Basha: Vetëm mendja e Ramës mund të guxojë e të ndërtojë antiamerikanizëm

Kreu i opozitës Lulzim Basha i është rikthyer akuzave ndaj kryeministrit Edi Rama për çështjen e armëve kimike të Sirisë. Gjatë mbledhjes së grupit kuvendor demokrat, Basha ka theksuar se vendimi i Ramës për tu tërhequr nga pranimi i armëve kimike ishte rezultat i vendimarrjen e njëhsuar të protestuesve shqiptarë, të Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi.
“Përballë këtij qëndrimi të njëhsuar, Edi Rama u detyrua të hiqte dorë nga ëndrra e tij për përfitime ngushtësisht personale, nga trajtimi i territorit të vendit si pronë private, nga konsiderimi i njerëzve të lirë të këtij vendi si vegla qorre që duhet të pranojnë në mënyrë të verbër arbitraritetin, si mënyra e tij e të menduarit dhe të drejtuarit në demokraci”, tha Basha. Ai ka mbështetur dhe falënderuar deputetët demokratë për qëndrimin e mbajtur në Kuvend, që sipas tij ishte në anën e vlerave të demokracisë perëndimore euro-amerikane dhe në anën e transparencës dhe të të drejtave të qytetarëve.
“Duke u mbyllur në heshtjen e tij, në kulisat e tij dhe në të ashtuquajturin “ sekret” të tij për armët kimike, sekret të cilin Edi Rama po e mbante vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë, sekret që në fakt po rridhte në të gjitha mediat e botës, Edi Rama kishte për qëllim ta vinte vendin para faktit të kryer, gjë që do ta kishte ndërlikuar më tej zgjidhjen e problemit. Qëndrimet tona si opozitë e bënë akoma më të pamundur qëllimin në fjalë. I mbeti një shans: dalja me transparencë nga afera e errët që kurdisi vetë, duke reflektuar mbi gabimet e tij trashanike, mbi sjelljen e tij jo si politikan i përgjegjshëm, jo si socialist europian, jo si burrë shteti, në të gjithë procesin e menaxhimit politik, publik dhe diplomatik të çështjes.
E pamë të gjithë, si doli! I prishur në fytyrë, duke shfryrë e duke sharë më një gjuhë të çakërdisur opozitën, median e lirë, të parë e të mbramë, që i prenë ëndrrën, që nuk i mbajtën ison”, tha Basha. Sipas kreu demokrat, vetëm Rama mund të guxojë e të ndërtojë antiamerikanizëm, pasi protestat e të rinjve ishte amerikane. “Amerikan ishte qëndrimi i opozitës që nuk lejoi talljen në Parlament, të mazhorancës dhe vendosi që kauza e qytetarëve, të ishte çështja e ditës, amerikan ishte qëndrimi i medias dhe shoqërisë civile që me profesionalizëm dhe përkushtim pasqyruan ngjarjen nga fillimi deri në fund.
Vetëm mendja e tij mund të guxojë e të ndërtojë antiamerikanizëm, me vlerat e vetë demokracisë amerikane; vetëm mendja e tij alogjike gjen armiq, kur në një anë del e thotë nuk kemi kapacitete për t’i marrë lëndët kimike, në anën tjetër kërkon fajtorë tek protestuesit, tek opozita, tek media e lire e të tjerë me radhë.
Me arbitraritetin e tij si kryeministër, Edi Rama e ka fyer miqësinë e vjetër e të thellë të vendit tonë me SHBA, por nuk e ka cënuar, nuk e ka dëmtuar e s’mund ta dëmtojë.
Askush nuk ka force ta bëjë ketë! Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA janë të mbështetura në vlerat e bashkendashme të demokracisë dhe kauzës për një botë më të sigurt e më në paqe, ku ne luajmë e do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë. Shqipëria është e do të mbetet vendi më proamerikan në Europë dhe kjo është vendosur në shpirtin e lirë, në shpirtin mirënjohës të një kombi të tërë”, u shpreh Basha.
Shqip
Add new comment