Dyshohet se dhunuan disa fëmijë, pezullohen nga detyra

Pas publikimit të lajmit për dhunimin e disa të miturve nga uniformat blu, ka reaguar Policia e Shtetit duke pezulluar dy efektivët e dyshuar për ngjarjen. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se menjëherë pas marrjes dijeni për veprimet e kundërligjshme të kryera nga dy punonjës policie të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, ndaj disa të miturve në qytetin e Tiranës, mbrëmë është bërë pezullimi nga detyra i këtyre punonjësve.
“Ndaj këtyre dy punonjësve nga Drejtoria e Standardeve Profesionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka filluar ecuria disiplinore për shkeljet e kryera prej tyre gjatë ushtrimit të detyrës.
Policia e Shtetit garanton opinionin publik se si një institucion në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të tyre, nuk do të tolerojë asnjë shkelje apo abuzim të kryer nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë përmbushjes së detyrës.
Njëherazi Policia e Shtetit fton qytetarët, që në rast konstatimi të sjelljeve të tilla, që bien ndesh me misionin e Policisë së Shtetit, ti denoncojnë ato”, thuhet në reagimin zyrtar të Policisë së Shtetit.
Tahiri: I keqardhur, ndjesë të rinjve dhe familjarëve për shqetësimin e krijuar
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka reaguar në lidhje me dhunimin e të miturve nga dy efektivë të komisariatit numër 2 në Tiranë. Në një postim në rrjetin social Facebook, Ministri Tahiri e ka konsideruar ngjarjen si një standard të papranueshëm. “Jam i keqardhur për sa mësova dhe pashë mbi sjelljen e dy punonjësve të Policisë së Shtetit. U kërkoj ndjesë të rinjve dhe familjarëve për shqetësimin e shkaktuar padrejtësisht nga disa efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët kanë kapërcyer limitin e ushtrimit të detyrës duke shkelur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, shkruan ministri duke nënvizuar më tej faktin se: “Nga njëra anë, ky është një rast që tregon më së miri domosdoshmërinë tonë për të reformuar burimet njerëzore në Policinë e Shtetit, duke garantuar plotësisht respektimin e të drejtave të njeriut nëpërmjet formimit të vazhdueshëm të kapaciteteve. Jam i bindur se sado i mirë të jetë qëllimi i efektivëve të policisë në përmbushje të detyrës, mënyra e dhunshme shkallmon çdo standard të legjitimitetit dhe ligjshmërisë në realizimin e misionit të policisë. Nga ana tjetër, ky episod dëshmon domosdoshmërinë për të rikonceptuar rolin e punonjësit të policisë dhe mënyrën e përmbushjes së detyrës”.
Reagimi i Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit ka reaguar menjëherë pas publikimit të lajmit për rrahjen e të miturve nga efektivët e policisë. Me anë të një deklarate për mediat institucioni i Avokatit të Popullit e vlerëson si një sjellje të pahijshme dhe në shkelje të hapur të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
“Ekspertë të institucionit të Avokatit të Popullit kanë nisur menjëherë hetimin e kësaj ngjarje të rëndë. Në përfundim të hetimeve do të nisë rekomandimet përkatëse për veprën penale të kryer nga punonjësit e policisë te komisariatit numër 2”, thuhet në deklaratë.
SHQIP
Add new comment