Durrës, vritet gjimnazisti brenda shkollës. Arrestohet autori: Më ofendonte gjithmonë

Një gjimnazist është qëlluar për vdekje me armë zjarri mëngjesin e sotëm në Durrës. Ngjarja ka ndodhur në shkollën “Beqir Çela” në Shkozet, ndërsa viktima është identifikuar si shtetasi Adriatik Toto, 17 vjeç, nxënës i vitit të parë në shkollën e mesme profesionale.
Sipas informacioneve, vrasja ka ndodhur teksa nxënësit po kryenin praktikën, brenda ambienteve të shkollës, ndërsa dyshohet se autori i krimit është një bashkëmoshatar i tij, i cili është shpallur në kërkim.
Sipas informacioneve të para, autori ka hyrë në ambientet e shkollës dhe ka qëlluar me armë bashkëmoshatarin e tij duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë autori është larguar nga vendi i krimit, ndërsa ngjarja e rëndë ka krijuar panik tek nxënësit. Dyshohet se shkak për krimin është bërë një grindje mes 17-vjeçarit Tota dhe bashkëmoshatarit të tij, ndërkohë që policia e cila ndodhet në vendngjarje ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes.
Shoqërohet në polici mësuesi, nuk kallëzoi krimin. 15 vjeçari pranon krimin: E qëllova se më ofendonte gjithmonë
Policia e Durrësit ka shoqëruar pasditen e sotme mësuesin që ishte duke dhënë mësim në klasën ku u vra 17-vjeçari Adriatik Tota. Thoma Llazari, mësuesi i praktikës në lëndën e mekanikës është shoqëruar për moskallëzim të krimit. Sipas policisë, edhe pse ka qenë i pranishëm në momentin e ngjarjes së rëndë, mësuesi nuk e ka treguar identitetin e vrasësit.
Ndërkohë, autori i krimit, 15 vjeçari Edrin Varaku që u arrestua nga policia disa orë pas ngjarjes, ka pranuar krimin duke shpjeguar se paraprakisht ka pasur një debat verbal me viktimën. Sipas 15-vjeçarit, arsyeja se pse e ka vrarë Totën ka qenë fakti se ai e ofendonte gjithmonë.
Arrestohet pas disa orësh, Endrin Varaku, autori i vrasjes së 17 vjeçarit Tota
Policia e Durrësit ka arritur të vërë në pranga autorin e vrasjes të 17-vjeçarit Adriatik Tota mëngjesin e sotëm, në shkollën profesionale në Shkozet të Durrësit.
Endrin Varaku, po 15 vjeç është vënë në pranga disa orë pas ngjarjes makabre, në qytetin e Durrësit. Sipas burimeve policore, arrestimi i adoleshentit është bërë pas negociatave intensive të policisë me familjarët e tij.
Endrin Varaku qëlloi për vdekje 17-vjeçarin Adriatik Tota, brenda në klasë gjatë orës së mësimit dhe në praninë e nxënësve të tjerë dhe mësuesit.
“Policia e Qarkut Durrës ka arritur të kapë pasditen e sotme shtetasin E.V., 15 vjeç, i cili vrau me armë zjarri 17-vjeçarin A.T. ne mjediset e shkollës “Beqir Çela” në Shkozet. Kapja e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë është realizuar rreth orës 16:45, falë edhe bashkëpunimit të familjarëve të personit të kërkuar. Që prej momentit të ngjarjes, policia kishte marrë masa të shumta duke kontrolluar banesat e familjarëve dhe të afërmve të autorit të dyshuar si dhe kishte duke ngritur postblloqe kontrolli në të gjitha akset rrugore të zonës. Krahas këtyre masave u kontaktua me familjarët e autorit duke ju bërë të qartë situatën në të cilën ndodhej fëmija i tyre. Pas një sërë veprimesh policore për identifikimin e lidhjeve të tij dhe kontakteve të tij më të fundit falë edhe bashkëpunimit të familjarëve u bë kapja e E.V. në një prej lokaleve të qytetit të Durrësit. Nga deklarimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta të një grindjeje mes adoleshentësh. Vazhdon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet e çështjes do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës,”- bën me dije Ministria e Brendshme.
Ministrat Tahiri dhe Nikolla në vendngjarje
Menjëherë pas marrjes së lajmit, drejt Shkozetit kanë udhëtuar dy ministra të qeverisë “Rama”, Sajmir Tahiri dhe Lindita Nikolla, si dhe deputetë të opozitës. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka cilësuar ngjarjen si tepër të rëndë, që ka tronditur sigurinë në shkolla. Ai ka shtuar se ka një plan masash të posaçme, dhe garanton prindërit për ruajtjen e sigurisë nëpër institucionet arsimore.
Ndërsa Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla është shprehur se nuk gjen fjalë për të ngushëlluar nënën e djalit që humbi jetën ndërsa ka shtuar se do të bëhet gjithçka që ngjarje të tilla të mos ndodhin më.
Rama: Vrasja e adoleshentit, këmbanë alarmi për shoqërinë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas ngjarjes së rëndë, ku humbi jetën gjimnazisti Adriatik Toto. Pasi ka shprehur ngushëllime për familjen e të riut, Rama ka deklaruar se kjo ngjarje është kambanë alarmi për të gjithë qeverinë. Sipas një njoftimi të Kryeministrisë thuhet se Rama ka kërkuar një hetim të plotë të gjithë ngjarjen.
“I keqardhur për lajmin, Edi Rama shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen e djalit që humbi jetën dhe i ka kërkuar Ministrit të Brendshëm dhe Ministres së Arsimit të shkojnë në vendngjarje për tu siguruar që të afërmit e viktimës, studentët dhe mësuesit të kenë të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin e nevojshëm. Kjo ngjarje tragjike është një kambanë e fortë alarmi për të gjithë, qeverinë, trupat mësimore, prindërit, shoqërinë në tërësi. Kryeministri ka kërkuar të bëhet një hetim i plotë dhe të njihet me të gjitha faktet, në mënyrë që të merren të gjitha masat e nevojshme që ngjarje të tilla të mos përsëriten”,- thuhet në njoftim.
Basha: Keqpërdorimi i Policisë së Shtetit po nxit krimin e organizuar
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar sot se vrasja e 17-vjeçarit ka ndodhur për shkak të dështimit të qeverisë. “Sot është një ditë e tmerrshme për një familje durrsake. Por është një ditë e keqe mes shumë ditëve të këqija që po përjetojnë qytetarët e Shqipërisë në dështimin total të kësaj qeverie për të luftuar krimin me sinjalet tepër negative që militantizmi në krye të Policisë së Shtetit dhe keqpërdorimi i Policisë së Shtetit jashtë mandatit të saj ligjor po i jep jo vetëm krimit ordiner, por edhe krimit të organizuar”,- deklaroi Basha gjatë inaugurimit të rrugës “Agush Gjergjevica” në Tiranë.
Sipas tij kjo qeveri nuk po ndihmon në një shtet në një shoqëri më të sigurt, me rend dhe me ligj, por po njësohet me shpejtësi me një nga qeveritë më të dështuara në historitë e Ballkanit dhe në historinë e Shqipërisë. “Me këtë rast u bëj thirrje strukturave të Policisë së Shtetit të shkunden nga plogështia, të refuzojnë skenarët politikë që i serviren nga krerët e tyre të politizuar, ti përmbahen ligjit dhe të bëhen një me qytetarët kundër krimit dhe jo me këtë qeveri që mesa duket jo vetëm nuk po e lufton krimin, por me praktikat që po ndjek po njësohet me të dita ditës”,- deklaroi Basha.
Vrasja e 17-vjeçarit, debate në Komisionin e Ligjeve
Vrasja e gjimnazistit në Shkozet të Durrësit është shndërruar në objekt debati mes deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Deputeti i PD-së Eduard Halimi ka akuzuar qeverinë për paaftësi në luftën kundër krimit, duke theksuar se sot fëmijët janë të pasigurt edhe në shkollë.
“Një djalosh është vrarë në mes të shkollës. Ne nuk mund të qëndrojmë më në këtë komision. Policia e Shtetit nuk mbron më jetët e njerëzve” është shprehur Halimi dhe më pas të gjithë deputetët e opozitës janë larguar nga komisioni.
Ndërsa kreu i komisionit Fatmir Xhafaj theksoi se bojkoti është kthyer tashmë në praktikën e opozitës. “Ju keni vrarë njerëz në mes të sheshit. Deputetët nuk janë policë, por kjo është çështje e anëtarëve të opozitës”, u shpreh Xhafaj.
Shqip
Add new comment