Cefa prezanton kreun e ri të Gjykatës së Pukës: Bindni njerëzit që drejtësia nuk është ajo e videos

Nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa, ka prezantuar sot në Pukë kreun e ri të kësaj gjykate. Pak ditë pas shkarkimit të Shtjefën Lleshit, pas shfaqjes së videos së korrupsionit në Fiks Fare, Lleshi është zëvendësuar në detyrë nga kryetari i komanduar Bib Ndreca.
Gjatë prezantimit ishin të pranishëm, kryetari i Bashkisë Pukë, Beqir Arifaj; nënprefekti Marash Kola dhe drejtuesi i Prokurorisë së këtij rrethi, Albert Muça.
Në emër të KLD, zëvendëskryetari Elvis Çefa i kërkoi trupës gjyqësore dhe stafit administrativ të Gjykatës së Pukës të punojnë me përkushtim dhe përgjegjshmëri për t’i provuar komunitetit se drejtësia nuk është ajo e shfaqur në skandalin e transmetuar në televizion.
“Do të ishte skandal i vërtetë dhe e papranueshme nëse gjykata konceptohet si një vend ku shkohet për të paguar. Trupa gjyqësore dhe stafi administrativ i kësaj gjykate ka një barrë të rëndë mbi supe! Ju duhet të punoni fort dhe me shumë përkushtim dhe të bindni qytetarët këtu se drejtësia nuk është ajo që ata parë në skandalin e transmetuar në televizion. Kam bindjen se gjyqtarët nën drejtimin e kryetarit të ri, i cili gëzon besimin unanim të KLD, do të dinë që me punën e tyre t’i tregojnë komunitetit të Pukës dhe mbarë opinionit publik shqiptar se Gjykata nuk funksionon siç u paraqit nga videoja e transmetuar. Po kështu edhe Prokuroria duhet të hetojë dhe të zbardhë sa më shpejt dhe në mënyrë objektive ngjarjen e ndodhur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë në mënyrë që përgjegjësit të përballen me ligjin”, u shpreh Çefa.
Dita
Add new comment