Nuk përjashtohet një ngërç i ri politik në Kosovë
Ekspertja për Ballkanin, Frauke Seebass, nuk e përjashton një bllokim të ri në situatën politike të Kosovës, pavarësisht ripërsëritjes së zgjedhjeve parlamentare.
Në një intervistë për “Evropa e Lirë”, ajo shprehet se dialogu mes palëve politike mbetet e vetmja zgjidhje.
Gjithçka do të varet nga rezultati i zgjedhjeve. Vetëvendosje shpreson për një shumicë kaq të madhe sa të mund të qeverisë e vetme ose "vetëm" me mbështetjen e pakicave, të cilave Kushtetuta u garanton një numër të caktuar vendesh. Kjo taktikë dështoi pas zgjedhjeve në shkurt.
VV mund të përpiqet në rast të një rezultati zgjedhor të ngushtë, të bindë politikanë individualë nga partitë e tjera që të mbështesin koalicionin. Aleanca me PSHDK-në e vogël para zgjedhjeve (përveç Guxo dhe Alternativës), partnerë tradicionalë të LDK-së, është një tregues i kësaj. Por është gjithashtu e mundur që partitë opozitare të mund të mobilizojnë mbështetje të mjaftueshme për të formuar një qeveri pa VV-në, megjithëse shanset për këtë janë të pakta. Nëse kemi një rezultat të ngjashëm si në shkurt, një bllokim i ri nuk është i pamundur.
Seebaass kritikon qasjen e Albin Kurtit në raport me partitë opozitare.
Para së gjithash ky lidhet kryesisht me qëndrimin e tij pa kompromis, me të cilin ai i shpalli luftë "elitave të korruptuara" dhe, në fakt, të gjitha partive të tjera. Para zgjedhjeve të shkurtit, VV synonte të rifitonte një shumicë konstituuese, ndërsa partitë e tjera të mëdha e pozicionuan veten para së gjithash në opozitë me Albin Kurtin, kjo çoi në një atmosferë të helmuar mes tyre. Pas farsës për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, që iu atribua Kurtit si pengesë e qëllimshme, nuk mbeti më ndonjë hapësirë për kompromis. Nëse Kurti nuk ia del të angazhohet në dialog me partitë e tjera, pritet një bllokim i mëtejshëm.

Add new comment