet e tyre. Sipas BBC, janë mbyllur 18 hotele në Athinë dhe 60 të tjerë në vend, për shkak të krizës ekonomike dhe numrit, gjithmonë e në rënie, të turistëve.
Një gazetë vendase shkruan se privimet ekonomike kanë prekur edhe ushtrinë. Ushtarët që mbarojnë shërbimin mbeten në kampe, sepse ata nuk kanë të holla të kthehen në shtëpi e të vazhdojnë jetën e tyre. Babai i njërit prej ushtarëve, ka treguar për gazetën se komandanti i repartit ushtarak i është përgjigjur duke thënë se “mandati i Shtabit të Përgjithshëm është i qartë; asnjë ndihmë për udhëtimin e ushtarëve".
Sipas gazetës janë qindra ushtarë, të cilët nuk largohen nga repartet në ditët e lejave, pasi nuk kanë as edhe një euro dhe preferojnë supën e kuzhinave të ushtrisë. Shkrimi përfundon me fjalët se “janë ata djem që do të luftojnë për vendin nëse nevojitet, ndërsa sot ndihen të poshtëruar në mënyrën më të keqe”.
Ballkanweb.com
Add new comment