Akuza, drejtori i Kufirit u hapte rrugën Kontrabandistëve

Kryepolici kufitar i Korçës, 41 vjeçari nga Kukësi, Ylber Zyberi, është lënë në burg nga Gjykata e Korçës ditën e djeshme. Edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore, Zyberi ka mundur të dëshmojë duke hedhur poshtë akuzat ndaj tij, por prokurori i çështjes ka bindur gjykatën se Zyberi, jo vetëm që është i përfshirë, po madje është edhe fajtor. Ja si e argumenton prokuroria akuzat ndaj kreut të policisë kufitare;
Akuzat
Në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë janë dërguar materialet hetimore nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, me shkresën datë 29 nëntor 2013, për veprat penale; “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “kontrabandë me mallra të tjerë”, “kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, “shpërdorim detyre”. Nga aktet e administruara në dosjen hetimore rezulton se pas informacioneve të marra ka rezultuar se në ditën e mërkurë, në datën 27 nëntor 2013 nga zona e Cerjes në komunën Pustec – Korçë ka kaluar një makinë tip fugon, Mercedes-Benz me ngjyrë të verdhë me peshë rreth 6 ton, brenda të cilit ka patur mallra kontrabandë kryesisht konfeksione. Nga verifikimet e para ka rezultuar se ky mjet ka qenë i drejtuar nga shtetasi S.TH, i cili zakonisht përdor rrugën e Goricës dhe më pas del nga mali i Xerjes me mallra kontrabandë me mjetin me targa bullgare.
Ky mjet ka dalë nga PKK Tushemisht në datë 28 nëntor 2013 në orën 17.24, dhe ka qenë i drejtuar nga shtetasi V. A dhe S. TH. Në rrugë operative, mësohet se mjeti i sipërpërmendur do të kalonte mallra kontrabandë në datën 29 nëntor 2013 dhe për këtë situatë është në dijeni të plotë edhe drejtori i kufirit dhe migracionit Korçë, Ylber Zyberi, i cili i ka bërë presion punonjësve të PKK Goricë para dy javësh që mjeti i mësipërm të kalojë pa problem në zonën e Cerjes deri në fshatin Puctec. Këtë kontrabandë dyshohet se e organizon shtetasi N. TH i cili është i njohur nga ana e organit procedues si person me precedentë penalë në fushën e kontrabandës dhe komunikon në telefonin personal të drejtorit të kufirit Ylber Zyberi, për të mënjanuar shërbimet e policisë kufitare në terren nga zona e Cerjes. Sa më sipër, prej oficerëve të policisë gjyqësore është kërkuar fillimi e procedimit penal në ngarkim të shtetasit Ylber Zyberi.
Hetimi
Në bazë të hetimeve, ka rezultuar se shtetasi N.TH. që është personi që do të realizojë futjen e mallit kontrabandë brenda territorit të Shqipërisë ka komunikuar me shtetasin Ylber Zyberi, duke e pyetur lidhur me situatën e krijuar në terren. Drejtori Zyberi ka komunikuar me vartësit e tij, duke i kërkuar të zhvendosë shërbimin e kontrollit me “justifikimin” se kishte informacione për kontrabandë viçash në një zonë të caktuar të kufirit shqiptaro- maqedonas, duke i dhënë kështu liri të plotë në kalimin e mjetit të drejtuar nga shtetasi N. TH. Nga ndjekja në dinamikë e veprimeve hetimore dhe në kohë reale, kanë rezultuar fakte të plota nga të cilat mandej është konkluduar mbi përgjegjësinë penale të disa prej personave të përfshirë në aktivitetin kriminal. Nga hetimi rezulton se drejtori merr informacion të plotë lidhur me lëvizjet e kryera në zonën e Zaroshkës.
Ai vihet në dijeni të faktit të shërbimeve të Drejtorisë së Kufirit. Për më tepër, ai interesohet edhe lidhur me disa automjete që kalojnë në zonën e parashikuar se nga ku mund të kalonte malli kontrabandë. Në vijim, gjatë hetimit është konstatuar se mjeti që pritet të hyjë kontrabandë ka pësuar një defekt teknik, i cili nuk është mundur të ndreqet. Në vijim, në koordinim të plotë mes prokurorisë dhe oficerëve të Sektorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, është bërë e mundur kapja në flagrancë e mjetit tip fugon i markës Mercedez Benz, me ngjyrë të verdhë, pa targa, i braktisur pas konstatimit të punonjësve të policisë në aksin rrugor që lidh fshatrat Zaroshkë dhe Cerje me komunën Pustec. Gjatë kontrollit të mjetit janë gjetur dhe administruar me cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme konfeksionesh të futura kontrabandë në Shqipëri. Referuar të gjitha rrethanave të mësipërme, organi procedues ka dokumentuar arrestimin në flagrancë të shtetasit Ylber Zyberi, lindur në 1972 në Kukës.
SHEKULLI
Add new comment