Berisha: Epidemi gjobash, me moton “gjobë me pre”. Tahiri: Nuk i pëlqen që nuk ka më imunitarë, të paprekshëm

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si tipar të shtetit policor të neobllokmenit Edvin Raman aksionin për vendosjen e gjobave ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugorë.
Sipas Berishës, qytetarët po gjobiten në kundërshtim me ligjet për të plotësuar planin që kryekreu, Edi Rama, ka vendosur për të mbuluar shpenzimet e Policisë së Shtetit me paratë që u grabit qytetarëve për automjetet e tyre. “Të dashur miq, prej më se dy muajve, në Shqipëri, mijëra e mijëra qytetarë gdhijnë në mëngjes të gjobitur nga skuadra të policisë partiake socialiste, madje pa asnjë dokument të firmosur nga inspektor policie por thjeshtë me shpalljen e emrit në faqen zyrtare të të gjobiturve të Policisë Rrugore. Kjo sepse ata gjobiten në kundërshtim me ligjet dhe vetëm e vetëm se duhet të plotësojnë planin që kryekreu Edi Rama ka vendosur për të mbuluar shpenzimet e Policisë së Shtetit me paratë që u grabit qytetarëve për automjetet e tyre”,- shkruan Berisha në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Sipas Berishës, zanafillën kjo epidemi e ka që kur Kryeministri bëri paqe dhe vuri në kontroll për hesap të tij Lojrat e Fatit, me të ardhurat e të cilave ishte zotuar se do të ndihmonte Policinë. “Kjo epidemi gjobash, me moton “gjobë me pre”, nisi mbasi Rama bëri paqe dhe vuri në kontroll për hesap të tij Lojrat e Fatit, me të ardhurat e të cilave ishte zotuar se do të ndihmonte Policinë. Në serinë e pafundme të gjobave, mediat kanë raportuar gjoba të vendosura për të gjallë dhe për të vdekur, për emigrantë që kanë një dekadë pa ardhur në Shqipëri.
Janë raportuar gjoba për automjete që ende nuk kanë filluar të qarkullojnë, gjoba për kundravajtje qarkullimi në zona që automjeti nuk ka qenë kurrë, gjoba që klonohen, pjellin gjoba bija për të njëjtën kundravajtje” thekson ai. Në përfundim Berisha nuk harron të bëjë bashkëfajtor në gjithë këtë histori edhe aleatin qeverisës të Ramës, Ilir Meta. “Pas vendosjes së gjobës nis kalvari i pasgjobitjes, ai i pagesës së gjobës në të cilin qytetarët, në rradhë të gjata, humbasin jo orë por edhe ditë.
Për të realizuar këtë skenar kryegjobvënësi Rama se pari shkriu Policinë Rrugore dhe e zëvendësoi me militant hajdut të PS. Së dyti prishën sistemin e radarëve dhe fotografimit, me të cilin Policia faktonte kundravajtjen e qytetarit. Epidemia e gjobave është një plaçkitje masive e qytetarëve nga shteti policor i neobllokmenit Edvin Rama dhe bashkryetarit të tij Meta”, shkruan Berisha.
Reagimi i Tahirit
Pas deklaratës së Berishës, ka reaguar ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai i është përgjigjur akuzave të Berishës në rrjetin social “Facebook” dhe nuk ka kursyer ironinë ndaj tij.
“Kryetar i partisë pa kryetar, deputet Saliu, paska shfryrë sot kundër Policisë së Shtetit. Është ajo doza ditore e qelbit që i rrjedh nga plaga e pashëruar. Tamam si ata që nuk shërohen dot duke mësuar se nuk ua fërshëllen më njeri. Nuk binden se historia të lë dhe mbrapa. Mirë që nuk bëri gjë të mirë për Policisë e Shtetit kur ishte KryeM, por as thotë gjë të mirë tani që Policia e Shtetit po rivendos rendin duke luftuar krimin e paligjshmërinë që vetë ky katandisi në gjendjen skandaloze që gjetëm”, shkruan Tahiri.
Sipas tij Berisha nuk arrin të vlerësojë se niveli i kriminaliteti është përgjysmuar dhe janë ulur ndjeshëm aksidentet rrugore me pasojë vdekjen. “Por mbi të gjitha, nuk i pëlqen që nuk ka më imunitarë, të paprekshëm. Policia e Shtetit ka hapur një kapitull të ri, për tu shdërruar së shpejti në Policinë moderne të Shekullit të Ri. Deputet Saliu, të kuptoj.
Dhimbje e madhe duhet të jetë të shohësh si ke humbur kohën duke mos bërë gjë, madje duke bërë keq e shkatërruar, kur kishe mundësi të bëjë mirë e të ndërtoje. E mbi të gjitha, akoma më shumë dhimbje të shohësh se gjërat bëhen vërtetë, duke të të lënë ty mbrapa. Ke marrë dënimin qe kërkove, të të lërë pas shoqëria, njerëzit, koha. Dënimi më i keq, por që e meritove”, përfundon Tahiri. 9 janar 2014 (gazeta-Shqip.com)
SHQIP
Add new comment