Basha: Shpronësimi i pallatit rrëzon alibinë e qeverisë se është i paligjshëm

Postuar në 06 Dhjetor, 2013 17:33

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, komentoi mbrëmë në emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare edhe çështjen me debatuese të ditëve të fundit, që lidhet me prishjen e kompleksit “Jon” në Vlorë. “Pyetja që do t’ju bëja është: a është i ligjshëm një vendim që merr qeveria, kur vendos të shpronësojë një objekt që pretendon se është i paligjshëm? Apo kemi të bëjmë me dy linja të qeverisë. Me letra, shteti pranon që çdo metër katror i këtij ndërtimi duhet të shpronësohet…por në fakt shteti po flet me dy gjuhë; ka vendosur të shpronësojë çdo metër katror të këtij objekti, dhe nga ana tjetër pretendon se ndërtimi ka paligjshmëri. Ose ndërtimi ka paligjshmëri, ose ndërtimi shpronësohet. Këta kanë vendosur që të shpronësohet dhe bie çdo alibi që ndërtimi ka paligjshmëri nga ana e zhvilluesve…”, tha ai. Sipas tij, veprimi i qeverisë në këtë rast ka qenë selektiv. “Ky objekt, si cilido objekt i ligjshëm, ka një dokumentacion…Rëndësi ka që është zbatuar ligji dhe siç ju thashë, vendimi i Këshillit të Ministrave që shpronëson çdo metër katror të këtij ndërtimi hedh poshtë çdo pretendim dhe zbulon natyrën demagogjike të pretendimeve të tjera. Por siç e keni vënë re, pikërisht për faktin se vjehrri im është një nga zhvilluesit e këtij ndërtimi me leje, tashmë të shpronësuar me vendim qeverie si një ndërtim me leje, unë kam hezituar të shprehem në rrafshin politik, natyrisht veprimi ia bën qartë që është një veprim selektiv”,  -shtoi ai. Basha u pyet mbrëmë edhe për telefonatën e zhvilluar me ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu, sipas të cilit, kryetari i PD-së i kishte premtuar se nuk do të kalonte vijën e kuqe lidhur me qëndrimin për armët kimike. ”…Biseda telefonike me ambasadorin amerikan ka qenë për protestën e votës në Korçë, që ka zgjatur 1 minutë e 40 sekonda dhe do të ishte absurde besoj të pretendohej që në një bisedë telefonike prej një minutë e 40 sekondash të shkëmbehej çfarëdo informacioni zyrtar për një çështje që ishte e një karakteri kaq të rëndësishëm për partnerët tanë… Edhe një herë, në asnjë çast, asnjë komunikim zyrtar për çështjen në fjalë. Telefonata ka qenë për protestën e Korçës. Në mënyrën absolute, jo. Dhe vija e kuqe ishte për protestën e Korçës… PD-ja nën udhëheqjen time nuk do të shkelë asnjëherë atë vijë të kuqe. Protestat tona do të jenë gjithmonë paqësore”, – tha ai. Kryetari i opozitës deklaroi gjithashtu se procesi i analizës në PD do të fillojë brenda pak ditëve dhe do të ecë paralelisht me zgjedhjen e strukturave të degëve. Ky proces, sipas Bashës, mund të shkojë deri në dy muaj e gjysmë, ndërsa garantoi se strukturat do të jenë gati për zgjedhjet e ardhshme lokale. Sa i përket ndryshimeve në statut, Basha tha se për këtë çështje rëndësi do të ketë anëtarësia përmes votës së saj. Ai shtoi gjithashtu se ka qenë kryetar i PD-së që në momentin që është zgjedhur në këtë detyrë, duke marrë përgjegjësitë e plota në këtë drejtim.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.