Si avullojnë miliarda dollarë në parajsat fiskale të Europës dhe SHBA-ve

Parajsat tatimore nuk janë vetëm në ishujt e largët të Karaibeve. Shumica e parave që u shmangen taksave përfundojnë në vendet perëndimore që garantojnë regjime të favorshme tatimore dhe një nivel të lartë sekreti, dhe ku shumëkombëshet transferojnë mesatarisht 1.1 trilion dollarë çdo vit, 16% të fitimeve të tyre. Po flasim për qindra miliarda të vjedhura nga qeveritë çdo vit. Në fakt, këta gjigantë janë ata që futen në xhepat e qytetarëve, duke vjedhur burime të destinuara për shërbime publike thelbësore si shkollat, kujdesi shëndetësor dhe infrastruktura. Le të shohim se si funksionojnë këto mekanizma ligjorë kufitarë në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Evropian.
6.55 trilion dollarë të transferuar në 6 vjet
Planifikimi agresiv tatimor është një formë e shmangies së taksave që shfrytëzon ndryshimet dhe boshllëqet midis sistemeve të ndryshme ligjore në avantazh të korporatave të mëdha. Sipas raportit të fundit të Rrjetit të Drejtësisë Tatimore, një organizatë joqeveritare që ka monitoruar ndikimin e parajsave tatimore në ekonominë globale për vite me radhë, midis viteve 2016 dhe 2021, korporatat e mëdha transferuan mbi 6.55 trilionë dollarë në vendet me taksa të ulëta, duke shkaktuar zhdukjen e afërsisht 1.717 miliardë dollarëve të të ardhurave tatimore. Në krye të listës janë korporatat amerikane, të cilat shmangën 495 miliardë dollarë të ardhura tatimore.
Por si funksionon në praktikë ky mekanizëm, i quajtur çmimi i transferimit, përmes të cilit kompanitë shmangin pagesën e të gjitha taksave aty ku gjenerohen fitimet në të vërtetë? Kompania shumëkombëshe amerikane, e cila operon në disa vende evropiane, i fryn kostot e filialeve të saj të vendosura në vendet me taksa të larta (si Italia ose Franca) duke shitur të drejtat e patentave ose asete të tjera jomateriale. Kjo zvogëlon fitimet lokale dhe i zhvendos fitimet në degën e grupit në Luksemburg, ku taksat janë dukshëm më të ulëta. Falë këtyre strategjive, kompanitë amerikane kanë gjeneruar 24% të fitimeve të tyre globale në vendet me taksat më të ulëta. Destinacionet më të njohura janë Irlanda, Gjibraltari dhe vetë Shtetet e Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara
Shtetet e Bashkuara janë bërë një nga parajsat kryesore tatimore në botë. Për vite me radhë, gjashtë shtete (Delaware, Wyoming, New Mexico, Nevada, Alaska dhe Dakota e Jugut) kanë ofruar norma preferenciale tatimore ose anonimat të korporatave.
Kapërcimi i madh ndodhi në vitin 2017, gjatë presidencës së parë të Trump, me miratimin e Aktit të Uljes së Taksave dhe Punësimit, një ligj federal që uli normën e taksës mbi të ardhurat e korporatave nga 35% në 21% dhe futi një zbritje të mëtejshme në riatdhesimin e fitimeve të gjeneruara jashtë vendit. Të parat që përfituan ishin kompanitë e mëdha të teknologjisë, të cilat riatdhesuan një pjesë të madhe të fitimeve të tyre, kryesisht të parkuara në Luksemburg, Bermuda, Holandë dhe Porto Riko. Kështu, duke kombinuar uljen e normës dhe zbritjen e riatdhesimit, Meta pati normë tatimore prej 8.4% vitin e kaluar. Në vitin 2016, norma e saj efektive e taksës mbi fitimet tejkaloi 33%. Ata që nuk kanë përfituar janë qytetarët amerikanë: pagat e paguara nga shumëkombëshet kanë ngecur, punësimi nuk është rritur, ndërsa sistemi tatimor ka humbur 574 miliardë dollarë, pothuajse gjysma e të cilave i atribuohet kompanive amerikane.
Në mandatin e dytë të Trump, punët u shkojnë akoma më mirë shumëkombësheve amerikane: presidenti ka njoftuar tërheqjen e tij nga marrëveshja Globale e OECD-së për Taksën Minimale, e miratuar nga më shumë se 140 vende në mbarë botën në vitin 2021, dhe tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga negociatat për të krijuar një Konventë Kornizë të Kombeve të Bashkuara mbi Bashkëpunimin Ndërkombëtar Tatimor. Ai gjithashtu ka kërcënuar me taksa doganore vendet që vendosin taksa dixhitale ose vendosin kufizime rregullatore në operacionet e kompanive të teknologjisë amerikane: "Shtetet e Bashkuara," përfundon Rrjeti i Drejtësisë Tatimore, "janë bërë një kërcënim i qartë për sovranitetin tatimor të vendeve, përfshirë edhe të vetin".
Britania e Madhe
Britania është përgjegjëse për 23% të humbjeve globale tatimore të gjeneruara nga korporatat e mëdha. Për shembull, Ishujt Virxhin Britanikë dhe Ishujt Kajman nuk taksojnë të ardhurat e korporatave dhe nuk kërkojnë paraqitjen dhe publikimin e pasqyrave financiare të kompanive. Në të vërtetë, këto dy ishuj kanë përqendrimin më të lartë në botë të kompanive të regjistruara në raport me popullsinë. Aty afër janë edhe Ishujt e Kanalit (Manchester, Jersey dhe Guernsey). Në Bermuda nuk taksohet dividenti dhe fitimet kapitale. Këto territore autonome, ndër të tjera, lehtësojnë transferimin e flukseve të paligjshme financiare dhe përdoren për të pastruar fitimet nga evazioni fiskal dhe pastrimi i parave. Në qendër të të gjithë rrjetit është Qyteti i Londrës, i cili vepron si një qendër financiare: kompanitë i kanalizojnë fitimet e tyre atje "pasi i kanë devijuar ato përmes juridiksioneve satelite, në mënyrë që të paguajnë më pak taksa diku tjetër". Por ky fluks i madh parash që udhëton nga një pjesë e botës në tjetrën nuk prodhon asnjë përfitim për popullsinë britanike. Në total, shumëkombëshet që operojnë në Mbretërinë e Bashkuar i kanë shkaktuar qeverisë një humbje të të ardhurave prej mbi 53 miliardë dollarësh midis viteve 2016 dhe 2021. Megjithatë, nga viti tatimor 2024, ato do të detyrohen të paguajnë Tatimin Minimum Global, i cili vendos një taksë minimale prej 15% mbi fitimet për grupet me xhiro globale që tejkalon 750 milionë euro, pavarësisht se ku fitohen ato.
Bashkimi Evropian
Taksa minimale globale do të zbatohet edhe në BE, dhe ashtu si në Londër, deklarata e parë tatimore duhet të dorëzohet deri më 30 qershor 2026. Për më tepër, shumëkombëshet do të duhet të publikojnë një raport vjetor me informacion mbi të ardhurat, fitimet dhe taksat e paguara në secilin vend anëtar për të inkurajuar transparencën tatimore. Megjithatë, BE mbetet një peizazh i larmishëm: aktualisht, ekzistojnë 27 sisteme të dallueshme tatimore dhe ndryshime të mëdha në taksat e korporatave, duke filluar nga 29.9% në Gjermani deri në 9% në Hungari.
Si e lufton Brukseli evazionin fiskal
Multikombëshet në BE duhet të:
1) paguajnë Tatimin Minimal Global
2) publikojnë një raport vjetor me informacion mbi të ardhurat, fitimet dhe taksat e paguara në secilin vend anëtar
Miratimi i direktivave të përbashkëta tatimore kërkon unanimitet, por përpjekjet e Brukselit për të harmonizuar normat e taksave pengohen nga një listë e gjatë vendesh që konsiderohen parajsa të vërteta tatimore brenda BE-së, mes të cilave Luksemburgu, Irlanda, Holanda, Belgjika, Malta dhe Qiproja. Luksemburgu është qendra e dytë më e madhe financiare në botë për fondet e investimeve (5.6 trilionë euro në asete nën menaxhim), ku ndodhen 115 banka ndërkombëtare dhe shumëkombëshe të shumta, duke përfshirë ArcelorMittal, Amazon, Spotify dhe kompaninë holding Aylo, kompania më e madhe e pornografisë online në botë. Norma nominale e taksës korporative këtu është 23.87%, por norma efektive e taksës për shumë kompani holding është shumë më e ulët sepse vendi ofron taksa të ulëta ose zero mbi të drejtat e autorit, dividentët dhe interesat.
Në vitin 2014, skandali LuxLeaks zbuloi marrëveshje sekrete midis autoriteteve tatimore të Luksemburgut dhe të paktën 350 kompanive dhe bankave ndërkombëtare, duke përfshirë Apple, Amazon, Ikea, Pepsi, UniCredit dhe Intesa Sanpaolo, të cilat paguanin më pak se 1% taksë mbi fitimin.
Në Irlandë është selia evropiane e Apple, Microsoft, Meta, Google, Shein dhe gjigantëve farmaceutikë si Pfizer dhe Eli Lilly. Aty zbatohet një normë tatimore korporative prej 12.5%, një nga më të ulëtat në Evropë. Me kalimin e viteve, shumë kompani shumëkombëshe e kanë ulur më tej barrën e tyre tatimore duke përdorur manovra komplekse financiare që garantojnë zbritje dhe kredi tatimore të konsiderueshme, duke ulur kështu në mënyrë drastike bazën tatimore. Apple kishte arritur një normë tatimore të korporatave prej 0.05%, aq sa në vitin 2016 Komisioni Evropian e gjobiti atë me 13 miliardë euro.
Rezultati përfundimtar i këtij sistemi është një humbje neto për vendet më të mëdha të BE-së, më të populluara dhe ato që kanë më shumë nevojë për të ardhura tatimore, në mënyrë që të garantojnë shërbime cilësore për qytetarët e tyre.
Nga viti 2016 deri në vitin 2021, 116 miliardë euro i kanë rrjedhur Francës, 110 miliardë euro Gjermanisë, 33 miliardë euro Spanjës, 22 miliardë euro Italisë dhe 17 miliardë euro Polonisë.
Përkthimi: Gazmira Sokoli

Add new comment