Bomba makinës së policit nga kolegu i tij, arrestohen dy persona

Një automjet i një efektivi policie të Komisariatit nr 6 në Tiranë që shpërtheu dje me eksploziv ka vënë në lëvizje policinë e Tiranës, efektivët e së cilës kanë arrestuar sot 2 autorët e ngjarjes. Njëri prej të arrestuarve është efektiv policie në komisariatin numër 6 në Tiranë.
Policia e Tiranës bëri me dije se dy persona, njëri prej të cilëve punonjës policie u arrestuan rreth orës 01:30 të ditës së sotme nga Seksioni Kundër Akteve Terroriste dhe Komisariati i Policisë Nr.6 në Tiranë, pasi dyshohet se janë autorët e e vënies së një sasie eksplozivi në automjetin e një tjetër punonjësi policie. Në pranga kanë rënë Renato Kazani, 18 vjeç, banues në Kodër Kamëz, dhe Shaban Lami 52 vjeç, lindur dhe banues në Kamëz Tiranë, me profesion punonjës policie në Komisariatin e policisë Nr.5 Tiranë.
Arrestimi i tyre u krye pasi mbrëmë rreth orës 22:00, në afërsi të rrugës “Petraq Leka” në Kombinat, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vrasin duke vendosur një sasi lëndë eksplozive në automjetin tip “Ford Fiesta” me targa TR 0086 D, një punonjës policie.
Nga hetimi i menjëhershëm i vendit të ngjarjes rezultoi se nga shpërthimi është dëmtuar automjeti i mësipërm, ndërsa punonjësi i policisë arriti t’i shpëtojë shpërthimit dhe nuk ka pësuar dëmtime.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale e “Vrasjes me dashje e punonjësit të policisë së shtetit gjatë detyrës dhe për shkak të saj e kryer në bashkëpunim”.
Mapo
Add new comment