Çuçi: Do çojmë për hetim në Prokurori çdo zyrtar që ka abuzuar me detyrën

Ministrat e kabinetit Rama po kalojnë në filtër çdo dokumentacion të lënë nga paraardhësit e tyre, për të kontrolluar rastet e abuzimit. Sipas ministrit për pushtetin vendor, njëkohësisht koordinatori kombëtar anti-korrupsion, Bledi Çuçi, nën sitë po kalon jo vetëm puna e mëhershme në dikastere por dhe institucionet e varësisë. Dosjet do të kalojnë menjëherë në prokurori. “Çdo ministër po bën një analizë shumë të detajuar të funksionimit të aparatit të tyre dhe nga kjo analizë në qoftë se do të dalin raste korruptive paraardhëse apo të personave që mund të jenë ende pjesë e aparatit të Ministrive, ato do të shkojnë pa diskutim para drejtësisë. E rëndësishme është që mos të lenë asnjë rast korruptiv qoftë në të kaluarën apo qoftë edhe në vazhdim pa u denoncuar dhe u ndërshkuar”, tha Bledi Çuçi. Ministri Çuçi, në intervistën e tij për “AS” thekson se të gjithë zyrtarët vendorë që kanë dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin, ose kanë toleruar betonizimin e qytetit, nuk do të kursehen nga përballja me drejtësinë. “Pa diskutim që ato ndërtime pa leje do të prishen dhe jo vetëm kaq, por do të ndëshkohen edhe personat, të cilët kanë toleruar pikërisht këtë katrahurë urbane hapsinore”, tha Çuçi. Brenda vitit, njofton ministri, ndarja e re territoriale e Shqipërisë do të kalojë në formën e projektligjit në Parlament.
Dita
Add new comment