"Belle Air" shpalli falimentin, shiti biletat deri në mars 2014

Mbi 20 fluturime të anuluara brenda ditës për në Malpensa, Ankona, Romë, Trieste, por dhe linja të tjera fluturimi me Greqinë. Kaos në Aeroportin e Rinasit, por edhe në Itali 200 pasagjerë janë bllokuar në pritje të gjetjes seë zgjidhjes për udhëtimet e tyre të pronotuara. Ndërkaq, janë qindra bileta të prera deri në mars të vitit të ardhshëm. Qytetarët e gjendur të braktisur në aeroporte duhet të shtojnë 60 euro për biletën udhëtimit me një avion tjetër, për të mbërritur në destinacion.
Ndërkohë që kompania i detyrohet shtetit 4. 8 milionë euro detyrime të papaguara, klientët nuk janë informuar për falimentin. Përmes një njoftimi formal kompania ka deklaruar falimentin, madje i është drejtuar edhe gjykatës për ta formalizuar aktin, por pasagjerët që janë bllokuar në aeroporte dhe ata që presin të udhëtojnë me bileta të pronotuara deri në mars të vitit të ardhshëm, nuk kanë marrë asnjë shpjegim për kaosin me të cilën janë përballur.
I diktuar nga situata Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, pohon se dje është njohur me një deklarate te kompanisë ajrore Belle Air, sipas të cilës, ajo është e detyruar të pezulloje përkohësisht fluturimet, duke renditur si arsye situatën e përgjithshme ekonomike, rënien e fuqisë blerëse, recesionin në tregjet kryesore, si dhe bllokimin e llogarive bankare të saj. Në lidhje me këtë të fundit ministri Haxhinasto ka sqaruar klientët e kompanisë, por edhe gjithë opinimin se asnjë llogari e kompanisë nuk është e bllokuar. “Ajo që ka ndodhur është një situate e krijuar nga keqmanaxhimi i kësaj kompanie, nga mungesa e theksuar e transparencës dhe mosplotësimi i vazhdueshëm i detyrimeve ndaj organeve shtetërore, ndonëse është në një situatë të privilegjuar në tregun e aviacionit, duke kontrolluar mbi 50 % të tij. Mbështetja dhe fleksibiliteti ndaj kompanisë “Belle Air” nga institucionet shtetërore kanë qene maksimale. Kompania “Belle Air” ka një detyrim të hershem ndaj organeve tatimore dhe pavarësisht prej kësaj, janë bërë përpjekjet maksimale për të evituar ditën kur kjo kompani të mos ishte e aftë të realizonte detyrimet ndaj qytetareve dhe për këtë u arrit një marrëveshje nga autoritetet tatimore dhe vetë kompanisë “Belle Air”, me qellim që të ristrukturohej detyrimi i saj dhe ajo të operonte normalisht ne treg”-deklaroi Haxhinasot. Sipas tij institucioni përgjegjës për Aviacionin Civil, AAC dhe Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës, janë duke bërë përpjekjet ligjore për të lehtësuar këtë kompani të realizojë detyrimin që pasagjerët të udhëtojnë në destinacionet e tyre.
Pezullimi i fluturimeve
Kompania ajrore “Belle Air” bëri të ditur se pezullon përkohësisht fluturimet e saj për shkak të situatës ekonomike, "Pas tetë vjet operimesh të suksesshme nga Shqipëria drejt destinacioneve evropiane dhe anasjelltas, kompania 'Belle Air' është detyruar të pezullojë përkohësisht fluturimet e saj. Arsyet që na çuan në këtë pezullim janë situata e përgjithshme ekonomike, rënia e fuqisë blerëse, recesioni në tregjet kryesore ku operojmë, si edhe bllokimi prej më se 18 ditësh i të gjitha llogarive bankare të kompanisë Belle Air”, bën te ditur kompania. Ndërkohë që u sugjeron pasagjerëve një kompani tjetër fluturimesh, të për të cilën qytetarët duhet të paguajnë 60 euro shtesë dhe të presin kur ajo të ketë vende bosh për destinacionet që pasagjerët e kompanisë së falimentuar janë të interesuar.
Protestë në aeroport
Pas kaosit të krijuar në aeroporti pasagjerët e “Belle Air” rreth 600 persona prej mbrëmjes të së dielës nuk po gjejnë një rrugëdalje për të shkuar në destinacion në shenjë revolte ata kanë tentuar të bllokojnë “Chekin”. Pasagjerët pohojnë se kanë pronotuar biletat që në muajin shtator dhe deri në orarin e fluturimit kanë janë në dijeni për problemet që kishte kompania. Sipas udhëtarëve, pas mesnatës atyre u ka mbërritur një SMS, që i ka njoftuar për pamundësinë për të udhëtuar me linjën e "Belle Air" dhe se kundrejt një pagesë shtesë prej 60 eurosh, mund të realizohej udhëtimi përmes një tjetër kompanie. Por deri në këto momente nuk ka patur asnjë reagim tjetër, në rast se këta udhëtarë do të mund të largohen nga Shqipëria apo jo. Burime pranë aeroportit bëjnë me dije se u kanë kërkuar qytetarëve të ruajnë qetësinë, pasi shpejt do të gjendet një zgjidhje për ta.
Ahmetaj: Kompania u keqmenaxhua
Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes flet për arsyet, që sipas Qeverisë shqiptare, çuan në këtë situatë kompaninë e fluturimeve 'Belle Air'. "Kompania `Belle Air` ka vetëmbërritur në këtë situatë. Qeveria ka qenë shumë fleksibël me situatën e vështirë ekonomike që ka patur vetë kompania, madje disa herë jemi mbledhur me ministrin e Financave, me ministrin e Transportit, nën porosinë e Kryeministër për të afruar fleksibilitet maksimal ndaj kompanisë, e cila ka një periudhë shumë të gjatë pa likuiditete. Nga informacionet e para, edhe sipërfaqësore, dukej që kishte një keqmenaxhim fondesh, sepse një kompani e cila ka patur 115 milionë euro qarkullim, mbetet papritur pa para dhe kjo ka qenë edhe pyetje e drejtpërdrejtë që Qeveria i ka bërë menaxhimit të kompanisë, se cila është arsyeja që kompania nuk ka para në llogaritë e veta. Gjëja e parë që të vjen ndërmend, nëpërmjet edhe informacioneve që marrim drejtpërdrejt duke iu referuar bilanceve të tyre, rezulton që kompania ka bërë investime të këqija jashtë vendit. Ka vend për një hetim për të parë se ku janë devijuar fondet", thotë ministri Ahmetaj. Ministri Ahmetaj tregon hapat e ndërmarrë prej tij dhe kolegëve ministra për ta zgjidhur këtë situatë ku ishte futur kjo kompani. "Qeveria u tregua shumë fleksibël. Unë personalisht i kërkova bankave zyrtarisht në prezencë të kompanisë që t'i ofronin ndihmë "Belle Air", për t'i ristrukturuar borxhin që kompania ka ndaj bankave dhe sigurisht dhe borxhin në kohë që kompania ka ndaj buxhetit, ndaj administratave tatimore për shkak të mospagimit të taksave dhe të tarifave", tha Ahmetaj. “Ka qenë një moment kur administrata tatimore në bazë të ligjit i bllokoi përkohësisht në një periudhë dyditore, sepse kompania `Belle Air` rezultonte që mos kishte paguar taksat dhe tarifat me një shumë prej 4.8 milionë eurosh, shuma të pranuara dhe nga kompania, qoftë në komunikim me administratat tatimore, qoftë edhe në komunikim publik apo në komunikim me institucionet e tjera të Qeverisë. Ky ishte edhe shqetësimi kryesor që kishte dhe ka Qeveria. Është abuzim nga ana e kompanisë, që duke ditur se nuk do të arrinte të përmbushte dot detyrimet e veta, qoftë ndërkombëtare, qoftë kombëtare, qoftë fiskale të vazhdonte të pranonte rezervime. ", tha Ahmetaj.
Shekulli
Add new comment