7 të burgosur arratisen nga burgu i Drenovës. Policia: Janë të rrezikshëm dhe të armatosur

Shtatë të dënuar me burgim për vepra të ndryshme penale dhe të konsideruar si persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, janë arratisur nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë.
Të gjithë të burgosurit janë të armatosur dhe mësohet se ata në mënyrë të organizuar kanë sulmuar rojet e burgut, disa burime përmendin ekzistencën e armëve, pasi kanë neutralizuar rojet të burgosurit kanë dalë jashtë rrethimit duke u larguar në errësirë.
Autoritetet e burgut kanë dhënë alarmin dhe policia ka nisur në gjithë zonën një operacion kërkimi, nën masa të rrepta për shkak se ata janë të armatosur.
Pak kohë më vonë nga arratisja, një patrullë policie në hyrje të qytetit të Pogradecit është kërcënuar nga persona me armë që mendohet se janë të burgosurit në arrati.
Të arratisurit janë Admir Bahri Tafili, lindur në 1975, në Shkodër, Fran Pal Marashi, lindur në vitin 1978, lindur në Shkodër, Gëzim Gjergj Guri, lindur në vitin 1977, banues në Vaun e Dejës. Gëzim Ndue Toma, lindur ne vitin 1982, në Dibër Reiz Namik Haxhiraj, lindur ne 1971, banues në Selenicë të Vlorës, Eduard Kujtim Lula, lindur ne vitin 1982, banues në Përmet dhe Artur Demir Gora, lindur ne vitin 1969, banues në Pojan të Korçës.
Ky i fundit është arrestuar nga policia në aksin rrugor drejt Kapshtices ku ishte duke lëvizur me taksi.
Për policinë i gjithë grupi janë persona shumë të rrezikshëm, të dhunshëm dhe me armë. Ata po udhëtojnë me një automjet dhe dyshimet e para janë se arratisja është planifikuar duke futur më herët armë në burg e më pas me to është bërë çarmatosja e rojeve të burgut.
Menjëherë Ministria e Brendshme urdhëroi ngritjen e një shtabi pune për kapjen e të arratisurve. Forca të shumta të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato RENEA ndodhen në zonën ku mendohet se janë të arratisurit.
Ministria e Brendshme njoftoi gjithashtu se janë lajmëruar autoritetet e vendeve fqinje, Maqedonisë dhe Greqisë, policitë kufitare të të cilave janë vënë në gatishmëri të lartë në pikat kufitare.
SHQIP
Add new comment