Evropianët sot në protestë solidariteti: Të gjithë jemi grekë!

Postuar në 18 Shkurt, 2012 12:08

Protesta me moton "Jemi të gjithë grekë" u zhvilluan në sheshet jashtë ambasadave dhe konsullatave greke, në 20 qytete në mbarë Evropën në shenjë solidariteti me popullin grek, i cili po provon masa më shtrënguese financiare në këmbim ndihmave nga BE dhe FMN. 

Qytetarë nga Parisi, Roma, Londra, Edinburgu madje edhe nga Berlini i janë përgjigjur thirrjes së lëvizjes mbarëevropiane “Ne jemi grekë” për të protestuar kundër masave antikrizë dhe problemeve akute të shoqërisë greke. 

Në thirrjen e levizjes vihet në dukje se Greqia «është përdorur si një laborator eksperimenti, para se këto masa jo demokratike dhe të padrejta të përgjithësohen edhe në vende të tjera». 

Në Paris grumbullimi filloi në sheshin Trocadero, i njohur si sheshi i "të Drejtave të Njeriut", për t’u zhvendosur më pas drejt ambasadës greke. 

Njerëz të të gjitha moshave, përfshirë prindër me fëmijë, mbushën sheshin duke brohoritur parulla solidariteti me Greqinë. Atmosfera ishte paqësore madje njerëzit vallëzuan nën tingujt e muzikës greke. Me altoparlantë protestuesit hidhnin parrulla të tilla si "Kujdes, nesër do të jetë këtu si në Athinë", "Sot Greqia, nesër ju", "Poshtë FMN", "Solidaritet për Greqinë dhe kundër bankave", "Jo Sarkozi dhe Merkel që mbytin popullin”, “Ata që mbjellin mjerimin do të marrin zemërimin". Policia franceze ishte e pranishme, por cdo gjë kaloi pa incidente. 

Thuajse gjysma e francezëve janë pesimistë për të ardhmen dhe mendojnë se shumë shpejt vendi i tyre do të përfundojë si Greqia. Sondazhi i institutit Ifop që do të botohet nesër në gazetën e së dielës, Sud-Ouest tregon se 49% e francezëve besojnë që vendi i tyre mund të jetë në një pozitë me Greqinë brenda disa muajve të ardhshëm, 32% e të cilëve e konsiderojnë këtë si shumë të "mundshme".

Tubime me moton "Ne jemi të gjithë grekë" janë mbajtur sot edhe në Gjermani dhe sidomos në Berlin. Dhjetëra gjermanë dhe grekë u mblodhën në sheshin jashtë konsullatës greke në mënyrë që të shpallin përkrahjen e tyre për popullin grek. Gjatë tubimit janë dëgjuar këngët e Mikis Teodorakis dhe janë lexuar mesazhe të mbështetjes. Ngjarje të ngjashme u njoftuan edhe në Leipzig dhe Këln. 

Një mobilizim solidariteti për Greqinë është planifikuar edhe në Nju Jork. 

Lëvizja “Unë jam grek” filloi para disa muajsh në Nisë të Francës dhe është shtrirë në disa qytete evropiane. 

Adriano Celentano kritikon publikisht politikat shtrënguese mbi Greqinë

Me popullin grek është solidarizuar publikisht edhe këngëtari i mirënjohur italian Adriano Celentano. 

Në festivalin e Sanremos, artisti mori mikrofonin dhe foli mbi situatën Greqi, ndërsa në sallë bashkatdhetarët e tij, një popull gjithashtu në krizë, e duartrokitën fjalën e tij. 

“Merkel dhe Sarkozy imponuan qeverinë greke të blejë armët e tyre. “Nëse doni të mbeteni në Euro, iu thanë, duhet të bleni tanket tona dhe anijet tona të bukura të luftës”, duke imponuar shkurtime dhe sakrifica te grekët”, u shpreh Celentano. 

Dy kryetarë të komunave italiane ofrojnë pagën e tyre për Greqinë 

Dy kryetarë të qyteteve italiane, kanë njoftuar se në shenjë solidariteti ata ofrojnë pagën e tyre për të mbështetur popullin grek. 

Në mënyrë të veçantë, Marco Gkalnti, kryetari i bashkisë së qytetit të Cava Dei Tireni, jashtë qytetit të Salernos në jug të Italisë, vendosi për të ofruar një rrogë prej 1.100 euro për popullin grek. 

Në të njëjtën lëvizje edhe kryetari i Baronisi qytetit, Giovanni Moskatielo ofron pagën e tij, ekuivalente me 780 euro. 

Vendimet e tyre u janë dërguar me letër presidentit të Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso, Presidentit të Parlamentit Evropian, Martin Schulz, kryeministrit italian, Mario Monti, dhe kryeministrit grek Lukas Papadhimos.

 

Anila Jole

Balkanweb.com

 

 

Comments

Submitted by wert (not verified) on

<p>BRAVO...SOLIDARITET ME GREQINE. FORCA GREQIA</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.