Dade: Deklarata e Erdogan, çështje e Kosovës

Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Jashtëm, interviste per “Panorama”.
“Kosova është Turqi, Turqia është Kosovë? Kjo ka të
bëjë me shtetin e Kosovës, jo me Shqipërinë”.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, Arta Dade, vlerëson Italinë dhe Greqinë si partnere strategjike në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Sipas saj, deklaratat e bëra në Prizren nga Kryeministri turk Erdogan, kanë të bëjnë me raportet e shtetit të Kosovës me Turqinë, dhe jo me Shqipërinë. Duke folur për qeverinë e re, Dade u sugjeron ministrave të rinj që të kenë në stafet e tyre këshillimore ekspertë me përvojë, ndërsa shton se roli i deputetëve të maxhorancës në Kuvend do të jetë monitorues dhe mbikëqyrës ndaj qeverisë.
Që pas ardhjes në pushtet të së majtës, kemi disa pozicione të reja në politikën e jashtme, si partneriteti strategjik me Turqinë, por dhe një dimension i ri në marrëdhëniet me Greqinë dhe Italinë. Kemi teprime apo eufori në çështjet e politikës e jashtme të Shqipërisë? Unë nuk dua të flas për terminologjinë, sepse terminologjia në politikën e jashtme lë hapësira për interpretime të ndryshme. Dua t’i referohem asaj çka PS ka shprehur në programin e saj themeltar, elektoral e qeverisës, që partnerët strategjikë, duke iu referuar fqinjëve tanë, janë Italia dhe Greqia dhe në një rrafsh më të gjerë përcaktohet se me Turqinë Shqipëria do të ketë marrëdhënie strategjike. Nisur nga kjo, nuk ka asgjë të keqe nëse ne do të intensifikojmë përpjekjet tona lidhur me diplomacinë ekonomike dhe duke shfrytëzuar çdo hapësirë që investimet e huaja, përfshirë dhe ato turke, jo vetëm të jenë të pranishme në vend, por edhe të konsolidohen mbi bazën e interesit e përfitimit të ndërsjellë.
Si e vlerësoni prezencën e investimeve turke në Shqipëri?
Unë besoj se dhe në momentin që flasim ka mjaft prezencë të kapitalit turk edhe në sektorin strategjik në Shqipëri. Do të ishte e udhës që ne të bënim një analizë të thellë, gjë që u takon, sigurisht, strukturave qeverisëse, sa efektive kanë qenë këto investime jo vetëm ato turke, por dhe investimet e tjera. Dy ditë më parë ishim në një takim me një grup monitorues të ministrive të jashtme të Suedisë, të Letonisë dhe të Spanjës, të cilët bënë një vizitë në vendin tonë për të monitoruar investimet përmes “Cooperazione italiana”. Sigurisht, një grup deputetësh kanë njohuri dhe kanë ndjekur në vazhdimësi edhe marrëveshjet në këtë kuadër, dhanë vlerësimet e tyre për ecurinë e këtyre investimeve. Do të kisha dëshirë që e njëjta gjë të ndodhte dhe me investimet e tjera në Shqipëri, në mënyrë që qeveria dhe Parlamenti të jene të mirinformuar për efektivitetin e investimeve të huaja në Shqipëri si dhe respektimit të termave të kontratave.
Në ç’nivele gjenden sot dy partnerët e vjetër strategjikë të Shqipërisë?
Italia është partnerja kryesore në volumin e shkëmbimeve tregtare me vendet e BE; në Greqi, me gjithë problematikën e krizës ekonomike, emigrantët shqiptarë vazhdojnë të punojnë e jetojnë atje duke u integruar në shoqërinë greke. Përparësi e politikës së jashtme të shtetit shqiptar është integrimi i plotë në BE, dhe dy vendet fqinje, Italia dhe Greqia, janë anëtare të BE-së e na kanë mbështetur në axhendën tonë europiane si dhe për anëtarësimin në NATO, ku nuk ka munguar edhe mbështetja e Turqisë, si aktor i rëndësishëm i NATO-s. Por do të punojmë pa reshtur e do të vazhdojmë të kërkojmë mbështetjen e Italisë e Greqisë për të përmbushur anëtarësimin e plotë të vendit në BE.
Si i vlerësoni deklaratat e Kryeministrit turk Erdogan se Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë?
Lidhur me këtë deklaratë të Kryeministrit Erdogan në Kosovë, që ka të bëjë me kontekstin e marrëdhënieve dypalëshe Turqi-Kosovë, të cilat përcaktohen nga vetë shtetet respektive, komentet tona do ishin të tepërta. Kosova, si një shtet i pavarur, ka artikulimin e saj në përparësitë e saj në politikën e jashtme, si integrimi në strukturat euroatlantike. Sigurisht, kam ndjekur një numër analistësh për këtë çështje, por praktikisht kjo ka të bëjë me shtetin e Kosovës, dhe jo me Shqipërinë. Unë si kryetare e Komisionit Parlamentar për Politiken e Jashtme, që kam ndjekur dinamikën e zhvillimeve rajonale dhe posaçërisht dhe për Kosovën, do të kisha dëshirë që Kosova të vazhdojë me ritme më të shpejta drejt angazhimeve të saj për integrimin në BE dhe në strukturat euroatlantike. Ishte një lajm i mirë për gjithë shqiptarët që Komisioni Europian ka propozuar që Kosova të nisë negociatat për MSA-në dhe sigurisht kursi i këtij shteti është drejt BE-së.
Mendoni se krijohet ngërç për Shqipërinë nga deklarata e zotit Erdogan, ku ka përfshirë shtetet me popullsi myslimane në Ballkan, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë, Shqipërinë, Kosovën si vende që do të ecin të gjitha bashkë drejt BE-së, kur ne jemi shumë pranë BE-së?
Bosnjë-Hercegovina, por dhe Kosova, edhe nga vetë përfaqësuesit e tyre konsiderohen shtete multietnike. Integrimi në BE nuk ka të bëjë me strukturën fetare të popullatës, nëse një popullatë e caktuar i përket kristianizmit apo myslimanizmit. Integrimi në BE lidhet vetëm me përmbushjen e standardeve në rastet kur shtetet janë përcaktuar e punojnë për këtë integrim. Presidenti i KE, Barroso, ripërsëriti këto ditë se Ballkani duhet të integrohet i tëri në BE. Përsa i përket Shqipërisë, që është një vend i shkëlqyer sa i përket tolerancës fetare, vonesat për statusin e vendit kandidat janë krijuar prej papërgjegjshmërisë e paaftësisë qeverisëse, e jo për shkaqe të tjera që do t’i vinin për shtat asaj kategorie që arsyet do i kërkonin diku gjetkë. Unë nuk do të dëshiroja që feja të ndërhynte me përmbushjen e standardeve të secilit vend në integrimin në BE, apo dhe në strukturat e tjera euroatlantike. Unë shpesh i referohem të ndjerit Arbër Xhaferri, i cili u ka bërë një trajtesë edhe shkencore tentativave për të barazuar fenë me kombin, të cilat do të ishin të gabuara në mënyrë të veçantë në rajonin e Ballkanit, i cili tashmë ka lënë pas dekadën e luftërave të përgjakura mbi baza fetare dhe etnike dhe është përcaktuar qartë në kursin drejt proceseve integruese rajonale e euroatlantike.
Të kthehemi te politika e brendshme. Qeveria ka pak më shumë se 45 ditë që ka nisur nga puna. Si i vlerësoni veprimet, vendimet dhe aksionet e ditëve të para?
Qeveria në radhë të parë ka ende vështirësi për të pasur një pasqyrë më të qartë nga ajo që ne kishim para 23 qershorit për gjendjen ekonomike e financiare të vendit e në ministritë përkatëse se çfarë kanë gjetur realisht ministrat kur kanë marrë detyrën. Sigurisht që ka qenë e vështirë, pasi ka munguar transparenca e qeverisë që u largua pas 23 qershorit. I shtoj kësaj dhe shqetësimin që ne kemi ekspozuar vazhdimisht lidhur me INSTAT-in, që ka dhënë shifra të pavërteta e të deformuara për gjendjen ekonomike dhe financiare. Këto ditë kanë shërbyer që ministrat të kenë një fotografim të qartë të gjendjes që kanë gjetur. Parlamenti ka mbështetur dhe iniciativën e qeverisë për të miratuar auditin e financave nga një kompani e huaj dhe besoj se nuk ka pasur rrugë tjetër për të evidentuar gjendjen reale të ekonomisë. Pas seancës parlamentare të së enjtes, ka një informacion më të saktë e të qartë lidhur me situatën dramatike në të cilën qeveria e PD-së e ka lënë vendin.
Opozita e djeshme ka pasur si kalë beteje zbatimin e ligjit dhe pandëshkueshmërinë. Sot në qeveri, ku gjenden vazhdimisht shkelje të shumta nga ish-ministrat apo zyrtarët e tjerë të lartë, prisni që të zbatohet ligji duke ndëshkuar edhe ndonjë prej tyre? Ju vetë keni theksuar se do ta lini mandatin nëse Kryeministri Berisha nuk dënohet nga drejtësia…
Sigurisht, ka pasur një lloj ekzagjerimi në deklarimin tim, por unë i përmbahem bindjes sime se realizimi i transparencës për korrupsionin e paprecedentë, abuzimi me fondet publike, ishte një nga kartat e fushatës sonë elektorale, një nga pikat që elektorati na besoi, na votoi e pret ndëshkim, një kërkesë që vjen dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Shqetësimet për kulturën e pandëshkueshmërisë janë shprehur në disa progres-raporte radhazi të KE-së dhe sigurisht që do të ishte e papranueshme për mua si deputete, por edhe për qeverinë “Rama” që të mbylleshin sytë para abuzivizmit me pushtetin dhe fondet publike. Dua të përshëndes hapat që janë hedhur nga ministri i Mirëqenies dhe Çështjeve Sociale, që ka vënë para drejtësisë zyrtarë të lartë të asaj ministrie. Gjithashtu prononcimi i disa ministrave në seancën e fundit parlamentare më bën të besoj se dokumentet tashmë të provuara para Parlamentit duhet t’u çohen organeve të drejtësisë, duke nisur me Prokurorinë.
Pritshmëritë e publikut janë shumë të mëdha. Mendoni se emërimet e fundit të drejtorëve, diku me konkurs e diku drejtpërdrejt, po e justifikojnë këtë pritshmëri?
Është ende herët për të dhënë vlerësime. Unë do të uroja që emërimet që janë bërë në sektorë kyçë të jenë të argumentuara. Por kam dëgjuar Kryeministrin që disa emërime janë bërë dhe për shkak të emergjencës që paraqet një sektor i caktuar, deri në momentin e hapjes së konkurseve. Unë do të dëshiroj që ekspertë pa dallim të ngjyrave partiake, të aplikonin dhe konkurronin për vende shumë të rëndësishme që lidhen me menaxhimin e financave publike apo dhe me mbledhjen e të ardhurave, që do të krijonin një bazë të domosdoshme për mirëfunksionimin e strukturave të shtetit. Unë po ndjek me vëmendje, në mënyrë të veçantë atë që po ndodh me administratën publike, që ka qenë mjaft e politizuar. Sigurisht, duke u krijuar shanse të barabarta konform ligjeve në fuqi të gjithë specialistëve, përfshirë edhe ata që janë hedhur në rrugë, unë uroj që kjo qeveri të krijojë bazën për një administratë apolitike, jo militante dhe të bazuar në profesionalizëm e meritë, sikurse kërkohet edhe nga BE.
Kemi ministra të rinj, të cilët nuk kanë shumë përvojë qeverisëse, ndërkohë që deputetë me përvojë të gjatë në qeveri të suksesshme socialiste janë vendosur në pozicione kyçe të komisioneve parlamentare. Do të ketë Grupi Parlamentar socialist një rol mbikëqyrës ndaj qeverisë?
Pa dyshim që ky është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të ndarjes së pushteteve dhe krijimit të hapësirës së domosdoshme që Parlamenti të funksionojë mbi bazën e detyrave të tij kushtetuese. Sigurisht, kolegët tanë ministra (ka nga ata që kanë pasur përvoja qeverisëse), nuk mund t’i drejtojnë ministritë pa stafe të kualifikuara. Besoj se e kanë në vëmendjen e tyre krijimin e ekipeve me përvojë, me stafe këshillimore të përbërë nga njerëz me përvojë dhe ekspertizë. Përvoja nuk mund të neglizhohet. PS dhe aleatët në qeverisje kanë ofruar model pozitiv në qeverisjen e 1997-s, kur vendin paraardhësit tanë e patën çuar në greminën jo vetëm financiare, por edhe institucionale. Në vitin 2005 lamë një vend në dyert e Europës, me 97% të negociatave të MSA-së të përfunduara, një qeveri me projekte dhe programe të hartuara. Kjo përvojë nuk mund të injorohet. Fakti që politikanët më me përvojë, ish-ministra dhe ish-kryeministra, kanë një rol shumë të rëndësishëm në Parlament, besoj që e bën qeverisjen më të fortë, në kuptimin e një bashkëpunimi lidhur jo vetëm me procesin legjislativ. Ajo që ka munguar në parlamentet e kaluara do të jetë që vetë maxhoranca do të jetë në pozita monitoruese dhe mbikëqyrëse të qeverisë, sipas detyrave që deputetët kanë në komisione parlamentare, në përmbushje të detyrave tona kushtetuese…
Panorama
Add new comment