Doda: Olldashin e latë vetëm, madje e përbaltët

Deputetja demokrate, Mesila Doda, akuzoi dje indirekt kolegët dhe drejtuesit e PD, se Sokol Olldashi u la vetëm në përpjekjen e tij për të ndryshuar të djathtën. Në fjalën e saj në Kuvend, Doda tha se Olldashin e bënë të ndihej fajtor pa faj për shkak të përpjekjes së tj për të ndryshuar opozitën.
“Askush nga ne, askush në këtë parlament, nuk do mbushë dot kurrë boshllëkun e lënë prej tij. Por idealet e një historie të re për Shqipërinë, ëndrrën e Sokolit tonë kemi detyrën dhe të drejtën ta mbajmë në jetë. Mjaft më hipokrizi perbeniste, shuka me baltë që ja hedhim fytyrës së tjetrit kur do duhet në fillim të pastrojmë tonën. Unë kisha faj! Unë kisha faj ato dhjetëra, ato qindra herë kur tentova të isha politikane e mirë, oratore e shkëlqyer dhe harrova që u afrova në politikë, jo se më duhej një rrogë, e as se më duhej dashamirësia e eprorëve, por e doja politikën, që të sillja ndryshimin, të mundësoja një botë më të mirë. Ju kishit Faj! Kishit Faj kur e latë Sokolin të vetëm në përpjekjen e tij titanike e solitare për të ndryshuar të djathtën shqiptare, për të bërë një forcë politike më militantë që afrohen nga zemra e jo nga xhepi pranë politikës. Kishit të gjithë faj se e latë vetëm, madje shumë herë dhe e qëlluat dhe e përbaltët dhe e bëtë të ndjehej fajtor pa faj. Sot askush nuk bën dot Pilatin”.
“Ka ende vite deri në fund të kësaj legjislature. Deri në fund të jetës sonë do duhet të përballemi me sfida që nuk i mendonim kurrë se do i hasnim përballë. Por pasionet e këtij burri të ri e të vjetër, Liria, e Vërteta, Partia Demokratike e Shqipërisë, do të duhet të mbijetojnë të gjithë… ne do duhet ta nisim me një “mea culpa”, dhe të kuptojmë çfarë do duhet të ndryshojmë në jetën tonë, në politikën tonë, në mendjen dhe në shpirtin tonë. Do duhet të ndërmarrim një aksion të ri për shoqërinë shqiptare në mënyrë që të kultivojmë vlera e jo kulte, do duhet të riformësojmë fort një ideologji të së djathtës larg nga zgjidhjet pragmatiste dhe rreth vlerave tradicionale te saj, dhe më së fundi do duhet të bëjmë një betejë opozitare të animuar e të inspiruar, betejë në dobi të më të vegjëlve, votuesve tanë, të sotëm dhe atyre që do të vijnë, thjesht do duhet që të gjithë të jemi nga pak SOKOL në këtë parlament!”, deklaroi Doda.
Dita
Add new comment