Berat, arrestohet 34-vjecari. Doli para gjykatës në vend të të vëllait

BERAT - Një 34-vjeçar është arrestuar sot në sallën e gjyqit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Berat. Klodian Lazaj, banues në fshatin Suk të Fierit, ka hyrë në një seancë gjyqësore në ngarkim të vëllait të tij, Blerdi Lazaj, duke përdorur identitetin e këtij të fundit.
I pajisur me dokumentet e identifikimit të vëllait, Klodiani është paraqitur në gjykatë për t’u përballur me akuzën e “Mashtrimit dhe Falsifikimit të Akteve të Gjendjes Civile”. Kjo akuzë në Gjykatën e Beratit ishte në ngarkim të Blerdi Lazjat, dhe po gjykohej në mungesë të këtij shtetasi.
Ai është futur në sallën e gjyqit, pasi janë zhvilluar me parë dy seanca në mungesë. Çdo gjë ka nisur normalisht deri në momentin trupa gjyqësore i kërkoi të paraqiste kartën e identitetit, nëpërmjet të cilës trupi gjykues dhe prokurori i çështjes zbuluan se nuk kishin të bënin me personin i cili ishte në gjykim.
Këta të fundit menjëherë kanë njoftuar policinë, e cila ka arrestuar nga salla e gjyqit Kloidian Lazajn. Pas marrjes në pyetje, ai ka deklaruar se është i vëllai i Blerdit dhe se ishte paraqitur në gjyq për shkak të pamundësisë së vëllait të tij, pasi ky i fundit ndodhet jashtë shtetit.
Tashmë 34-vjeçari, Klodjan Lazaj do të përballet përsëri me togat e zeza të Gjykatës së Beratit, por këtë herë jo për t’u përballur me akuzën e të vëllait, por me akuzën në ngarkim të tij, atë të “Dëshmisë së rremë”, përmes një identiteti të rremë.
Add new comment