BE, samit për terrorizmin, ministrat e jashtëm diskutojnë gjendjen pas sulmeve

Vala e sulmeve të fundit mbledh sot në një takim ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian, boshtin e të cilit e përbën kërcënimi i terrorizmit në Kontinentin e Vjetër.
Europa është në gjendje alarmi pas komplotit të dështuar për vrasjen e policëve në Belgjikë e masakrave në Paris që lanë 17 të vdekur. Krerët e demokracive të 28 vendeve anëtare të bllokut do të përqendrohen tek shqetësimet që rrethojnë sidomos kthimin e europianëve të radikalizuar, të cilët kanë luftuar në Irak e Siri.
Në këtë takim nuk do të merren vendime, por do të diskutohen një sërë mundësish reagimi të cilat do të shërbejnë si përgatitje për samitin e posaçëm të terrorizmit i cili mbahet muajin që vjen. Bisedimet mbi ISIS-in do të zhvillohen në Londër e Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, e ka konfirmuar tashmë pjesëmarrjen e tij në atë event. Mbledhja e anëtarëve të koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara do të fokusohet tek përpjekjet e përbashkëta për goditjen dhe mposhtjen e grupit ekstremist.
Sa për takimin e sotëm, ai vjen në vazhdën e operaioneve të anti-terrorit në Belgjikë, Francë e Gjermani që çuan në më shumë se 20 arrestime. Belgjika pritet t’i kërkojë Greqisë ekstradimin e një të dyshuari të arrestuar atje për lidhje të mundshme me komplotistët islamikë. Nuk dihet ende me siguri nëse personi i kërkuar prej autoriteteve belge është Abdelhamid Abaaoud, sipas gjasave lideri i celulës që përgatitej të ekzekuonte efektivë policie nëpër rrugë apo komisariate.
Sipas të dhënave të deritanishme nga burime zyrtare e jo vetëm, numrin më të madh të luftëtarëve të huaj europiane që kanë shkuar të luftojnë në Irak e Siri e ka Franca me rreth 1.400.
Pas saj vijnë Britania dhe Gjermania me 600, Belgjika me 350, Suedia me 300 e në vijim me numër më të reduktuar luftëtarësh rreshtohen Holanda, Kosova, Danimarka, Spanja, Norvegjia, Irlanda, Finlanda dhe në fund Zvicra.
Shefat e diplomacive europiane do të kenë sot në vëmendje edhe marrëdhëniet e BE-së me Rusinë. Ministrat do të përpiqen të fashisin hendekun e thellë mes qeverive europiane përsa i takon mënyrës sesi do të reagohet lidhur me veprimet e Moskës në Ukrainë.
Një draft paraprak i cili ka rënë në duart e medias, tregon se kryediplomatëve do t’iu kërkohet të marrin në konsideratë elementë për një riafrim gradual dhe selektiv me Rusinë për shkak të shqetësimeve më të mëdha të momentit, ndër të cilat dhe ISIS-i, por kritikët këmbëngulin se kjo nuk duhet të ndodhë, pasi rrezikon të dërgojë mesazhin e gabuar.
/ Top Channel
Add new comment