atimet zbulojnë një tjetër skemë mashtrimi/ Mblidhen 12 milionë USD më shumë se muaji i kaluar

Postuar në 05 Nëntor, 2013 16:07

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj, në një konferencë për shtyp ka bërë të ditur se përgjatë muajit tetor janë mbledhur 12 milion USD më shumë se një muaj më parë.

“Për muajin tetor, administrata tatimore ka realizuar planin e mbledhjes së të ardhurave dhe të kontributeve të sigurime shoqërore në masën 106%, krahasuar me planin e qeverisë së mëparshme.

Ne arritëm që të mblidhnim 12 milionë dollarë më shumë se muaji shtator i këtij viti.

Të ardhura tatimore janë grumbulluar 756 milionë lekë më shumë krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, ku rëndësi të veçantë zë TVSH-ja, me 61 milionë lekë më shumë dhe të ardhurat personale me rreth 17% më shumë.

Kontributet e sigurimeve shoqërore janë në realizimin më të mire krahasuar edhe me periudhat e tjera të po këtij viti, por me 6% (ose 323 milionë lekë) më shumë krahasuar me tetorin e vitit të kaluar.

Këto të ardhura po zvogëlojnë gropën e zezë të gjetur në administratën tatimore, ku mbizotëronte presioni ndaj bizneseve, zhvatja dhe akte korruptive në dëm të qytetarëve, bizneseve dhe shoqërisë sonë.

Kjo rritje prej rreth 9% e krahasuar me vitin e kaluar, tregon frymën e re të administrimit që kemi vendosur, duke u mbështetur tek goditja e fortë e sjelljeve korruptive apo skemave mashtruese sikundër ju kemi njoftuar gjatë këtij muaji,” tha Shehaj.

Sipas saj, zbulimi i një tjetër skeme të evazionit fiskal ka rritur të ardhurat në administratën tatimore.

Vlera e evazionit fiskal e ardhur si pasojë e shmangies së deklarimit dhe pagesës së tatimeve vlerësohet 295 milionë lekë.

“Përveç zbulimit të skemës mashtruese të rimbursimit të TVSH-së me vlerë prej 515 milionë lekësh, kemi arritur të zbulojmë edhe një vlere të evazionit fiskal në masën prej rreth 295 milionë lekësh, kryesisht shmangie nga detyrimi për të deklaruar dhe paguar tatimet apo skema karusel të TVSH-së.

Të gjitha këto zbulime janë kryer në bazë të auditeve, të cilat vazhdojnë në çdo drejtori rajonale. Dua të falenderoj dhe biznesin, i cili ka qenë shumë bashkëpunues në zbulimin e këtyre skemave.

Po punojmë që të rrisim dhe forcojmë bashkëpunimin me institucionet e tjera të shtetit shqiptar që ky dëm të kthehet deri në qindarkën e fundit në arkën e shtetit.

Gjithashtu po punojmë për të rritur edhe më shumë performancën e administratës në grumbullimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Ky rezultat është fillimi i një periudhe të re në administrimin fiskale ku qëllimi kryesor mbetet shërbimi ndaj bizneseve dhe goditja e ashpër ndaj korrupsionit,” theksoi Shehaj./ep

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.