Deputetët, ironi për moldavet në Parlament

Postuar në 04 Dhjetor, 2013 02:51

Komisioni i Integrimit

Balla, ironi me Bregun: Ngjan një çik me moldavet!
Miratohet dokumenti për ripranimin e personave të paautorizuar.

Marrëveshja e Qeverisë shqiptare me Qeverinë e Moldavisë për ripranimin e personave të paautorizuar është komentuar dje me tone gazmore mes deputetëve të PD-së dhe PS-së në dy komisione parlamentare. Madje, në Komisionin e Integrimit, nënkryetari Taulant Balla i është drejtuar kryetares Majlinda Bregu duke i thënë se kjo e fundit ka ngjashmëri me femrat moldave. Ironia mes deputetëve ka filluar teksa ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka kërkuar nga kolegët që të përcillnin ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, i cili raportoi në një seancë dëgjimore.

Por, nënkryetari Balla ka ironizuar duke thënë se edhe Bregu mund të largohej bashkë me ministrin dhe se mbledhjen mund ta drejtonte dhe pa praninë e demokrates. “Mund të ikni të dy se e drejtoj unë komisionin”, tha Balla, ndërsa gjeti përgjigjen e ish-ministres: “Do ta drejtosh mbledhjen ti?! Për ripranimin me Moldavinë e kemi. Kështu vazhdo”. Por, në këtë moment nënkryetari i komisionit, socialisti Balla, ironizoi me Bregun duke i thënë se: “Ti ngjan një çik me moldavet”. Kjo batutë e Ballës ka ngjallur të qeshurat në sallë dhe është komentuar nga deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila i tërhoqi vëmendjen duke qeshur. Por, Balla u justifikua duke thënë se vetë kryetarja e komisionit e kërkoi këtë përgjigje. “Po, meqë vetë u krujt”, tha ai.

KOMISIONI I SIGURISË
E njëjta marrëveshje është miratuar me konsensus dhe me humor edhe në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Deputetët demokratë kanë shkëmbyer batuta gjatë kohës që mungonte në sallë kryetari i këtij komisioni, Spartak Braho. Fillimisht, deputeti i PD-së, Astrit Patozi, ka pyetur sekretaren për mungesën e kryetarit të komisionit, të cilin e quajti xha Braho.

Ndërsa në kohën kur nuk kishte nisur ende shqyrtimi i projektligjit, ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, bëri një batutë, duke thënë se mungesa e kryetarit të Komisionit vjen për shkak se mosha e tij nuk i përballon “marrëveshjet me Moldavinë”. Astrit Patozi u shpreh për këtë çështje se:”Jo të gjitha marrëveshjet me Moldavinë janë të këqija”. Ndërkohë, Noka tha: “Të mira janë, por mosha e Spartakut (Brahos) tremben”. Më tej, Noka u shpreh më tej për marrëveshjen se: “Ore, për të ardhë do vijnë (moldavet), por problemi është se duhet më pagu për t’i kthyer mbrapsht, kur s’na duhen mo”.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.