Suksesi i të Keqes!

Postuar në 16 Shtator, 2025 18:57

Sot paradite kryeministri Edi Rama njoftoi që në mëngjes se ishte në Bruksel për hapjen e disa kapitujve për integrimin.

Në drekë u njoftua po prej tij se hapja e grupkapitujve nga Shqipëria përfaqëson një rekord më vete. Sepse janë hapur shumë për një kohë të shkurtër, diçka që Marta Kos, një nga këto zyratret e tipit Mogerini e ka konfirmuar me “befasinë për përkushtimin”.

Në orët para të pasdrekës u njoftua se z. Rama nesër do jetë në takim me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Meriton të theksohet se NATO pa SHBA është një OJQ, por megjithatë lajmi kaloi me rëndësi publicitare.

Në orën 18:00 z. Rama doli sërish me një status për Hashim Thaçin në Hagë duke referuar dëshminë e James Rubin. Për z. Rama procesi i Hagës po njollos drejtësinë ndërkombëtare. Të theksojmë këtu se pretendime ndaj Hagës ka edhe një pjesë e administratës Trump, ndaj kënga e z. Rama në këtë rast shkon edhe për llogari të tjera.

Në një ditë të vetme z. Rama ka dalë disa herë për të njoftuar llafe. Gjëra që kanë ndikim në punën e tij dhe jo të njerëzve.

Një fjalë e këtij njeriu, ciladoqoftë merret e qarkullohet si dekret mbretëror, si ultimatum hyjnor dhe sërish Shqipëria trajtohet si demokraci funksionale, si shtet që ka përparim në çdo fushë.

Është një tallje që e rrit faturën në vijimësi, në progresion me zullumin që e ushqen. Sepse hipokriza ka vetëm një kolateral: shpagimin dhe anarkinë. Ku më herët e ku më vonë, zvetënimi i çdo vlere do prodhojë atë aksident të domosdoshëm për të shkarkuar forcat e një ekuilibri të rremë.

Mashtrimi dhe manipulimi janë enzimat e ekosistemit ku harliset qenia politike Edi Rama, që nuk ndahet dot nga personi fizik Edi Rama. Asgjë e vërtetë, asgjë pa hile, asgjë prej themeli nga ky lider me katër mandate që premtoi se do sëkëlldiste shumë dhe pa kompromis bejlurçinën dhe prapambetjen e vendit.

Askush nuk beson më madje se ka ndonjë gjë të prekshme dhe pa dublikatë nga ky njeri, që e ka bërë të pamundur edhe një Sozi. Për arsyen sepse neveria dhe pështirosja që provokon janë gjëja më origjinale, janë feromonet e tij që i japin jetë krrupës morale edhe ndaj hijes së kësaj siluete dhe qulli të së keqes që ka mbërthyer për fyti vendin.

Ka një pikëpamje që e shpjegon Neverinë dhe Pështirosjen, patogjenike dhe morale me evolucionin. Pra njeriu ka neveri nga patogjenët në funksion të mbijetesës. Mandej neveria sociale dhe morale në emër të kohezionit të grupit. Duhet të pranojmë se ky njeri nuk është përjashtim nga rasti. Ai është modeli kryesor i kulturës së shqiptarëve të këtij brezi, në të gjithë manifestimin e vet. Kështu që refluksi organik që është i dukshëm edhe në të gjitha buzëqeshjet e ministrave, lidhet qartë me domosdoshmërinë e emigrimit nga ky habitat, që megjithë sforcon e madhe është mbytës. Është hipotermik dhe u takon reptilëve. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.