DESHMIA tronditëse/ Diana merrte ende frymë, ambulanca u vonua 30 minuta

Shpesh thuhet se shumë jetë njerëzish në Shqipëri do ishin shpëtuar nëse ambulanca mbërrin në kohë.
Një dëshmi tronditëse që vjen pas ngjarjes së Vlorës tregon se si Diana Ademi, një nga viktimat e pafajshme të kësaj tragjedie, vazhdonte të merrte frymë, por ambulanca u vonua për 30 minuta. Madje edhe kur erdhi, nuk e mori atë, por mori dy viktimat e tjera.
Anada, një nga dëshmitaret okulare, rrëfen për GSH këtë moment tmerri.
“Unë kisha shkuar si çdo ditë me disa shoqe të miat në plazhin tek “Kalaja”. Gjithçka ndodhi ishte e papritur. Dëgjuam të shtëna, por fillimisht mendova se ishin fishekzjarrë, po kur kthej kokën shoh që të gjithë po vraponin të tmerruar. Aty e kuptova ç’po ndodhte. Filloi një breshëri plumbash dhe nuk dinim nga të shkonim, ku të fshiheshim.
Sipas zhurmës që dëgjova, të shtënat dukej se vinin nga shkallët. Pasi mbaroi breshëria e parë, filloi një tjetër mbi të gjithë plazhin. Plumbat më erdhën tek këmbët. Pastaj prapë një ndalesë dhe prapë një breshëri e tretë. Më shumë u tremba për vëllain e vogël, të cilin po e mbuloja me trupin tim.
Kur u duk se çdo gjë mbaroi, njerëzit filluan të vraponin të largoheshin dhe unë po vrapoja të gjeja kushërirën time, e cila ishte në breg të detit, afër Serdit të plagosur. Po bërtisnim për ndihmë po askush nuk e kthente kokën. Kur u ngjitëm të largoheshim, aty tek një shezlong afër ishte një grua e shtrirë me fytyrë nga dielli, vetëm. Unë u çudita dhe mendova mos po flinte. U afrova, kur pashë që ajo ishte e plagosur me plumb afër veshit. U tmerrova!!! Fillova të kërkoja ndonjë të afërm të saj, po s’kishte asnjëri.
E morëm, disa çuna e ngjitën lart dhe unë u përqendrova më shumë tek ajo. Nuk e di pse iu afrova dhe ajo merrte frymë. Kraharori i hidhej përpjetë. Ambulanca u vonua 30 minuta ose më shumë dhe kur erdhën morën 2 të plagosurit e tjerë pasi nuk kishte vend.
Unë u mundova ta ndihmoja atë gruan, po çfarë mund të bëja?! Policia ishte aty dhe nuk e merrte. Pak më vonë iu afrova dhe njëherë asaj ti matja pulsin. Aty e pashë që ajo vdiq. U tmerrova…nuk di ç’të them. Pastaj e mori ambulanca, ndërsa ne na mori policia për të dëshmuar. Kemi ndenjur atje deri vonë. Çfarë të them më tepër, ky ishte tmerri i asaj dite. Falenderoj Zotin që jemi gjallë”./ep
Tema
Add new comment