Byroja Kombëtare e Hetimit do të hetojë korrupsionin, vrasjet dhe bandat kriminale

Drafti paraprak: Drejtoria, varësi nga Drejtori i Policisë së Shtetit
Drejtimi
Ministria e Brendshme pohon se deri më tani është përjashtuar mundësia që kjo strukturë të varet nga Kryeministri apo ministri i Brendshëm, pasi në këtë mënyrë, çdo hetim, apo arrestim, mund të konsiderohej si politik
Varësia
Është propozuar që kjo agjenci të ketë kompetencë në të gjithë territorin. Madje, do të ketë struktura në çdo drejtori të policisë në qarqe, të cilat nuk do të varen nga drejtori i qarkut, por nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Hetimet
Ndarja strukturore e kësaj drejtorie duhet të ruajë drejtimet aktuale të grupuara për luftën kundër krimit ekonomik financiar, korrupsionit, drogës, trafiqeve, terrorizmit, vepra penale që hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda
Sokol Çobo
Një nga strukturat e reja në Policinë e Shtetit do të jetë Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), struktura e së cilës do të përmbysë sërish të gjithë hierarkinë e policisë, pasi do të ketë lëvizje të reja. Kjo strukturë është parashikuar të implementohet në polici në fillim të vitit 2014, ndërsa grupet e interesit kanë filluar prej muajsh punën për të realizuar organigramën dhe drejtuesit e tyre. Varësia e kësaj strukture ende nuk është përcaktuar, por me shumë gjasa BKH do të varet drejtpërdrejt nga drejtori i Policisë së Shtetit. Burime nga Ministria e Brendshme thanë për gazetën Shqip se deri më tani është përjashtuar mundësia që kjo strukturë të varet nga Kryeministri apo ministri i Brendshëm, pasi në këtë mënyrë, çdo hetim, apo arrestim, mund të konsiderohej si politik.
Kompetenca
Burimet nga ministria pohojnë se në tryezën e punës është propozuar që kjo agjenci të ketë kompetencë në të gjithë territorin. Madje, do të ketë struktura në çdo drejtori të policisë në qarqe, të cilat nuk do të varen nga drejtori i qarkut, por nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Pra, fillimi i hetimeve për korrupsion, apo edhe i dosjeve të vjetra të vrasjeve, për shembull në Durrës, do të ndiqet drejtpërdrejt nga drejtori i BKH në Tiranë, dhe jo nga qarku. Ndarja strukturore e kësaj drejtorie duhet të ruajë drejtimet aktuale të grupuara për luftën kundër krimit ekonomik financiar, korrupsionit, drogës, trafiqeve, terrorizmit. Pavarësisht këtij organizimi për efekt të rritjes së efektivitetit dhe eficencës në luftë kundër krimit të organizuar, policia vendore duhet të ketë për detyrë të ndjekë çdo vepër penale të përcaktuar në Kodin Penal. Ndërkohë, do të jetë në kompetencën e kësaj drejtorie dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të vlerësuar dhe bërë veçimin e veprës penale për ndjekje të mëtejshme nga struktura vendore apo nga Drejtoria e Policisë për Krimet e Rënda. Kryerja e këtyre ndryshimeve do të bënte të mundur edhe një funksionim më të mirë të prokurorisë dhe gjykatave për Krime të Renda, me qëllim për rritjen e efektivitetit kundër krimit të organizuar dhe krimeve të renda, si dhe përmirësimin e cilësisë së hetimit e gjykimit të tyre.
Çfarë do hetohet
Në projekt-draftin që po përgatitet nga specialistë të policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, parashikohen të hetohen një sërë veprash penale, që janë kompetencë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ndryshimet e pritshme në ligjin “antimafie” dhe në Kodin e Procedurës Penale do i transferojnë veprat penale në fushën e korrupsionit te Krimet e Rënda. Dhe, në këtë mënyrë, zgjerohen kompetencat e BKH, e cila do të funksionojë në çdo qark. Sipas draftit paraprak, kjo drejtori do të hetojë edhe veprat penale krime kundër njerëzimit, gjenocidin, krimet e luftës. Madje do të hetojë vrasjen në rrethana të tjera cilësuese të deputetit, gjyqtarit, prokurorit etj., gjatë detyrës ose për shkak të saj. “Kjo drejtori do të hetojë edhe vrasje në rrethana të tjera cilësuese, të kallëzuesit, dëshmitarit të të dëmtuarit. Do të hetojë rrëmbimin ose mbajtjen peng të personit, shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë dhe trafikimin e personit”, pohojnë burimet nga ministria. Sipas saj, madje kompetencë do të jetë edhe për rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera, ashtu si edhe trafikimi i femrave, të të miturve. Burimet pohojnë se oficerët e policisë gjyqësore kanë të drejtë të hetojnë edhe atentatin, komplotin, kryengritjen, vepra me qëllime terroriste, financimi i terrorizmit apo edhe fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin. Mësohet se kjo drejtori do të hetojë edhe rekrutimin e personave për kryerjen e veprave me qëllim terrorizmit ose financimit të terrorizmit, stërvitja për kryerjen e veprave me qëllim terrorizmi, krijimi i turmave të armatosura, madje edhe prodhimi i armëve luftarake, organizata terroriste, banda e armatosur, trafikimi i armëve dhe municionit, trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive. Kompetencë do të ketë edhe për trafikimin e narkotikëve, organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale, pastrimi i produkteve të veprës penale, organizata kriminale, grupi i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Lëvizjet e OPGJ-ve
Pas miratimit të strukturës së BKH do të fillohet me rekrutimin e oficerëve të policisë gjyqësore. Pritet që të ketë sërish lëvizje nga radhët e Policisë, ku më të prekurit do të jenë padyshim oficerët e atashuar pranë prokurorive, apo edhe strukturat kriminale në të gjithë vendin. Këtyre oficerëve u suprimohet vendi i punës, ndërsa do të jenë drejtuesit e Byrosë ata të cilët do të vendosin nëse këta hetues do të jenë apo jo pjesë e kësaj drejtorie.
Kjo drejtori do të hetojë vrasjen në rrethana të tjera cilësuese të deputetit, gjyqtarit, prokurorit etj., gjatë detyrës ose për shkak të saj
Struktura
Drafti po përgatitet nga specialistë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme
Përgjimet
Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë akses edhe në përgjimet dhe vëzhgimet, ndërsa do t’i duhet të koordinohet me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, apo me Prokurorinë e Përgjithshme
Ligjet
Mësohet se kjo Byro, pas përfundimit të draftit në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Drejtësisë, pritet të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave
Krimet
Me ngritjen e Byrosë, strukturat e hetimeve të krimit në Policinë e Shtetit, apo në drejtoritë e policive në qarqe pritet që të shkrihen dhe hetuesve t’u suprimohet vendi
Shqip
Add new comment