Gjuha shqipe, në shkollat italiane

Postuar në 11 Mars, 2012 04:53

Gjuha shqipe do të jetë një ndër gjuhët që do të mësohet në shkollat italiane. Qeveria italiane këtë vendim e ka marrë në datën 9 mars, duke u bazuar në ratifikimin e Kartës Europiane të Gjuhëve të Rajoneve ose Minoriteteve, ku bën pjesë edhe gjuha jonë. 
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj ka përshëndetur vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Italisë, për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat italiane, duke bërë të ditur se ky vendim do t’i ndihmojë emigrantët shqiptarë të integrohen në shoqërinë italiane, por do të jetë edhe një ndihmesë e madhe për fëmijët e tyre, sidomos për ata të rinj që kanë lindur atje, pasi do të njohin më shumë kulturën dhe gjuhën amtare. 
Vendimi 
Këshilli i Ministrave të Italisë në 9 mars 2012-të, nën kryesimin e Presidentit të Këshillit, Mario Monti, në mbledhjen e radhës ndërhyri në një gamë të hapur lëndësh relative, me profilin e së drejtës kombëtare dhe komunitare. Masat e marra i përkasin edhe Kartës Europiane të Gjuhëve Rajonale ose Minoritare. Këshilli i Ministrave, mbi propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe të ministrit të Punëve Rajonale, ratifikoi Kartën europiane të gjuhëve krahinore ose minoritare. Ratifikimi konsiderohet si një përmbushje formale e përmbajtjes së Kartës, nga momenti që Italia ndërhyri në këtë drejtim me një ligj që në vitin 1999-të. 
Në grupin e këtyre 12 gjuhëve rajonale bëjnë pjesë: Gjuha shqipe, katalane, gjermane, greke, sllovene, franceze, frankoprovencale, fruilane, ladine, oçitane dhe sarde. Ajo parashikon ndër të tjera, mundësinë e mësimdhënies në shkolla, të përdorimit në zona juridike, përveç shpërndarjes së programeve kulturore dhe nëpërmjet mjeteve kryesore të komunikimit. Duke u bazuar në këtë vendim, në shkollat italiane së shpejti do të jetë e mundur të mësohet edhe gjuha shqipe mes 12 gjuhëve të tjera rajonale si greke, kroate dhe dialekteve të tjera. Përveç mësimit në kurse e shkolla, mbrojtja e gjuhëve lokale ofron mundësi për t’u përdorur në gjyqësi dhe programe kulturore dhe stacione prestigjioze mediatike. Komuniteti shqiptar në Itali është më i madhi në shoqërinë italiane. Numërohen rreth 435 mijë shqiptarë të regjistruar. 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj përshëndet vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Italisë, të datës 9 mars 2012, i cili përfshin gjuhën shqipe në grupin e gjuhëve të huaja të cilat do të mësohen në shkollat italiane, në kuadër të ratifikimit të Kartës Europiane të Gjuhëve të Rajoneve ose Minoriteteve. “Ky vendim është shumë i rëndësishëm për integrimin e fëmijëve dhe të rinjve të familjeve të komunitetit shqiptar në Itali. Mësimi i gjuhës shqipe në shkollat italiane do të këtë një ndikim pozitiv jo vetëm në zotërimin e gjuhës dhe kulturës amtare dhe gjithë programit mësimor në shkolla, çka do të rrisë shanset e të rinjve,- brezi i dytë i emigracionit shqiptar në Itali,- për karrierë dhe punësim”,- ka theksuar ministri Tafaj. 

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.