Deputetja e PD-së: Votova pro rishikimit të buxhetit nga lodhja

Përveç votave të deputetëve të mazhorancës, rishikimi i buxhetit të vitit 2013, mori dy vota pro edhe nga deputetët e PD-së. Deputetët që votuan pro ishin Mhill Fufi dhe Eleina Qirici.
Deputetja e PD-së e qarkut të Korçës ka sqaruar se nuk kemi të bëjmë me rrjedhje vote, por vetëm me një gabim për shkak të lodhjes. “11 orë seancë plenare ndodhin dhe gabime”, tha ajo për “A1 Report”, duke sqaruar se do të vazhdojë të jetë pjesë e grupit të PD-së.
Akti normativ i qeverisë në lidhje me rishikimin e projektbuxhetit të vitit 2013 u votua mbrëmë në Parlament me 79 vota pro dhe 42 kundër.
Ndërsa sa i takon Mhill Fufit, deputetit të qarkut të Lezhës, ai ende nuk ka bërë ndonjë sqarim lidhur me votën pro rishikimit të buxhetit të vitit 2013.
Kush është?
Elena Qirici është diplomuar në Universitetin e Tiranës në Fakultetin Ekonomik, për “Administrim Biznesi”. Ka përfunduar studimet master pranë Universitetit të Tiranës, për “Marketing”. Mban titullin Doktor i Shkencave dhe Prof. As. Dr. Gjatë karrierës së saj profesionale ka punuar që nga viti 1994 e në vazhdim si pedagoge në Departamentin Marketing – Turizëm, Fakulteti i Ekonomisë pranë Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë.
Shekulli
Add new comment