301 denoncimet e para online, gjyqtarët dhe prokurorët e denoncuar publikisht

Postuar në 18 Nëntor, 2013 05:19

Vërtetësia - Denoncimet që po publikojmë janë marrë nga portali “Stop Korrupsionit në Drejtësi”, një nismë e qeverisë “Rama”. Qindra qytetarë janë ankuar për gjyqtarë dhe prokurorë konkretë. Disa ankesa po i botojmë të plota, ndërsa denoncimet jo domosdoshmërisht mund të jenë të sakta
Stop korrupsionit!

Shqiptarët, ankesa të shumta për çështjet e pronësisë

Sokol Çobo

Problemi madhor i shqiptarëve vazhdojnë të jenë pronat. Një parcelë tokë bujqësore, një truall, apartament, shtëpi, magazinë, dyqan, apo edhe automjet, shpeshherë kanë nga dy ose më shumë pronarë, madje edhe të ligjëruar nga bashkia, komuna, hipoteka, noteri, gjykata apo edhe prokuroria. Ka mjaftuar një nismë e thjeshtë e qeverisë për të gjetur se ku mund të ndërhyhet apo të bëhet reformë në sistemin e drejtësisë, ku ka më shumë korrupsion në vend, apo ku jepet dhe merret masivisht ryshfet. Natyrisht, që ankuesit janë shprehur se hipoteka ka dhënë dy certifikata pronësie, apo ka mbivendosur një truall, ndërsa në disa raste ka pranuar dokumente të falsifikuara, të cilat janë përdorur më pas në gjykatë, për të fituar të drejtën e pronësisë, atje ku ka pasur probleme.

Gazeta Shqip ka bërë një vëzhgim në portalin e internetit të hapur nga Ministria e Drejtësisë, të titulluar “Stop Korrupsionit në Drejtësi”, ku qindra qytetarë janë ankuar për gjyqtarin, prokurorin, noterin, avokatin, bashkiakun, komunarin etj. Por, ka edhe ankesa ndaj babait, nënës, motrës, vëllait, gruas, djalit, vajzës, dajës, tezes, hallës, xhaxhait, madje me shumicë edhe për kushërinjtë, që i kanë zaptuar njëri-tjetrit troje. Ankesa ka edhe ndaj deputetëve, për influencë në bashki, komunë apo hipotekës, se kujt duhet t’ia japë pronën, në vend që të sheshonte këto konflikte. Sipas policisë, pronësia është një nga konfliktet që gjeneron më shumë viktima në vend, ku zënkat janë edhe për një vijë kullimi të ujit, apo për një gardh, që institucionet vendore nuk i kanë dhënë zgjidhje.

Denoncimet

Nga 301 ankesat në faqen e internetit http://ankesa.justice.gov.al/ pjesa më e madhe është për hipotekat, apo siç quhen zyrtarisht Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në shumicën e rasteve, ankesat lidhen edhe me vendime gjyqësore, apo me ankesa ndaj bashkiakëve apo komunarëve. Një banor i fshatit Bubullimë të Lushnjës, madje i identifikuar edhe me emrin Genci Gjoka, thotë se ka në pronësi një truall 500 metra katrorë. Ka ndërtuar një shtëpi banimi dhe në vitin 2012 i ka dalë pronari, i cili e ka fituar me vendim gjykate. Sipas ankesës (jo domosdoshmërisht mund të jetë e saktë), gjyqtari Dritan Caka ka dhënë vendimin për t’u prishur shtëpia ku banon Genci Gjoka bashkë me gruan dhe fëmijët.

Ndërkohë, një tjetër ankues, pretendon të kundërtën e Gjokës. Ai është Pëllumb Kuqo nga fshati Rrëmenj i Pogradecit, i cili thotë se në pasurinë e tij prej 330 metra katrorë që e ka edhe me hipotekë, është bërë një ndërtim pa leje nga një shtetas tjetër. Ai kërkon prishjen e ndërtimit dhe nuk gjen zgjidhje nga komuna apo institucione të tjera. Një tjetër ankues thotë se një gjyqtar i Elbasanit, pikërisht Bujar Musta, ka zvarritur çështjen e tij të përpjesëtimit të pasurisë në 15 muaj, duke shkelur kufizimin parimor dhe duke kryer shpërdorim detyre. Ankuesi pohon se ky gjyqtar i ka cilësuar hartat topografike të lëshuara nga ALUIZNI si jo të sakta. Problemi i radhës, sipas portalit online, vjen nga Gramshi, ku një qytetar ankohet se Zyra Përmbarimore ka bërë sikur ka ekzekutuar një vendim gjykate, kur në fakt nuk e ka kryer një gjë të tillë. Ankesë ka pasur edhe për aksionin e INUK në Vlorë, ku qytetarja Mjaftime Musaj pretendon se i është prishur shtëpia pa të drejtë. Ajo thotë se javën e parë të tetorit në banesën e saj ka shkuar një makinë policie me dy punonjës, një femër dhe një mashkull. I kërkuan që të lironte shtëpinë pasi do ia prishnin si ndërtim pa leje. Pretendon se ka konflikt me Bashkinë e Vlorës, ku kjo e fundit ka kërkuar që të prishet. Ermali nga Vlora ankohet për ndërtimin e një fshati turistik, ndoshta për Kakomenë. Ai thotë se banorët kanë konflikt 10-vjeçar, ndërsa thotë se në këtë zonë ka lulëzuar edhe trafiku i hashashit, që më parë është “monitoruar” nga Policia e Shtetit.

Ka edhe denoncime ndaj prokurorëve, siç është rasti në Fier. Shtetasi Nikollq Deliu, nga Kumani, denoncon prokurorin Genci Mane për një vendim të padrejtë të 30 qershorit të vitit 2011 të një procedimi penal të pushtimit të tokës. Ai akuzon edhe ish-drejtuesin e Prokurorisë së Fierit, Besnik Cani, për fshehje të dokumenteve, sipas së cilit, kanë mbrojtur Komunën Kuman. Ai është përleshur edhe fizikisht me një person tjetër, ndërsa pretendon se ka edhe filmime. Sërish denoncim në Fier dhe kësaj here nga shtetasi Nikollaq Ristani. “Denoncoj gjyqtarin e Fierit Ergys Selmani për shpërdorim detyre, pandershmëri në kryerjen e detyrës, pasi ka marrë një vendim të padrejtë. Nuk ka marrë në konsideratë provat dhe dokumentet e rregullta…” ishte ankesa e radhës. Shtetasi Denis Dervishi ka një denoncim për prokurorin e Tiranës, Blerim Tominajn. “E denoncoj prokurorin Blerim Tominaj pasi ka marrë ryshfet nga shtetasi Gentian Begolli dhe Ziana Mosho gjatë periudhës së shtatorit 2011 për mbylljen e hetimeve në favor të këtyre të fundit, pasi më parë u arrestuan në kushtet e flagrancës nga seksioni i trafiqeve me në krye Emiljano Pashajn… Kundrejt shumës së 5 mijë eurove, prokurori i favorizoi në përpilimin e mbylljes së hetimeve, duke i lënë të 2 shtetasit e lartpërmendur në gjendje të lirë, e që për më tepër ishin të hetuar dhe të ndaluar në flagrancë nga seksioni i trafiqeve, inspektori Emiljano Pashaj. Jam i hapur dhe i gatshëm t’ju ndihmoj në çdo aspekt”, thuhet në denoncim.

Ankesë ka pasur edhe për gjyqtarin Agim Bendo. Refat Muzhaqi i shkruan ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, në lidhje me një vendim të falsifikuar. “Ky kalim pronësie është bërë me dokumente të falsifikuara dhe të hartuara në mungesën time. Ky vendim është bërë nga gjyqtari Agim Bendo, i cili ka lidhje farefisnore me përfituesin. Kërkoj rishikim të çështjes dhe kundërshtim vendimi”, shkruan Muzhaqi. Ndërkohë, shtetasi Jorgo Abazi shkruan se: Pallati që po ndërton kryetari aktual i Gjykatës së Tiranës te Don Bosko a ka leje, nga kush e ka dhe ku i ka marrë paratë e ndërtimit dhe të tokës ky zotëria kryetar? Gjon Shkambi ankohet për zvarritjen e procesit gjyqësor, me gjyqtare Mira Dedjen, sipas së cilit, çështja e tij është në proces prej dy vitesh. Violeta ankohet ndaj prokurores Vojsava Starova, për mbylljen e denoncimit për zhdukjen e dokumenteve. Denoncimi i radhës është për gjyqtaren e Apelit në Gjirokastër, Irena Ibrahimi, ankesë e firmosur nga Sovjet Mehmeti, i cili pretendon se kjo gjyqtare ka vendosur brenda një dite për një çështje, pa prezencën e avokatit të tyre. Luljeta Veli ankohet se e kanë mashtruar, ndërsa pretendon se ka dokumente për korrupsion ndaj Hipotekës së Vlorës. “Hipoteka ka pajisur me një certifikatë shtetasen Hena Asllani. Gjyqtari Simon Kolagji ka marrë ryshfet duke dhënë një vendim në dëmin tim…” thuhet në denoncim. Olimbi Gjermeni kërkon largimin e gjyqtarëve të korruptuar, ndërsa thotë se ka të tillë në Durrës. “Ai është Petrit Ceno, me të cilin, në 12 maj 2009, kisha një gjyq i cili mori një vendim arbitrar, në dëmin tim pa marrë parasysh faktet që kisha paraqitur unë dhe pa e parë fare dosjen time, për arsye se kishte marrë para nga pala kundërshtare, pikërisht nga Feruze Bekteshi, e cila ma pohoi vetë”, ishte denoncimi. Dhe ankesat vijojnë me radhë në këtë portal, siç është rasti i Rrapi Halilajt, i cili denoncon gjyqtarin e Vlorës, Astrit Sheme, i cili në datë 6 shkurt ka pranuar ryshfetin e tij prej 1500 eurosh për të fituar gjyqin. “Na kishte premtuar vendim të formës së prerë në shkallë të parë, por nuk ishte i tillë. Dëshmi për dhënien e lekëve mund të japë dhe kunata ime, Emine Rexhitaj, dhe avokati Beqir Fejzo. Ky gjyqtar emërohet kryetar i Gjykatës Administrative! Të ndalohet ky korrupsion!” vijon denoncimi. Muharrem Rrapaj ka një denoncim për Prokurorinë e Vlorës, pikërisht ndaj Klodian Brahos, për shpërdorim të postit. Ai pretendon se “zotëria ka zhdukur nga dosjet e hetimit çështjen për mashtrim dhe përdorim të firmës së një gruaje të vjetër në moshë, e cila ishte dhe pronare e ligjshme e tokave në Vlorë, kundër Kasëm dhe Luljeta Cenaj (ish drejtor i KKP dhe gruaja notere). Kërkojmë të rihapet hetimi dhe të ndëshkohen personat përgjegjës…”. Ndërkohë, nisma e Ministrisë së Drejtësisë për të gjetur pasuritë e njerëzve që bëjnë drejtësi, duket se është denoncuar në të vetmin rast nga një qytetar nga Elbasani. Ai shkruan se: Ju bëjmë me dije se në Prokurorinë e Elbasanit është një prokuror i quajtur, Binas Nina, ku kërkon lekë për të mbyllur çështje. Ka në pronësi disa vila, një ndërtim e ka në fshatin Labinot-Fushë, të cilat i ka ndërtuar nga mitëmarrja. Aftësia e tij është me kurs 6-mujor. Është ekstremist i djathtë”, shkruan i quajturi “Zyrtari Elbasan”.

http://ankesa.justice.gov.al - Është adresa e internetit ku gjithsecili mund të ankohet për korrupsionin në drejtësi. Nisma është nga Ministria e Drejtësisë e cila kërkon prova, dokumente, foto ose video.

Denoncimi 1
23 shtator - Është bërë pasditen e datës 23 shtator 2013 nga Yzeir Miraka. Ai thotë se në kufi me pronën e tij është një ndërtesë që ka shkelur ligjet e urbanistikës. Është ankuar në Prokurorinë e Elbasanit, e cila e pushoi çështjen, megjithëse këtyre banorëve u kishte zënë pronën disa metra. Akuzon edhe një gjyqtar.

Ankesat
301 denoncime - Janë bërë në portalin e Ministrisë së Drejtësisë, “Stop Korrupsionit në Drejtësi” që nga 23 shtatori e deri ditët e fundit. Ankesat apo denoncimet më të mëdha janë bërë për problemet e pronësisë, ku janë përmendur edhe gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë.

Objekti
Pronat - Qindra qytetarë janë ankuar për gjyqtarin, prokurorin, noterin, avokatin, bashkiakun, komunarin etj. Por, ka edhe ankesa ndaj babait, nënës, motrës, vëllait, gruas, djalit, vajzës, dajës, tezes, hallës, xhaxhait, madje me shumicë edhe për kushërinjtë, që i kanë zaptuar njëri-tjetrit troje

Portali
Pasuria e zyrtarëve - Denonco korrupsionin, denonco shkeljet e ligjit, denonco sjelljet që bien ndesh me etikën profesionale, denonco rastet e fshehjes së pasurisë së: gjyqtarëve, prokurorëve, si dhe çdo nëpunësi që ushtron detyrat në disa institucione si hipoteka, burgjet, AKKP, noteri, mjekësia ligjore, QPZ etj

Stop rrënimit

Denoncimet, 990 fotografi dhe 33 video nga qytetarët, brenda 3 muajve

Tre muaj më parë, Edi Rama, i cili priste të merrte postin e Kryeministrit të vendit çeli dhe faqen e internetit “Stop Rrënimit”, në të cilën çdo qytetar mund të denonconte përmes fotografive dhe videove shkeljet që evidentonte për sa u përket ndërtimeve pa leje. Tashmë janë të vendosura në këtë faqe interneti, 990 fotografi të shoqërua me denoncimin përkatës, të cilat sjellin fluks ndërtimesh pa leje nga e gjithë shqiptaria. Krahas tyre janë dhe 33 video të dërguara nga qytetarët, të cilat japin në një mënyrë më të zgjeruar panoramën e objekteve të ndërtuara pa leje. Ajo që të bën përshtypje në këtë faqe të internetit lidhet me faktin se pjesa më e madhe e denoncimeve vijnë nga qytete si Tirana dhe Vlora. Po kështu, në këtë faqe nuk janë censuruar as komentet tepër të drejtpërdrejta dhe negative, të cilat vijnë nga ana e qytetarëve për sa u përket drejtuesve të pushtetit vendor, të cilët i shikojnë si përgjegjësit kryesorë për sa i përket krijimit të një situate të tillë. Të tilla komente nuk kanë munguar as për drejtuesit socialistë të pushtetit vendor, siç është Shpëtim Gjika i Bashkisë së Vlorës dhe po kështu, Vangjush Dako i Bashkisë së Durrësit. Aktualisht, Gjika është duke u proceduar penalisht për sa u përket abuzimeve që ka gjetur prokuroria për sa u përket ndërtimeve pa leje në qytetin e Vlorës. Administratorët e kësaj faqeje interneti të cilët janë dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kanë theksuar se denoncimet e qytetarëve në këtë faqe do të kenë një rëndësi të madhe dhe do të ndiqen me një kujdes tepër të veçantë. Kjo edhe për shkak të faktit se qeveria e re socialiste kërkon të kthejë besimin e humbur se ekzekutivi mund të vihet në lëvizje nisur nga kërkesat e qytetarëve. Bëhet e ditur se një pjesë e madhe e ndërtimeve të prishura, janë evidentuar si pasojë e kësaj faqeje interneti.

DENONCIMET

Policia më dhunoi djalin në komisariat

Unë që po ju shkruaj jam nëna e një djali të ri 26 vjeç që në mënyrë të padrejtë është dhunuar rëndë fizikisht nga dy policët e Komisariatit Nr.1, pranë shtëpisë së tij. Plagët e tij janë shumë të rënda dhe ndaj tij është ushtruar dhunë sistematike edhe brenda ambienteve të komisariatit. Për këtë arsye nuk na janë dorëzuar rrobat që djali kishte veshur kur u kap nga policia, pasi shërbenin si një provë e fortë e dhunës së ushtruar ndaj tij. Si prindër nuk më është lejuar që të dorëzoj as rrobat e trupit për djalin tim pranë komisariatit. Përgjegjësi kryesor për këtë është ish-shefi i Komisariatit Nr.1 dhe dy policët e tjerë që atë ditë kishin shërbimin. Ngjarja ka ndodhur më 19.10.2013 në Tiranë, në mbrëmje.

Lefteri Veshi: Korrupsion në gjyqësor

Trupa gjyqësore e rrethit të Fierit, e përbërë nga Roland Hysi, Pirro Sota dhe Taulant Banushi, janë paguar nga familja e vrasësve të bashkëshortit tim që të ndryshojnë akuzën e bërë nga Prokuroria e Rrethit të Fierit, sipas nenit 78 dh) të Kodit Penal. Më datën 30 shtator do të merret vendimi përfundimtar (Vendimi është marrë dhe Lefteri Veshi ka pasur të drejtë, pasi të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm). Kemi bindje të plotë dhe të bazuar që këta gjyqtarë janë paguar në shuma tepër të mëdha për të liruar të akuzuarit dhe për të hedhur poshtë akuzat e prokurorisë. Ju lutem për monitorim të seancës gjyqësore në datën 30 shtator 2013.

Vrau në aksident tre fëmijët e mi, i lirë

Quhem Artan Kola, banues në fshatin Burizanë, Komuna Kodër Thumanë Krujë. Më datë 25 dhjetor 2010, natën e Krishtlindjeve, te kryqëzimi pranë Thumanës, shtetasi Mark Zef Marku nga Mamurrasi, në gjendje të dehur dhe me shpejtësi marramendëse më ka shkaktuar aksidentin e tmerrshëm me pasojë vdekjen e tre fëmijëve të mi të dashur, Viola 12 vjeçe, Griselda 9 vjeç dhe Geraldin vetëm 6 vjeç. Ekspertët autoteknikë me në krye Arjan Jankun, edhe pse shoferi në gjendje të dehur, edhe pse me shpejtësi mbi 150 km në orë në kryqëzim, edhe pse më ka goditur jashtë rruge, çuditërisht duke parë dhe gjendjen time të pashpresë për jetën, me nxjerrin fajtor mua dhe Mark Marku lirohet nga Gjykata e Krujës, duke i dhënë masën detyrim paraqitjeje. Pas gati 2 vjet zvarritjeje dhe pas 2 riekspertimeve Marku shpallet fajtor duke u dënuar me 8 vjet burgim. Çështja zvarritet në Apel duke i dhënë mundësinë autorit të kalojë lirshëm nëpër doganat shqiptare dhe të punojë në Itali për të korruptuar në Shqipëri…

Emërimet e mësuesve në Fier të paligjshme

E nderuar zonja ministre e Arsimit! Duke ju uruar punë të mbarë dhe suksese në detyrën e re, ju lutemi, të mbani premtimet e dhëna dhe të shikoni me përparësi, ndodhitë e fundit në DAR, Fier, ku drejtuesja e këtij institucioni, duke shkelur në mënyrën më flagrante ligjin, po emëron në vende pune njerëz të afërm të familjes së saj, si edhe emërime të tjera duke marrë ryshfete. Për këtë Ju lutem të verifikoni tre emërimet e fundit që janë bërë këtë javë, në shkollën 9-vjeçare Çlirim, të rrethit të Fierit. Drejtoresha e DAR, në bashkëpunim me drejtoreshën e shkollës kanë kryer emërime duke shkelur ligjin dhe në këmbim të parave. Ju lutem mbani premtimin për emërimin me konkurs në vendet vakante. Pres me besim reagimin tuaj ndaj këtij problemi.

PADREJTËSI

Nuk funksionon ligji për noterinë. Merrni masa ndaj noter Marenglen Rrapit, i cili ushtron detyrën e noterit në mënyrë të paligjshme, pasi ka dalë në pension dhe punon akoma si noter në Durrës

Basketbollistët

Në lidhje me vrasjen e basketbollistëve në Korçë fajtori kryesor Damjano Toshi dalëngadalë po blen pafajësinë. Nga burgim i përjetshëm në 25 vjet burg, e tani Gjykata e Lartë e ka kthyer për rigjykim. Ky vrasës do marrë pafajësi

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.