Bushati: Do ristrukturojmë shërbimin diplomatik, larg gabimeve të së shkuarës

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, thotë se do të ketë një reformë të thellë në shërbimin diplomatik e shkurtim të ambasadave. Në një intervistë për Vizion Plus, Bushati shprehet se është i vendosur në që ristrukturimin e shërbimit diplomatik të mos përsëriten gabimet e qeverisjes së shkuar.
“Pika delikate që ka nevojë për ndryshime është reforma në diplomaci. Do të ketë jo thjesht ndryshim emrash por strukture, pra shkurtim ambasadash. Ky është një proces i komplikuar dhe do të kërkojë kohën e vet, sepse kur bie fjala për diplomacinë, ka disa aktorë dhe disa institucione për sa i përket emërimit të ambasadorëve. Por reforma në shërbimin e jashtëm nuk është thjesht reformë emrash. Është reformë konceptuale. Ne jemi angazhuar për të pasur një racionalizim të prezencës shqiptare në botë, që do të thotë, numri i ambasadave shqiptare në botë duhet të jetë në përputhje me mundësitë që ka shteti shqiptar për t’i financuar dhe mbështetur këto ambasada, si dhe duhet të jetë në përputhje me interesin politik dhe interesin ekonomik që ka sot për sot shteti shqiptar. Do të duhet të jetë në përputhje me aspektet edukative dhe kulturore që duhet të stimulojë shteti shqiptar. Dhe ne po nisemi nga ky kuadër konceptual, për të shkuar më pas drejt racionalizimit, thjeshtëzimit dhe reformimit të shërbimit me jashtë. Natyrisht që ka pasur fenomene të pakëndshme, të cilat personalisht i kam kundërshtuar kur kam qenë në opozitë, dhe kemi një pikëpamje shumë të qartë, që ndahet nga i gjithë kabineti qeverisës, që, gabimet e së shkuarës, së pari duhen adresuar dhe së dyti nuk duhen përsëritur”, shprehet Bushati.
DITA
Add new comment