Buxheti, debati me dyer të mbyllura në Grupin e PS

Postuar në 07 Dhjetor, 2013 03:40

Draft-buxheti për vitin 2014 do të vonohet të paktën edhe 10 ditë, për shkak të negociatave të gjata dhe të detajuara që qeveria po zhvillon me Fondin Ndërkombëtar Monetar. Deputetët socialistë për rreth dy orë janë informuar nga Kryeministri dhe dy ministrat, Ahmetaj dhe Cani, rreth draft-buxhetit të 2014-s, që është cilësuar si një gropë e madhe e trashëguar. Kryeministri Rama u ka sqaruar deputetëve se FMN ka shprehur gatishmërinë të ndihmojë qeverinë shqiptare që të shlyejë të gjithë borxhin që ka ndaj bizneseve që kanë kryer punët publike dhe nuk janë paguar. Por që të disbursohet kjo shumë, e cila nuk është dhënë në shifra nga Kryeministri dje para deputetëve, por që sipas ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, arrin në 240 milionë dollarë, bazuar në auditin e “Deloitte”, duhet që qeveria të përfshijë në buxhetin e saj të 2014-s disa kushte të FMNsë që kanë të bëjnë me uljen e shpenzimeve. Sipas shpjegimeve të Kryeministrit, qeveria synon që me shlyerjen e borxhit të saj ndaj bizneseve, ekonomia do të çlirohet nga ngërçi që e ka zënë për shkak të detyrimeve bankare përmes kredive ku biznesi është përfshirë. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, ka dhënë më shumë hollësi rreth negociatave me FMN-në, të cilat ai i ka quajtur të suksesshme për faktin se qeveria po merr dhe garancinë e këtij institucioni prestigjioz në përpjekjet për rimëkëmbjen e ekonomisë. Vonesat në draft-buxhet, sipas Ahmetajt, janë të lidhura me disa çështje për të cilat FMN këmbëngul se duhet të përfshihen në masat afatgjata. Ndërsa ministri Cani ka sqaruar se situata financiare në vend është shumë e rëndë, duke shtuar se kjo situatë kërkon sakrifica dhe masa shumë të forta në politikën financiare. Kryeministri Rama ka kërkuar që situata të sqarohet me njerëzit për të qenë të drejtpërdrejtë me ta. Por ky propozim i Ramës ka gjetur kundërshti kur disa deputetë kanë thënë se publikimi i kësaj situate të rëndë financiare do të krijonte panik dhe për investitorët e huaj që kërkojmë të sjellim në Shqipëri. Rama ka kërkuar që qytetarët të sqarohen duke u thënë se programi i qeverisë është katërvjeçar, duke synuar që në fund të katër viteve qeverisëse ekonomia shqiptare të ketë një rritje me 4 për qind. Buxheti i ri, sipas Ramës, do të parashikojë disa ndërhyrje të shpejta dhe të tjera që do të kenë efekte pas 4 vitesh.

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.