Bulqizë, ndërpritet greva e urisë së minatorëve pas takimit me zv/ministrin Bejtja

Ndërpritet greva e urisë së 73 minatorëve të Bulqizës, që protestuan ndaj pezullimit të punës që u bë me urdhër të Ministrisë së Energjetikës. Minatorët u takuan sot me zv/ministrin Ilir Bejtja, që udhëtoi drejt Bulqizës për takim me minatorët që sapo kishin hyrë në ditën e tretë të grevës së urisë.
Ai u njoh me kërkesat e tyre, ku kryesorja ishte, pagesa 100% dhe në rast të pezullimit të aktivitetit të firmës që operon në minierë. Sipas minatorëve, pagat që marrin nga puna në minierë u mbajnë frymën gjallë.
Minatorët nuk lejoheshin të hynin prej 2 javësh në galeri pasi ministria evidentoi shkelje dhe moszbatim në rregullat e sigurisë teknike nga ana e 29 kompanive minerare, mes të cilave edhe ACR-së.
Pas takimit me Bejtjan, minatorët kanë rënë dakord për një marrëveshje për pagesën 100%, derisa të niste puna në zonën e galerisë D. Zv.ministri u ka premtuar se shumë shpejt do të nisin punën të gjitha ato firma që u është pezulluar aktiviteti, menjëherë sapo të sigurojnë kushtet teknike të sigurisë në minierat ku ushtrojnë aktivitetin.
Dy ditë më parë ministri i Industrisë, Damian Gjiknuri, prezantoi masat që do merren pas një inspektimi të kryer në zonën krommbajtëse në Bulqizë, nga ku rezultoi se 29 kompani nuk kanë shlyer detyrimet dhe nuk garantojnë kushtet teknike.
Shqip
Add new comment