Pushtimi teknologjik i mendjes!

Kjo është një fjalë e mbajtur në vitin 1998 nga Neil Postman, intelektual dhe kritik i njohur në SHBA. Duke marrë temën e teknologjisë dhe ndikimit të saj në jetën tonë, Postman shtron gjashtë pyetje kryesore për atë që trajtohet përherë si përparim i pandalshëm i teknologjisë.
Çfarë problemi zgjidh teknologjia, cfarë problemi të ri krijon, kush përfiton nga teknologjia e re, këto janë disa prej pyetjeve që në thelb riafirmojnë dilemën e përjetshme të njeriut: ne nuk i shpëtojmë dot vetes me asnjë lloj inovacioni.
Megjithatë Postman e shenjonte qysh atëherë kohën që po vinte me mijëvjeçarin e ri si Epoka e Teknologjisë, një bindje e elaboruar prej tij në librin “Teknopolis”, për shkak se teknologjia po merr atributet e çdo aspekti të jetës ekonomike dhe kulturore.
Pse ka vlerë kjo qasje sot? Ka vlerë për shkak se ajo adreson pasojën nisur nga një perspektivë njerëzore, thellësisht njerëzore, jo strikt ekonomike apo sociale siç bëhet zakonisht. Pikëpamjet e Postman sidomos për shoqërinë amerikane, konfirmohen sot me luftën në Iran, që po marketohet si një videogame ku ka vetëm një fitimitar dhe një shoqëri që argëtohet duke shpërfillur shkatërrimin(Amusing Ourselves to Death...). Diçka e thelllë është thyer brenda koinesë njerëzore; sistemi me prerogativat e veta është shndërruar në paradigmën kryesore të optikës njerëzore, e cila ka kaluar në letargji përfundimtare.
Ne do të flasim më shumë me makinat sesa me njerëzit
Ky paralajmërim është tashmë realitet i përditshëm dhe për nga ndikimi është vetëm fillimi. Entuziazmi për zbulimet e reja teknologjike, etja për fitim pas tyre e gjetën të papërgatitur shoqërinë njerëzore që të përgjigjej si duhej. Mjafton të kuptohet sesi instinkti se “më shumë informacion sjell më shumë dije” u shndërrua në premisë për teknologjizimin e shkollës, me pasoja shkatërrimtare.
Por më e rëndësishmja: Postman, edhe me mënyrën sesi flet, parashtron na kujton se Të Menduarit, Reflektimi, nuk është më privilegj i disa mendjeve, është detyrë urgjente për mbijetesën e kulturës dhe qytetërimit. Përndryshe makinat do të shkruajnë dikur historinë e fundit të njeriut: atë të Harresës!
s.zaimi

Add new comment