Një pilulë e re kundër kolesterolit për të shpëtuar zemrën
Një ilaç i ri në formë pilule, i quajtur enlicitide, shihet si një zhvillim premtues në trajtimin e kolesterolit të lartë dhe parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Ekspertët vlerësojnë se medikamenti mund t'u ofrojë një alternativë më të lehtë pacientëve që nuk arrijnë të ulin mjaftueshëm nivelin e kolesterolit LDL, i njohur si kolesteroli "i keq".
Sëmundjet e zemrës mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në botë, me rreth 20 milionë jetë të humbura çdo vit. Megjithatë, falë përparimeve në diagnostikim dhe trajtim, vdekshmëria nga sëmundjet kardiovaskulare ka rënë ndjeshëm gjatë dekadave të fundit. Një rol kyç në këtë sukses ka pasur ulja e nivelit të kolesterolit LDL, i cili lidhet drejtpërdrejt me rrezikun për infarkt dhe goditje në tru.
Zhvillimi i ilaçit të ri bazohet në një zbulim gjenetik të bërë rreth dy dekada më parë, kur studiuesit identifikuan një mutacion natyror në gjenin PCSK9, që u mundëson disa njerëzve të kenë nivele shumë të ulëta të kolesterolit dhe rrezik shumë më të vogël për sëmundje të zemrës. Ilaçi i ri imiton efektin e këtij mutacioni, duke ulur nivelin e LDL-së pa nevojën e injeksioneve.
Ndërkohë, studiuesit po testojnë edhe terapi me modifikim gjenetik që synojnë çaktivizimin e gjenit PCSK9 me një trajtim të vetëm, i cili mund të ketë efekt afatgjatë. Megjithëse këto zhvillime konsiderohen premtuese, ekspertët theksojnë se sfidat mbeten të mëdha, veçanërisht për sa i përket kostos dhe aksesit të pacientëve në trajtime të reja. Sipas tyre, impakti reali i progresit shkencor do të shihet vetëm nëse terapitë bëhen të përballueshme dhe të disponueshme për një numër sa më të madh njerëzish.

Add new comment