Emërimet e reja, rikthehen drejtuesit e LSI në postet e humbura

Postuar në 31 Tetor, 2013 16:08

Ashtu siç kishte lajmëruar gjatë fushatës zgjedhore, qeveria ka kthyer në postet e mëparshme disa drejtues të LSI-së. Me një vendim të posaçëm dje u rikthyen në detyrë anëtarët dhe kryetari i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike, të shkarkuar në muajin maj, pas vendimit të LSI-së për prishjen e koalicionit qeverisës me PD-në dhe bashkimin me Partinë Socialiste. Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike Postare ishte Pirro Xhixho, i propozuar në këtë post nga LSI-ja, partia që dikur ishte në koalicionin qeveritar. Por emërimi i tij përfundimtar do të duhet të kalojë në Parlament. Po dje ka dhënë dorëheqjen themeluesi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tomi Kola, prej vitesh në këtë post. Ministria e Ekonomisë lajmëroi se në vend tij është emëruar Vasilika Vjero. Ajo ka mbajtur postin e drejtoreshës së Taksave në Bashkinë e Tiranës, në kohën kur drejtohej nga Edi Rama. Shkarkimi i Kolës dhe emërimi i Vjeros në QKR është bërë dje nga ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Ndërkaq një tjetër emërim i ri vjen në krye të Hipotekës së Tiranës. Suada Bicaj mësohet të jetë drejtoresha e re që do të drejtojë një nga institucionet tashmë të konsideruara si problematike për korrupsionin. Vala e emërimeve të reja në postet kyçe të administratës përfshin femra në moshe të re, disa prej tyre me origjinë nga Bashkia e Tiranës. Këto lloj emërimesh në administratë kanë ndezur debatin publik, për shkak se shumica e drejtuesve të rinj në poste kyçe nuk mbartin përvojë, nuk janë të fushës dhe mbi të gjithë shumë të rinj dhe pa eksperiencë pune. Nga ana tjetër reforma në administratë dhe shkarkimet masive nga puna pritet të vënë në pozicion të vështirë qeverinë e re në procesin e integrimit europian. “Do të ndërtojmë mekanizmat efikasë të kontrollit në mënyrë që administrata të jetë realisht në shërbim të qytetarëve. Struktura e re qeverisë e fokuson administratën drejt rezultateve të matshme dhe një pune më efikase, me numër më të vogël punonjësish”, thuhet në programin qeverisës. Sipas programit, shtimi i numrit të shërbimeve publike online dhe rritja e përdorimit të tyre do të kontribuojnë në modernizimin, rritjen e efikasitetit dhe luftën kundër korrupsionit në administratë. Në fokus të qeverisë do të jetë përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike dhe verifikimi i cilësisë së tyre nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për ta rikthyer nëpunësin e administratës në shërbyes të qytetarëve. Mirëpo deri tani shumica e emërimeve të reja kanë qenë politike, pa konkurs dhe meritokraci. Me dhjetëra dosje nga të shkarkuarit tashmë janë drejtuar në gjykatë, në pritje për t’i krijuar një dëm të konsiderueshëm financiar arkës së shtetit.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.