Dogana zbulon skemën mashtruese me lojërat e fatit

Strukturat e specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në bashkëpunim me organet doganore homologe njoftojë se kanë zbuluar një maksi-mashtrim në fushën e deklarimit në doganë të makinerive të lojërave të fatit. Kompania “SATURN GAMES” ka deklaruar në Degën e Doganës Tiranë, në import, 65 copë makineri lojëra fati me vlerë 37.050 euro. Gjatë kontrollit dhe hetimit aposterior të kësaj praktike doganore rezultoi se vlera reale e kësaj ngarkese e deklaruar në deklaratën e eksportit është 468.000 euro. Kompania “SATURN GAMES”, me anë të paraqitjes në Degën e Doganës Tiranë të dokumentacionit të falsifikuar, ka shmangur detyrimin doganor në shumën 11.793.604 lek. Për këtë shkelje të klasifikuar kontrabandë, kompania është penalizuar në shumën 35.380.812 lek. Në total, detyrimi i munguar dhe penalitetet arrijnë në shumën 47.174.416 lek. Për këtë çështje është depozituar kallëzimi penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërkohë që po vazhdojnë hetimet për raste të ngjashme.
Goditja nga Tatimet
Gjatë muajit tetor 2013, edhe Administrata Tatimore ka bërë përpjekje në luftën kundër korrupsionit në radhët e saj dhe zbulimin e evazionit fiskal. Rezultati i deritanishëm në total është zbulimi i një vlere të ndjeshme të evazionit fiskal, si dhe të një dëmi ekonomik. Dëmi në total i shkaktuar në buxhetin e shtetit prej të dy veprimeve është rreth 810 milionë lekë ose rreth 5.8 milionë euro. Nga zbulimi i skemave për evazion dhe rimbursim fiktiv të TVSH-së, gjatë muajit tetor, janë kallëzuar penalisht në Prokurori 8 ish-punonjës dhe drejtues të lartë të Drejtorisë Rajonale Tiranë, 11 persona me funksionin e administratorit apo përfaqësuesit ligjor të 19 subjekteve tatimpagues, si dhe dy raste janë kallëzim penal gjatë muajit nëntor. Rezultati i deritanishëm i punës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave (DPD) ka rezultuar në penalizimin e subjekteve në masën 1.5 miliardë lekë ose rreth 10.7 milionë euro (detyrime të munguara dhe penalitete), si edhe në marrjen e masave ndaj 83 punonjësve të administratës. Vetëm përgjatë aksionit “Fundi i Marrëzisë”, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe DPT-në, u bllokuan 536 subjekte (230 vetëm në Tiranë). Janë sekuestruar mbi 2508 makineri lojërash fati dhe rreth 116 persona po procedohen penalisht. Ky treg operonte në rreth 75% të tij në mënyrë informale.
DITA
Add new comment