Netanjahu miraton ndërtimin e ambasadës së përhershme amerikane në Jerusalem

Qeveria e Izraelit ka miratuar një vendim me të cilin i hap rrugë ndërtimit të ambasadës së përhershme të Shteteve të Bashkuara në Jerusalem.
Sipas vendimit të miratuar nga kryeministri Netanjahu; ministri i Punëve të Jashtme, Gideon Sa'ar, dhe ministri i Ndërtimit dhe Strehimit, Haim Katz, një truall në kompleksin Allenby në Jerusalem do të vihet në dispozicion për ndërtimin e selisë së re diplomatike.
Zyrtarët izraelitë e cilësuan këtë si një vendim të rëndësishëm që përmbyll një proces të nisur vite më parë, që e ka origjinën te vendimi i Trump në 2018, për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të zhvendosur ambasadën amerikane në këtë qytet.
Në atë kohë, vendimi u interpretua si njohje zyrtare e statusit të qytetit si kryeqytet i Izraelit. Ky hap erdhi si pjesë e një ndryshimi të rëndësishëm në politikën amerikane në Lindjen e Mesme.
Vendimi i fundit shihet si një vazhdimësi e këtij procesi, duke synuar forcimin e pranisë diplomatike amerikane në qytet në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Në deklaratat zyrtare të Izraelit theksohet bashkëpunimi i ngushtë mes dy aleatëve, në një kohë kur ata qëndrojnë krah për krah përballë sfidave të përbashkëta në rajon, përfshirë kundërshtimin ndaj regjimit iranian.
Në vitin 2018, vendimi i Trump u pasua nga reagime të forta ndërkombëtare. Ky veprim nxiti zemërim te palestinezët dhe në shumë vende arabe, të cilët e kundërshtojnë njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, duke e konsideruar statusin e qytetit si një çështje që duhet të zgjidhet përmes negociatave.

Add new comment