Druri vetëm nga Xhehneti mund të dilte!

Postuar në 07 Prill, 2026 23:02
Skerdilajd Zaimi

 

Rezart Taçi është dënuar me 11 vjet burg për pastrim parash dhe bashkëpunim mafioz. Vendimi është marrë nga Gjykata e Posaçme, produkt i reformës në drejtësi të vitit 2016. Nëse i besojmë raportimit të dashnores së vjetër të reformës, gazetës “Tema”, vendimi i marrë duket sikur ka ndjekur këshillat e ideologut sezonal të të drejtave të njeriut në Shqipëri, Sokol Sadushi, pasi ai është mëse i individualizuar. Ja një fragment nga raportimi:

Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për biznesmenin Rezart Taçi.

Ky i fundit është dënuar me 11 vite burg. Ai u gjet fajtor për veprën penale të pastrimit të parave për mafien italiane, Cosa Nosta.

Në fjalën e tij prokurori Klodian Braho jo vetëm kërkoi dënimin e të kërkuarit prej 2021 nën akuzë për pastrim parash dhe grup kriminal, por gjithashtu kërkoi konfiskimin e përmbi 18 milionë eurove të depozituara në një llogari të hapur në Tiranë dhe që do të shpërndaheshin në llogari të tjera në Hong Kong dhe Singapor… Pastrimi i parave u tentua të kryhej përmes një banke të nivelit të dytë, tek e cila u depozituan 18 milionë eurot të legjitimuara sikur do të investoheshin në fushën e hidrokarbureve.

SPAK deklaroi gjatë proceseve se dispononte si provë veç të tjerash edhe një draft marrëveshje rreth shumës së 18 milionë euro që pretendohej se do jepej si hua me një normë interesi prej 5 përqind…

Siç shihet gazeta e Mero Bazes nuk ka asnjë pretendim ndaj hetimit dhe vendimit. E çuditshme për një media që aplikon gazetarinë e hulumtimit procedurial për rastin “Veliaj”, madje duke tejkaluar me disa herë në cilësi vetë Veliajn që si idiot natyral që është ka fortifikuar veten te përralla: nuk kam lexuar dosjen!

Pse kjo qasje?! Pse kursehet SPAK nga këqyrja e imtësishme të punës së vet? Pse privohemi ne nga shërbimi i vyer publik i kritikës së arsyes së precizionit të lartë por shërbehemi me një diktim me notë pozitive nga SPAK?!

Për ta kuptuar këtë duhet të marrim parasysh disa rrethana:

Së pari Mero Baze ka hallin e Erjon Veliajt të cilin e mbron me gabimet apo dobësitë proceduriale(në fakt janë logjike) të hetimit të cilat i absolutizon  si fatalitete të një procesi dhe më tutje, si defekte të brendashkruara të reformës. Aq bindës është dëshmuar në këtë shfaqje saqë argumentet në çdo shkrim i ka reflektive, pjesë e një dialektike psikomotore që konsiston në parimin: Vetëm po t’u vura se argumente kam plot. Aq bindës është shitur saqë e referon edhe kryeministri i vendit, ky Simurden i rremë i revolucioneve në tenxheret e politikës.

Së dyti, Rezart Taçi ka ushtruar dhunë ndaj Mero Bazes dikur(Baze vetë do shkruante për dikë tjetër se “ai e ka rrahur atë…”) dhe në këtë heshtje prej Pilati nuk ka sens drejtësie, por duf hakmarrjeje dhe kënaqësi cinike.

Të dyja bashkë, bëjnë arsyen e tretë që është forma pësore dhe ilustrative e fjalës së njohur se “druri ka dalë nga Xhehneti” me të cilën duhet të kuptojmë se dajaku të zdrukthon në mënyrë efektive përkundër mësimit të gjatë, të lodhshëm dhe të vështirë të Lirisë, por edhe se kërbaçi nuk diskriminon. Ai ndihet te të gjithë njësoj. Edhe Stalini dikur pëshpëriste për ata që kundërshtonin politika të tijat: rrihini dhe vetëm rrihini! Nuk ka më keq se e rrahura-, duke kujtuar të rrahurat e dikurshme nga çeçenët.

A kemi të bëjmë pra me një qasje për drejtësinë apo me një soditje hakmarrjeje?  Nëse Drejtësia përmbush hakmarrjen atëherë jemi në kushtet më të mira. Por kjo nuk na flet për ndonjë vullnet për drejtësi, por vetëm për konveniencë rrethanash.

Dhe ky është në fakt problemi përherë këtu: idetë e importuara nuk shndërrohen kurrë në bindje, ato nuk katalizojnë asgjë në drejtim të një shoqërie të drejtë dhe që ka standarde funksionimi për sfera kaq kritike si drejtësia. Idetë aplikohen si paketë shërbimesh diplomatike përkundër të tjerëve dhe ato mbështeten sa kohë nuk cenojnë pushtetin. Për këtë arsye diskutimi mbi to i ngjan përherë liturgjive me tekste të kanonizuara: po mendove vetë je i shitur, po kritikove je subversiv, po kundërshtove ke roitur. Ndaj edhe kryeministri ngjan pak me të trija tani që po ha kumbullat e reformës për të cilën ai, e bashkë me të edhe ky Baze, e përdorin të vërtetën që shpaloset me vendimet për korrupsionin si anestezi për  manipulimin e radhës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.