Prezumim Pafajësie apo prezumim Paprekshmërie?!

Edi Rama po ndërton gradualisht një front kundër Prokurorisë së Posaçme – SPAK – por edhe potencialit procedues të drejtësisë të re. Pas një heshtjeje të gjatë dhe me thyerje sporadike, kryeministri i Shqipërisë u shfaq në një takim me përfaqësues të PS-së për të akuzuar SPAK se nuk ka sjellë asnjë provë të vetme për kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj.
Pak ditë më pas, gjykata nxori me shërbim prove disa zyrtarë të Bashkisë nën hetim për dosjen “5D”. Mund të jetë rastësi..
Nuk është vetëm ky rast. Në lojë është futur edhe Fatmir Xhafa, që vepron si koka me thinja e Erjon Veliajt në PS, i cili kërkoi pak muaj më parë monitorim të SPAK, një kërkese që është qarkulluar sot si lajm nga Top-Channel. Ndërkohë që kryeministri, zëdhënësi i të gjitha marrëzive të reformës së vitit 2016, ka shpërndarë sot pronocimet e dy zyrtarëve të gjyqësorit italian Nicola Lettieri, Zëvendës Prokuror i Përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë që del kundër “dyshimit të arsyeshëm” si premisë procedimi dhe Gianluca Esposito Drejtori i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit, Këshilli i Europës, që është shprehur i alarmuar nga numri i lartë i të paraburgosurve në Shqipëri.
Mandej ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka komentuar vendimin e GJKKO-së për Belinda Ballukun duke komentuar fijen barit se “ministrat gëzojnë imunitetin e deputetit” edhe pse Pezullimi nuk lidhet me imunitetin. Balluku mandej njoftohet se ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë që mesazhet e celularit të ish-drejtorit të ARSH-së, Ervis Berberi, të mos cilësohen provë, kur vetë Berberi kërkon gjykim të shkurtuar duke nënkuptuar se pranon vërtetësinë e tyre.
Kjo zhurmë e madhe mediatike për ndjekjen penale në Shqipëri vjen në kundërvajtje me interesin e shprehur të BE-së që sot përmes raporterit të PE-së për Shqipërinë, Andreas Schiefer, ka kërkuar që puna e SPAK të mos minohet pasi do të ketë pasoja serioze.
Pse e gjitha kjo?
Kjo vjen për arsye se burgosjet e njëpasnjëshme të bashkëpunëtorëve të z. Rama, kanë diskredituar përfundimisht parimin e prezumimit të pafajësisë dhe padijenisë së kryeministrit që herët apo vonë do të duhet të thirret edhe si person në dijeni.Në rendin e ngjarjeve të njëpasnjëshme ku verifikohet një fakt penal me përgjegjësi institucionale dhe pasojë financiare, është logjikë formale të hulumutohen të gjitha ndërveprimet. Kryeministri është një zyrë me pushtet ekzekutiv dhe prerogativa audituese dhe kontrolluese. Padijenia është teknikisht e pamundur.
Kjo vjen për arsye se shpresa se nervat e të gjithëve do të mbajnë nga burgu, sa vjen dhe bëhet aventureske.
Vjen po ashtu nga fakti se ndjekja penale e ushtruar nga SPAK dhe konfirmuar nga GJKKO si panel nën suzerenitetin ndërkombëtar i rri ngushtë dhe e shtrëngon z. Rama që është qartazi shumë i shantazhueshëm.
Dhe vjen sidomos për faktin se ndjekja penale për kontrata publike do të kalojë natyrshëm në domenin e pasurisë dhe kjo është shumë e rrezikshme. Teknika e gjetur na thotë një gjë tjetër: z. Rama ka zgjedhur të godasë mediatikisht drejtësinë e re penale për të zbehur mbështetjen publike që ka prokuroria e posaçme, mbështetje të cilën e krijoi në fillim vetë. Sepse nuk mund t’i lejojë vetes përballje të drejtpërdrejtë.
Nuk ka në këtë mes asnjë shqetësim për drejtësinë dhe për të korrigjuar diçka për mirë. Qeveria është aktualisht një kope e kapur nga paniku që ecën me institnkt pa mbrojtjen e asnjë zagari. Nuk mund të ketë shqetësim drejtësinë një kryeministër që urdhëron miratimin e Kodit Penal në atë mënyrë. Apo një kryeministër që për vite të tëra, për çdo masë ndaj bashkëpunëtorëve të tij ka bërë vetëm avokatin, interpretin dhe asnjëherë nuk është distancuar.
Lufta e tanishme ndaj drejtësisë bëhet për interesin e një grupi në qeveri, në shumicën qeverisëse dhe nga opozita. Ajo bëhet për të pamundësuar ndëshkimin penal për korrupsionin strukturor të shtrirë ndër vite, korrupsion që në thelb ka përmbushur si objektiv kryesor ndarjen e pasurisë publike që tani duhet të legjitimohet.
Është një luftë që e vendos një pjesë të shoqërisë përballë qeverisë së vet, që ka një synim: të mos lejojë formalizimin e kontratës shoqërore të tregut, konkurencës dhe sigurive juridike që e pasojnë dhe kushtëzojnë të dyja krahas lirive bazë. Për ta mbajtur Shqipërinë hibride.
Kushdo mund të ta ketë vënë re që askush më te shumica nuk e përmend më termin Rilindje. Aq shumë i pompuar vite më parë. Sepse Rilindja siç u shërbye në trupin e shtetit shqiptar pasoi me vdekjen shpirtërore dhe besimit te vetë Shqipëria. Një vdekje që është shumë më e rrënjosur sesa në kohën e regjimit të Hoxhës që me dhunë e me terror arriti të mbante një pushtet të formuar nga krimi politik gërshetuar me narrativë dhe ligjërim opitimist dhe shndërrues.
Sot Rilindja e z. Rama ka kriminalizuar administratën dhe shërbimin publik dhe pasoja janë ku e ku më të thella sesa krimi politik që në fund të fundit shërbente edhe për të verbuar deri në fund çdo qelizë shtetërore me bindje absolute dhe një rend personal. Si për çdo pushtet që personalizohet kaq shumë dhe që e bën fjalën e një individi të vetmin imperative, ne mund të pyesim: me gjithçka që po ndodh dhe po synohet, çfarë tradhëton z. Rama: (Pa)fajësinë e tij, apo paprekshëmrinë?
Si duhet ta prezumojmë ne pra kryeministrin në dritën e veprimeve që po bën: si një I Pafajshëm nën kërcënimin e SPAK, apo si një të Paprkeshëm që po i ngushtohet laku?

Add new comment