Blushi: Koha që të përcaktohen piketa në politikën e jashtme

Postuar në 09 Nëntor, 2013 03:06

Debate për shkarkimet në administratë dhe për Korçën. Bushati: Kam ambasadorë që shkruajnë poezi për Berishën

Seanca dëgjimore me ministrin e Jashtëm për çështjen e integrimit është kthyer në një përplasje mes mazhorancës dhe opozitës për shkarkimet në administratë, si dhe për zgjedhjet në Korçë. Këto pretendime i ngriti nënkryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme, demokrati Aldo Bumçi, i cili theksoi se BE-ja duhet të njihet me këto vendime të qeverisë “Rama”, si emërimi në krye të Policisë të një personi që ka qenë numërues në zgjedhjet e 23 qershorit. Gjithashtu Bumçi u shpreh se Rama humbi betejën e parë për zgjedhjet e lira në Korçë. Kryekomisionerja Arta Dade ka ndërhyrë, duke i kërkuar Bumçit që çështjet partiake të mos i përziejë me Komisionin e Politikës së Jashtme. “Didi ka kryer detyrën si shtetar, e sa për atë ju e hodhët në mes të rrugës”, tha Dade. Pavarësisht kësaj, Bushati u shpreh se “këtu në sallë shoh të paktën dy persona që kanë qenë komisionerë me PD-në. Kam ambasador që kanë shkruar poezi për udhëheqësin e madh dhe të pagabueshëm, si dhe ambasador që janë për ndjekje penale. Zoti Bumçi i di këto”. Për çështjen e zgjedhjeve foli dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. “Opozita dhe pozita duhet të jenë pro asaj që Shqipëria ka nevojë për një administratë më profesionale, të pakorruptuar. Kjo është ajo që do Brukseli. Ndërsa perceptimi i publikut për çështjen e korrupsionit në drejtësi është ku thërret qameti. Të vijmë këtu në komision e të trajtojmë çështje siç është Korça, më falni, por nuk mund të bëhet Korça një kauzë politike, ashtu siç nuk mund të bëhet Korça për të justifikuar humbjen e thellë në Korçë. Deputeti socialist, Ben Blushi, në fjalën e tij u shpreh për nevojën e përcaktimit të piketave të politikës së jashtme. “Qeveria e Shqipërisë ndryshoi, politika e jashtme mbeti po e njëjtë. Ka ardhur koha që Shqipëria të përcaktojë disa piketa në politikën e jashtme. Politika jonë e jashtme duhet të ketë prioritet në një të ardhme të shkurtër, diplomacinë ekonomike. Nuk është bërë asgjë edhe në këto 20 vite për këtë. Çfarë qasje ka qeveria për të reformuar shërbimin diplomatik, sepse shërbimi diplomatik shqiptar për aq sa kam njohur në të gjitha kohërat është i dobët. Nëse ka një emergjencë kombëtare është sigurisht rregullimi i shërbimit diplomatik, përcaktimi i disa kritereve se kush duhet të punojë dhe kush nuk duhet të punojë”, tha Blushi. Sa i përket integrimit, kryediplomati Bushati theksoi se Greqia dhe Italia janë në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në BE, pro marrjes së statusit të vendit kandidat. “Shqipëria do të duhet të ketë një ritëm dhe një cilësi reformash jashtëzakonisht të larta. Kjo nuk ka të bëjë me paragjykimet për Ballkanin Perëndimor, por BE-ja ka nxjerrë mësime nga procesi i zgjerimit, i përsos teknikat dhe kërkesat më të larta janë për të pasur reforma më cilësore nga ana jonë. Nga kontaktet me vendet anëtare ekziston paraprakisht një dashamirësi në lidhje me rrugën europiane të Shqipërisë dhe këtë hap konkret, që është e pasqyruar në vlerësimin objektiv dhe rekomandimin e qartë që ka bërë BE-ja, flitet për një proces paqësor të rotacionit të pushtetit që Shqipëria përjetoi këtë vit”, tha Bushati.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.