Greqi, Pirro Dhima: Kandidova, si detyrim ndaj Atdheut tim

Postuar në 26 Prill, 2012 05:29

 Fituesi i 4 medaljeve olimpike, Pirro Dhima përmes faqes së tij personale në Facebook, shpjegon arsyet që e bënë të pranojë propozimin e kryetarit të PASOK-ut për të kandiduar në zgjedhje. 

Ai iu përgjigj në këtë mënyrë edhe disa komenteve ironike, në rrjetet sociale menjëherë pas lajmit se ai kryeson listën e kandidatëve të PASOK. “Pirro hyri në politikë që të mbajë peshën e borxheve”, “Pirro shpreson të ngreje PASOK-un nga llumi ku është futur”, "Pesha e borxheve është e madhe edhe për Pirron", shkruajnë komentuesit në blogje të ndryshme. 

Në letrën e tij të hapur, Pirro Dhima shpjegon se kandidimi i tij është një detyrim për Atdheun, i cili po kalon momente të vështira. “Vetëm nëse dalim në ballë dhe punojmë bashkarisht, ne mund ta shpëtojmë vendin”, shkruan Dhima. "Ishte ndoshta vendimi më i vështirë që kam marrë në jetën time. Propozimi është i nderuar dhe përgjegjësia e madhe, por nuk m'u duk e arsyeshme ta refuzoja në këtë situatë. Kjo ka të bëjë me logjikën time, me ndjenjën time ndaj detyrës dhe ndaj atdheut”, shkruan ai dhe vazhdon: 

“Nëse politika është mjeti me të cilin ndryshojmë gjërat, atëherë duhet të marrim pjesë. Ndihem i detyruar për të përfaqësuar Greqinë, gjë që mund të realizohet edhe kur kushtet janë të ashpra dhe shanset kundër saj. Përpjekja kombëtare duhet të fillojë tani dhe duhet të dalë mbi partitë dhe ambiciet personale. Emri e Greqisë është i madh dhe duhet të mbetet lart. Kjo është e rëndësishme”, shkruan Pirro Dhima. 

Ai thekson se nuk bëhet fjalë për një ëndërr personale. “Ëndrrat personale i kam plotësuar. Unë shkoj në Parlament për të mobilizuar forcat sociale, për të përcjellë aty zërin e të rinjve dhe komunitetit, për t'i bindur të njerëzit se Greqia, e cila tani po "shtrëngon dhëmbët", në fund mund t’ia dalë”, përfundon letrën e tij kampioni olimpik. 

Pirro Dhima kryeson listën e kandidatëve të PASOK, ndërkohë që në listat e partive politike greke, figurojnë edhe disa minoritarë të tjerë grekë nga Shqipëria. 

 

Anila Jole 

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.