70-vjetori i Çlirimit, një pavijon i ri për LANÇ-in i shtohet Muzeut të FA.

Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare nga kjo e premte do të përkujtohet dhe me një pavijon të veçantë historik në kuadër të 70-vjetorit të çlirimit të Atdheut pranë Muzeut të Forcave të Armatosura. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, duke përshëndetur hapjen e këtij pavijoni, theksoi se, Shqipëria ishte ndër vendet e para që përfshiu Lufta e Dytë Botërore, si lufta më e përgjakshme e historisë njerëzore.
"Rreshtimi i Shqipërisë në bllokun e fuqive fituese në këtë luftë ishte në radhë të parë meritë e mençurisë së popullit shqiptar dhe rruga e vetme e duhur për të siguruar ekzistencën e kombit shqiptar. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë lartësohet Lufta Nacionalçlirimtare që bënë shqiptarët kundër bishës më të egër të lirisë së popujve e mbarë njerëzimit, fashizmit. Në këtë qëndresë për jetë a vdekje u ngritën në këmbë rinia, intelektualët, femrat shqiptare, komunistët dhe nacionalistët. Ky bashkim u dëshmua edhe në Konferencën e Pezës, e cila u bë simbol i platformës për bashkim të të gjithë shqiptarëve, pa dallim feje, krahine, ideje në Luftën Nacionalçlirimtare”, tha ministrja Kodheli.
Më tej, ministrja Kodheli, u shpreh se, FA shqiptare, si pasardhëse dhe trashëgimtare e vlerave më të mira të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, kanë dhënë e po kontribuojnë seriozisht për paqen e stabilitetin në vende të ndryshme të botës, përkrah forcave aleate të NATO-s. Programi i qeverisë shqiptare synon modernizimin e FA, për të siguruar kapacitete operacionale më të mira në përmbushje të misionit tw tyre për sigurinë dhe sovranitetin kombëtar, por edhe si faktor paqe e stabiliteti në rajon e më gjerë.
Në fund të fjalës së saj, ministrja e Mbrojtjes Kodheli ka nënvizuar se, hapja e këtij pavioni përbën jo thjesht pasqyrimin e një prej periudhave më të ndritura të historisë sonë kombëtare, por në radhë të parë është një vlerësim i sakrificave dhe gjakut që derdhën bijtë e bijat më të mira të popullit tonë për lirinë e prosperitetin e Shqipërisë. Prandaj është një obligim patriotik njohja e respektimi i këtyre sakrificave të popullit tonë, e historisë së tij nga efektivat e Forcave të Armatosura dhe nga brezi i ri.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura, etj.
Add new comment