Ahmetaj: Kompania ka keqadministruar fondet. Haxhinasto: borxhi 4.8 milionë euro

Kompania ‘Belle Air’ ka vetëmbërritur në këtë situatë, sipas Arben Ahmetajt, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Sipas tij, qeveria ka qenë shumë fleksibël me situatën e vështirë ekonomike që ka patur vetë kompania, madje disa herë ka patur takime me ministrin e Financave, me ministrin e Transportit, nën porosinë e Kryeministrit, për të afruar fleksibilitet maksimal ndaj kompanisë, e cila ka një periudhë shumë të gjatë pa likuiditete. Nga informacionet e para, edhe sipërfaqësore, dukej që kishte një keqmenaxhim fondesh, sepse një kompani e cila ka patur 115 milionë euro qarkullim, mbetet papritur pa para dhe kjo ka qenë edhe pyetja e drejtpërdrejtë që qeveria i ka bërë menaxhimit të kompanisë, se cila është arsyeja që kompania nuk ka para në llogaritë e veta. Gjëja e parë që të vjen ndërmend, nëpërmjet edhe informacioneve që marrim drejtpërsëdrejti duke iu referuar bilanceve të tyre, rezulton që kompania ka bërë investime të këqija jashtë vendit. Ka vend për një hetim për të parë se ku janë devijuar fondet”, thotë ministri Ahmetaj. Ministri Ahmetaj tha se qeveria u tregua shumë fleksibël. “Unë personalisht iu kërkova bankave zyrtarisht, në prezencë të kompanisë, që t’i ofronin ndihmë ‘Belle Air’-it, për t’i ristrukturuar borxhin që kompania ka ndaj bankave dhe sigurisht edhe borxhin në kohë që kompania ka ndaj buxhetit, ndaj administratave tatimore për shkak të mospagimit të taksave dhe të tarifave”, – tha Ahmetaj.
Ndwrsa ministri Haxhinasto tha dje se borxhi i Belle Air kap shifren 4.8 milionë euro. Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto ka hedhur poshtë pretendimet e kompanisë ‘Belle Air’, që e justifikoi pezullimin e fluturimeve me bllokimin e llogarive nga shteti. “Situata është krejt e ndryshme nga sa deklarohet nga kompania ‘Belle Air’. Edhe tani që flasim, nuk ka asnjë bllokim të llogarive nga asnjë nga institucionet shtetërore të vendit”, – u shpreh ministri. Haxhinasto tha se vendimi i ‘Belle Air’ për pezullimin e fluturimeve ishte i papritur për qeverinë. Sipas tij, edhe tani autoritetet janë duke bërë të gjitha përpjekjet për të gjetur zgjidhje për qytetarët. “Pavarësisht nga këto vendime të kompanisë, ‘Belle Air’ rezultonte që mos kishte paguar taksat dhe tarifat me një shumë prej 4.8 milionë eurosh, shuma të pranuara dhe nga kompania. Pavarësisht nga këto vendime të kompanisë ‘Belle Air’, institucioni përgjegjës për Aviacionin Civil dhe Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës janë duke bërë të gjitha përpjekjet ligjore me qëllim që të lehtësojmë sa mundemi këtë kompani të realizojë detyrimin e saj që pasagjerët të udhëtojnë në destinacionet ku kanë prerë biletën”, – tha ministri. Ministri Haxhinasto bëri me dije se qeveria do të hapë tregun e Aviacionit Civil. Sipas tij, qëllimi i hapjes së këtij tregu është që të ofrohet një shërbim më cilësor. Haxhinasto deklaroi për mediat se ndaj kompanisë “Belle Air” është vepruar me fleksibilitet maksimal brenda kuadrit dhe hapësirave që i lejon ligji. Ai theksoi se edhe gjithçka që do të vendoset më pas lidhur me kompaninë do të jetë në mbështetje të ligjit.
Mapo
Add new comment