Debat për ndryshimin e buxhetit

Postuar në 24 Tetor, 2013 09:57

Parlamenti është përfshire nga debati mbi Aktin Normativ për ndryshimin e buxhetit te shtetit.

Maxhoranca akuzoi Qeverine e PD-së se e ka lënë arkën bosh dhe ka faturuar miliona euro borxhe për Qeverinë aktuale. Kryeministri Rama tha se do të ndërmerret një reformë drastike, ndërsa akuzoi paraardhesin se i la invalidet pa bukën e gojës dhe paratë i përdori për fushatë.

"Nga 174 milionë dollarë për bukën e gojës në prill, maj, qershor, muaj që përkojnë me pragun dhe pastaj me fushatën elektorale janë shpenzuar 94 për qind të fondit pa dashur kush t'ia dijë se ku do ta gjejnë në korrik, në gusht, në shtator, në tetor, në nëntor dhe në dhjetor bukën e gojës, ata të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër përveçse të presin ditën e shënuar të muajit për të marrë këto para të bukës së gojës nga shteti dhe nuk kanë për fat të keq mundësinë që ta sigurojnë bukën e gojës vetë. Nga 174 milionë dollarë që ishin përcaktuar për këta njerëz keni harxhuar 94 për qind për fushatë elektorale dhe sot në arkën e shtetit janë vetëm 7 milionë dollarë, ndërkohë që radha e gjatë e invalidëve të këtij vendi pret me sytë nga qielli bukën e gojës. Jo sipas nesh, por pikërisht sipas Bankës Botërore dhe FMN-së bashkarisht, sepse ne ndërkohë në mirëkuptim me ta kemi kërkuar dhe një audit të posaçëm, afërsisht 200 milionë dollarë punë të tenderuara publike për ato shiritat dhe të papaguara; 20 milionë dollarë për ujë dhe për kanalizime; 30 milionë dollarë për shëndetësinë, i keni lënë ju pas në formë pas në formë faturash. Po ashtu për arsimin keni lënë pas fatura 20 milionë dollarë", tha Rama.

Akti Normativ që ndryshon buxhetin e shtetit ka shkaktuar debate të forta në Parlament mes maxhorancës dhe opozitës.

Ministri i Financave Shkëlqim Cani sqaroi para deputetëve se pse ndryshimet ishin të detyruara.

"Buxheti i vitit 2013 nuk është tjetër veçse një reflektim i situatës aspak pozitive në të cilën gjenden financat publike të shtetit dhe ekonomia shqiptare. Ky buxhet nuk bën gjë tjetër veçse zbaton atë të keqe që na la", tha Cani.

Por paraadhësi i tij demokrat Rivan Bode akuzoi Qeverinë se përmes ndryshimeve në buxhet po zhyt qëllimisht ekonominë në krizë.

"Qeveria do me çdo kusht ta paraqesë në krizë punën e saj, por po bën atentatin më të madh ndaj ekonomisë së vogël të shqiptarëve që e kanë ndërtuar me mund dhe djersë dhe që i kanë dhënë dinamizëm edhe atëherë kur ekonomi të fuqishme në mënyrë të njëpasnjëshme u kolapsën nën vorbullën e krizës globale. Ky buxhet vjen pikërisht për të legjitimuar propagandën boshe, hakmarrëse të atyre që kanë marrë revanshin e pushtetit", tha Bode.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se përmes këtij buxheti socialistët po vënë në jetë skenarin grek për shqipërinë.

"Sot këtu vendoset faza e dytë e skenarit të Jorgo Papandreut. Me matematikën e Ramiz Alisë që paraqiti eksperti i patateve dhe i vjedhjes së floririt, Shqipëria dhe ekonomia e saj ecën me shpejtësi drejt gropës. Ndaj thirrja ime është: Hidheni poshtë këtë Akt që mbart në vetvete fazën e dytë të një skenari ogurzi për ekonominë shqiptare, atë të zhytjes së saj në recesion dhe në krizë të pashmangshme", u shpreh Basha.

Por kyetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe tha se financat erdhën në këtë gjendje pikërisht për shkak të shkeljes në seri të ligjit nga Sali Berisha.

"Kështu në muajin maj, kur Sali Berisha vendosi të ulë taksa elektorale duke cënuar rëndë në ulje të ardhurat, për muajt më pas, kështu edhe në qershor në shkelje të ligjit, kështu edhe në korrik kur Sali Berisha vendosi të rrisë pagat dhe pensionet edhe pse nuk kishte të ardhura dhe po merrte borxh për t'i paguar ato duke cënuar rëndë në rritje shpenzime për muajt më pas, kështu në gusht, kështu në shtator në shkelje të pltoë të ligjit. Ky është krim i konsumuar me dashje dhe ti Sali Berisha duhet të përgjigjesh. Nuk mundet që ti të kesh fatin e Kryeministrit grek Karamanlis, nuk mundesh që ti të bësh sot treguesit e përrallave me Spiderman nga kulla 22 kate ku ke zyrën tënde prej 200 metrash", u shpreh Braçe.

Buxheti i vitit 2013 parashikon shkurtimin e shpenzimeve publike me 16.2 miliardë krahasuar me planin fillestar dhe rritjen e deficitit me 22 miliardë lekë të tjera shtesë.

Top channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.