Athina: Synojmë të zbatohet marrëveshja për kufijtë detarë

Postuar në 11 Korrik, 2012 00:55

“Mbështesim me vendosmëri perspektivën europiane të Shqipërisë, ndërsa Greqia mbetet investitori më i madh i huaj në vend dhe partneri i dytë më i rëndësishëm tregtar”, theksoi ministri i Jashtëm Dimitris Avramopoulos, në parlamentin grek. 

“Bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve mund të përbëjë një pikënisje zhvillimi dhe prosperiteti, ndërsa faktorë të rëndësishëm në këtë përpjekje janë minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi”, shtoi ai. 

Avramopoulos tha se në të ardhmen Athina do të synojë implementimin e marrëveshjes për kufirin detar midis të dy vendeve, që ka ngrirë për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. 

Për Serbinë, ministri i Jashtëm grek tha se shpreson që të ruajë dhe forcojë orientimin proeuropian. “Vendi ynë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërkaq mban një qëndrim konstruktiv dhe inkurajon çdo iniciativë që synon kapërcimin e problemeve të së kaluarës dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët europiane, për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ministri i jashtëm grek. 

Duke iu referuar marrëdhënieve me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Avramopulos tha se çështja e emrit “nuk është thjesht mosmarrëveshje për ngjarje historike apo simbole, që sigurisht kanë vlerë, por është çështje e së drejtës ndërkombëtare”. “Greqia ka bërë një kompromis tepër të madh, duke pranuar një emër të përbërë, me referencë gjeografike dhe që përdoret kundrejt të gjithëve. Mirëpo udhëheqja e sotme e Shkupit, ka rrëshqitur në një intrasigjencë dhe retorikë që kap kufijtë e folklorit, duke shkaktuar pikëpyetje, të cilave arsyeja e ka të vështirë t’u përgjigjet, duke rënduar klimën e marrëdhënieve tona dypalëshe”, vërejti ministri i jashtëm grek, duke uruar “që në vendin fqinj të dominojnë zërat e konsensusit dhe të arsyes”. 

 

Ballkanweb.com

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.