Arvizu: 80% e asaj çka po dëgjoni në TV është dezinformim! Do zhgënjeheshim nëse Rama thotë JO

Postuar në 15 Nëntor, 2013 03:21

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Alekander Arvizu i ftuar në emisionin Top Story komentoi protestat e ditës së sotme. Sipas tij, demonstrata para ambasadës së SHBA është një zhvillim pozitiv pasi ka qenë tabu të protestojë në rrugën e Elbasanit dhe tabutë duhen thyer.

“Për aq kohë sa është paqësore është zhvillim pozitiv. Sa i takon shoqatave të shoqërisë civile ka një element pozitiv. Një prej shoqatave është AKIP që e kemi sponsorizuar dhe mbështetur përmes nismës Vepro Tani. Kur i kam parë aty më kanë ngrohur zemrën dhe jam krenar për ta. Kjo flet mirë për rritjen e aktivizimit civil pasi duhet të jetë në atë formë. Pasqyron pjekurinë politike në rritje dhe dua ta shoh këtë të vazhdojë. E vetmja rezervë që ka disa që po veprojnë mbi informacion të pasaktë”, theksoi Arvizu.

Ambasadori komentoi edhe deklaratat e deputetëve demokratë. “Zotin Strazimiri duhet ta pyesni nëse është duke kërkuar ende ata që kanë qenë në krye të 21 Janarit”, u shpreh diplomati amerikan.

I pyetur nëse Shqipëria duhet të dëgjojë Uashingtonin apo qytetarët e saj, Arvizu tha se “askush nuk duhet të çuditet nga shifrat pasi armët kimike nuk janë temë e këndshme. Qytetarët është normale të shqetësohen dhe nuk janë çështje të këndshme për tu biseduar. Në bazë të asaj që kam parë në TV dhe e përdor këtë, 80% e asaj që po raportohet është e pasaktë ose shtrembërim e dizinformim”.

I pyetur se a i është kërkuar Shqipërisë përfshirja në listën e vendeve ku do bëhej demontimi i armëve të Asadit, Arvizu tha se po e kemi bërë ashtu sikurse për një sërë vendesh.

“Jemi qasur atyre për të parë nëse do të ishin të gatshëm dhe në një pozitë për të ndihmuar në shkatërrimin e këtyre agjentëve”, tha Arvizu në Top Story.

Më tej diplomati amerikan ka deklaruar se: “përgjigjja e Ramës ka qenë pozitive në kuptimin që kuptoi kompleksitetin e problemit për faktin që ky është një problem i ndërlikuar ndërkombëtar. Ai ka treguar gatishmërinë për të parë pozitivisht atë që Shqipëria mund të bënte për të kontribuar në një zgjidhje dhe vendimi është i mirëpritur nga SHBA. Ka qenë një indikacion i qartë i gatishmërisë për të parë tek kapacitetet e Shqipërisë, aftësitë e saj për të kontribuar, pastaj përgjigjja  përfundimtare do të ishte po në vetvete”.

Arvizu tha se SHBA-të do të ndjeheshin të zhgënjyera në rast se Kryeministri Edi Rama do të përgjigjej negativisht për këtë kërkesë.

Duke folur për opozitën, Arvizu tha se “para pak ditësh Basha bëri një postim në FB dhe më bëri të ndjehem jo komod. E ndava këtë me Uashingtonin dhe Uashingtoni më kontaktoi e më tha kontaktojeni zotin Basha dhe flisni me të për këtë gjë. Ishte natën vonë dhe hezitova por i nisa një SMS i thashë a mund të më telefononi. Zhvilluam një bisedë shumë të mirë dhe preokupimi kryesor ishte nga qëndrimi i PD për mungesën e transparencës. I thashë se kjo çështje e veçantë është qartazi një pikë e vlefshme dhe dua ta dini pasi kam instruksione nga Uashingtoni se zgjidhja e kësaj çështjeje ka vlerë për ne e ju si ish ministër i punëve të jashtme e dini se sa delikate është një çështje e tillë. Ai më tha Aleks të kuptoj shumë mirë, nuk do ta kapërcej atë pikë pavarësisht se jemi në politikë. Të nesërmen postoi një diçka në Fb dhe u fokusua tek mungesa e transparencës por duke treguar një pozicion të përgjegjshëm nga ana e PD”.

I pyetur nëse Basha e kapërceu vijën e kuqe, Arvizu tha se “spektakli në Kuvend dhe spektakli në rrugë është shumë i ndryshëm nga ai kuptim që unë mendova se arritëm. Ka qenë vërtet një ditë shumë e ndezur për mua sigurisht, diskutimet me zotin Rama ishin konsiderata kryesore por i kam shprehur Uashingtonit disa nga thëniet, veprimet dhe komentet nga ana e PD. Ato janë pritur nga Uashingtoni me një trazim të vërtetë. Uashingtoni nuk ka qenë i kënaqur nga ajo çka dëgjuam nga PD sot. A e ka harruar ai këtë? E zgjodhi ta injorojë? E bëra të qartë se po flisja për Uashingtonin. Disa njerëz si Genc Pollo duhet të rikujtohen për këtë sepse jua bëra të qartë se po u flisja në emër të Uashingtonit. Ata harruan ose lind pyetja a është vërtet ai në krye të PD? Nuk e di cila është më shqetësuese”.

 

(gazeta-Shqip.com)

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.