Flama globale e analistëve dhe këshilltarëve

Postuar në 06 Nëntor, 2025 12:35
Skerdilajd Zaimi

 

“Politico” shkruan sot për trashëgiminë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe ndikimin apo cilësinë e tij. Për ta argumentuar këtë, media në fjalë sjell mendimet e Alain Minc, që cilësohet si mentori politik i Macron dhe madje një këshilltar me ndikim në politikë.

Ka dy qëndrime të MInc: një para tetë vjetësh kur ai e krahasonte Macron me gjeneralët e Napoleonit: i bekuar me talent dhe fat. Sot, Minc ka tjetër mendim: Macron sipas tij është presidenti më i keq i Francës që nga nisja e Republikës V.

Ai po lë një peizazh politik në Franë që është ndoshta në mënyrë permanente I paqëndrueshëm. Është e pafalshme. Macron po refuzon realitetin dhe është i shtypur nga psikologjia e tij

citohet Minc.

Çështja që kla rëndësi këtu nuk është thjesht te Macron, pra sa president i mirë apo i keq është ai. Pasi këtë do ta ndajë historia dhe historigrafia. Ajo që ngre peshë është roli deformues dhe manipulues që kanë këshilltarë publikë si Minc, që teksa parakalon në sytë e publikut si një profet i politikës, nuk e ka për gjë të zhgënjehet po aq sa një votues me formim elementar.

Cila këshillë të shtyn të ndjekësh balistikën e kalimit nga një Napoleon, në një narcist që po shkatërron vendin? Dhe cili moral të autorizon të vazhdosh të quash veten këshilltar? Vetëm një: graviteti i suksesit. Nuk ka asgjë analitike aty, por vetëm intuitive.

Pozicione të tilla si këshilltari, apo analisti politik kanë alienuar kuptimin për politikën, pasi në çdo rast kjo kategori është aty për të mbajtur yzengjitë e atyre që ngjiten, jo për të diskutuar apo shpjeguar politika. Sepse të tilla, që të jenë të ndara nga suksesi personal, mesa duket nuk ka më. Por edhe sepse suksesi spektakolar i dikujt asociohet me rritjen e autoritetit të atij që e paratha. Në këtë kuptim, kjo kategori është në në mënyrë apo tjetër një lloj oborri apo eunukë haremi në skenën  politike, roli i të cilëve është artificial.

Nuk ka një këshilltar të vetëm nga këta që kanë kredenciale të larta besueshmërie që të parashikonte ardhjen e Donald Trump dhe vendimet që ai ka marrë dhe po merr. E megjithatë ata janë aty, profetë dhe zëdhënës të së ardhmes, po aq sa kritikë dhe moralizues të së tashmes.

Nëse lexon Minc, do vërehet se “ftohja e tij me Macron erdhi pas disa hapave të gabuar të presidentit”, ndërkohë që është e vështirë të ndash nëse këto hapa cilësohen të tillë në raport me imazhin, apo qeverisjen. Për ta kuptuar këtë dikush mund të pyesë: çfarë këshille i duhet dhënë një kryeministri në Francë përkundër sfidës me buxhetin dhe nevojën imediate të uljes së borxhit? D.m.th si ta adresosh problemin pa cenuar popullaritetin? Nuk ka këtu asnjë lloj këshille veç njërës: merr përgjegjësinë për ta bërë!

Trajektorja e 30 viteve të fundit në politikën ndërkombëtare shpjegon dhe shpjegohet me rolin eksponencial të medias dhe identifikimit të politikës dhe politikanit me frekuencën e proteagonistit në të dhe ky është një kurth që mbahet dhe ushqen pikërisht këta soj këshilltarësh. Të cilët patjetër që duhet të jenë dhe kanë dobi, por jo në atë marrëdhënie të papërshtatshme që I mvesh ata me autoritetin e rremë të ndërmjetësimit mes pushtetit, politikanit dhe opinionit publik. Koha që jetojmë dhe sidomos një dukuri si Donald Trump provon një të vërtetë të vjetër: ai që është në krye nuk mund të jetë manekin dhe as arlekin. Ai është ai që duhet të vendosë në prizmin e analizës dhe objektivit megjithë gabimet, fajet dhe meritat që pasojnë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.