Kompleksi i Karontit

Postuar në 21 Janar, 2026 20:19
Skerdilajd Zaimi

 

Është e vështirë të gjurmohet në histori një brez si ky yni. Brezi i lindur në vitet ’70 të shekullit të kaluar, përvoja historike, sociaale, kultuore dhe njerëzore e të cilit i është nënshtruar një regjimi ndryshimesh të paprecedenta. I parritur mirë për të kuptuar kuadrin e Luftës së Ftohtë, apo peshën e një regjimi totalitar, ky brez mori megjithatë një shije nga “ajo kohë” por duke distiluar prej saj vetëm anën e rendit dhe referimit të qartë identitar dhe kulturor. Një rend me Kauza të mëdha patjetër që e kontaminon përgjithnjë etikën e individit duke e çuar shpesh në një nostalgji të rrezikshme mbi të pavërtetën dhe duke romantizuar një kadavër me rrezik epidemik.

Vitet ’90 inauguruan një erë të Lirisë, jo duke sugjeruar diçka krijuese, por duke ekzaltuar shpërbërjen e një të vjetre. Nga koha e kolektivitetit erdhi koha e individit, madje individualizimit ekstrem, që erdhi dhe humbi energjinë e vet krijuese në psikologjinë sunduese të konsumit. Për ne si shqiptarë, rënia e komunizmit ishte një gjetje terminologjike e rrejshme, pasi koha ikën dhe kushdo kupton se as komunizëm nuk pati, as marksistë dhe marksizëm jo e jo, por vetëm një kapitalizëm shtetërorë nën drejtimin e një kuptole feudalo-sektare.

Kjo krizë e orientimit të ndërgjegjes në fushën magnetike të Lirisë së dhuruar pësoi shok në serinë e ngjarjeve madhore që prekën vendin tonë: 1997, Kosova si përmbushje fatlume por jo e lavdishme e një aspirate, tranzicioni i pafund, Europa dhe korrupsioni. Individi shqiptar i këtij brezi endet kuturu nën tërheqjen e garës së konsumit me brengat e autosugjetionuara të kulturës së vjetër.

Brezi ynë është ndoshta i pari që erdhi në jetë në kohën e televizionit, u shenjua prej diktaturës së tij siç e përkufizoi dikur Pasolini, përtë mbërritur relativisht herët në kohën e re të internetit. Që solli me vete edhe dënimin kapital të Librit si lëndë kryesore e repertorit intelektual. Të gjitha këto kalime për së gjalli japin një mundësi për të kuptuar më mirë dukurinë e Zhdukjes si proces asgjësimi në bashkëjetesë me të renë. Kultura jonë amendohet përditë me të renë e kohës që është në fakt një mënyrë alternative për të bërë gjërat e vjetra.

Dashur pa dashur detyrohesh të pranosh se kultura dhe referimi personal nuk janë autonome, të pavarura. Sistemi I vlerave sado universal të jetë, ai varet dhe vepron në përputhje me sistemet politike. Dhe gjeopolitike.

Zhvillimet që prekën brezin tonë janë kryekëput derivate të gjeopolitikës ndërkombëtare edhe për shkak se për herë të parë në histori njerëzimi I ka ikur patologjisë imunitare të Izolimit. Teknologjia e informacionit e imponon një gjë të tillë. Emigracioni masiv po ashtu e ka zhvilluar ndryshe valencën informative dhe referencën kulturore.

Në këtë kuptim, zhvillimet e fundit që zyrtarizojnë me gojën e të fuqishmëve të kësaj bote fundin e rendit ndërkombëtar bazuar mbi rregulla, në thelb na njoftojnë edhe se Siguria jonë, që e kemi konsideruar si të mirëqenë, si të dhënë, po merr fund. Ajo do të zëvendësohet nga një tjetër siguri, nën ombrellën e kauzës ekonomike e cila eventualisht e bën njeriun të lëshojë edhe më tej prerogativat e sovranitetit të vet deri më dje të mishëruar në ligje dhe kode të gjithëpranuara. Ka diçka nga era koloniale në këtë që po shihet sot.

Në vitin 1991 Bashkimi Sovjetik pësoi kolaps. Ai implodoi krejt papritur, por funerali i tij që nisi me një lëvizje juridike në Estoni, nuk solli rrëzimin e rendit ndërkombëtar. Ose ashtu u duk. Kolapsi i BS-së solli zhbërjen e rendit politik të Europës Lindore dhe me të edhe në Shqipëri. Por Rusia që e pasoi, u akomodua në rendin ekzistues pas iu mohuar asnjë e drejtë e kodifikuar në vitin 1945. Si në të gjitha rastet e njohura historike, edhe kjo kaloi duke injoruar rëndësinë e dialektikës historike e cila e solli paralajëmrimin e parë në vitin 2005, kur presidenti rus, Putin e cilësonte kolapsin e BS-së si katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të 20-të. E artikuluar në dritën e zgjerimit të NATO-s, krijimit dhe suksesit të BE-së, ajo deklaratë në të vërtetë përputhej saktësisht me atë që kishte thënë 60 vjet më parë diplomati amerikan, George Kenan, kur në të famshmin Telegram i Gjatë thkesonte se:

Linja e Partisë nuk reflekton optikën natyrale të popullit rus. Rusët janë gjerësisht miqësorë me botën e jashtme, të etur për ta përjetuar atë, të etur të maten me talentet që janë të vetëdijshëm se i kanë, të etur përmbi të gjitha të jetojnë në paqe dhe të gëzojnë frytet e punës së tyre

Për të shënuar pak më poshtë në mënyrë domethënëse:

Në themel të optikës neurotike të Kremlinit për çështjet e botës qëndron sensi instinktiv tradicional rus i pasigurisë

Forma arkaike e qeverisjes, konkurenca kulturore e Perëndimit zhvilloi sensin e mbylljes dhe pasigurisë që në bashkim me drejtimin monastik të krishtërimit ortodoks që Berdayev e cilësonte si strehën e fundit psikologjike të rusit, zhvilloi një antropologji politike të qartë në Europë, një nomenklaturë origjinale pushteti.

Ky pushtet i ngritur mbi pasigurinë erdhi e gjeti siguri ndërkombëtare me Bashkimin Sovjetik që për paradoks kishte si idologji zyrtare revolucionin dhe ndryshimin radikal. Perdja e Hekurt ishte patjetër edhe perdja e fshehjes së kësaj pasigurie politike që antagonizon “prirjen natyrale” të rusit. Ne të gjithë kemi qenë të kapur në morsën e dy psikologjive që vepruan pa kuptuar edhe mbi mënyrën sesi u hartuan kodet e të drejtave, siguritë që erdhën me to dhe stabiliteti global që e pasoi. Kjo morsë ka krijuar çikatrice të qarta mbi identitetin urban të çdo qyteti europian, të kulturave të ashtuquajtura kombëtare që zëvendësuan pa ndier Sigurinë dhe Kreativitetin e lirë.

Sot që bota po lundron pa busull është insitnktive të kërkohet një rivendosje në balancën e vjetër. Kaq shumë është atrofizuar kujtesa e përgjithshme. Megjithatë kriza e sistemit të tanishëm që na prek të gjithëve, të cilën nuk dimë ta formulojmë mirë dhe as ta kuptojmë si duhet, meriton të vihet në sprovën e deklaratës së Putin. Pasi mund të pyesim: a mund të bënte sot SHBA këtë që po bën me një BS përballë?

Në një botë të cilës i induktohet vetëm forca si parim, çfarë vendi ka Shqipëria? Çfarë zëri dhe çfarë të drejtash? Çfarë është shqiptari në këtë botë? A ka më kuptim praktik efektiv Nocioni i shtetit-komb si model garancie dhe zhvillimi?

Pyetje si këto shtrojnë një problem themelor: nevojën për një narrativë të re. E cila nuk i drejtohet një brezi mosbesuesish si yni, i zhveshur nga çdo aftësi për të ndjerë më diçka si të sigurtë, por të ardhmes së afërt. Një njeriu tjetër ndoshta që nuk do të vuajë nga ai që mund ta quajmë si kompleksi i Karontit, përherë në lundrim me të gjithë shpirtrat, por asnjëherë destinacion. Asnjëherë në stere, i dënuar për të mos cekur “një kep të Shpresës së Mirë”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.