Greqi, parashikime shokuese për pagat dhe recesionin

Postuar në 20 Mars, 2012 08:14

Parashikime shokuese që lidhen me reduktime të reja në pagat e sektorit privat e publik, përmban Raporti i Bankës së Greqisë, të cilin Guvernatori i Bankës, Jorgos Provopoulos ia paraqiti Parlamentit grek. 

Zvogëlimi i pagave llogaritet mesatarisht në 10%, ndërkohë që sipas raportit, jo vetëm në vitin aktual, por edhe në vitin 2013 do të vazhdojnë këto shkurtime. 

Raporti i politikës monetare që iu dorëzua Kryetarit të Parlamentit nga guvernatori i Bankës së Greqisë, vlerëson se në vitin 2012 pagat në të gjithë ekonominë do të zvogëlohen deri 9,2%, dmth një reduktim real deri në 10,1%.

Banka Qendrore pret në vitin 2013, një reduktim të mëtejshëm të pagave deri në 3% në sektorin publik dhe pothuaj 9%, në sektorin privat. 

Për më tepër, Banka e Greqisë pret një recesion të thellë edhe këtë vit, rreth 4,5%. 

Në raport nënvizohet nevoja për masa shtesë, duke u fokusuar më shumë në shpenzimet dhe më pak tek të ardhurat. 

Implementimi i vazhdueshëm i programit të ri ekonomik është parametri më kritik që do të përcaktojë suksesin e tij, theksohet në raportin e Bankës së Greqisë për Politikën Monetare 2011-2012. Aty vihet në dukje, se riorganizimi i sistemit bankar është kushti për rritjen e likuiditetit. 

Gjatë vitit 2013 vlerësohet se ka mundësi të fillojë rritja ekonomike pavarësisht nga fakti se parashikon një recesion mesatar prej rreth gjysmë pikë përqindje dhe më tej parashikon se punësimi i përgjithshëm do të bjerë rreth 3% në vitin 2012 ndërsa niveli mesatar vjetor i papunësisë do të tejkalojë 19%. 

***

Ndërkaq në një intervistë për gazetën “To Vima”, guvernatori i Bankës së Greqisë, Janis Provopoulos vlerëson, se pas përfundimit të procesit të shkëmbimit të bondeve, ka me dhjetëra miliarda euro, që do të mund të rridhnin drejt ekonomisë greke muajt e ardhshëm. 

Provopoulos thekson se tashmë është momenti i përshtatshëm që të ndryshojë klima në vend, por thekson se ka rëndësi përmbushja e reformave në tregjet, në institucionet dhe në gjithë sektorin publik, si dhe përmirësimi i financave publike. 

Njëkohësisht ai vlerëson se duhet aksione në drejtim të zhvillimit, siç është programi i privatizimeve që siç thotë, ka mundësi që në vitet e ardhshme të sjellë në buxhetin e shtetit 40 deri 50 miliardë euro, kryesisht nga investitorë të huaj. “Me një klimë të përmirësuar do të ishte e mundur të kthehen në banka shuma nga 10 në 15 miliardë euro, nga depozitat që u tërhoqën, çka do të ndikonte në një përmirësim kolosal të situatës së likuiditetit”, thekson guvernatori i Bankës së Greqisë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.