Irfani, Kazani dhe Palloi që qeveris

Postuar në 11 Gusht, 2025 19:27
Skerdilajd Zaimi

 

E mbani mend vite më parë Edi Ramën kur në Francë u prezantua me tri lapsa në xhepin e xhakteës për të nderuar viktimat e sulmit terrorist mbi redaksinë e “Charlie Hebdot”?

Patjetër. Aty u konfirmua me një forcë të re aftësia e këtij palloi për të qenë lajm. Për të rënë në sy, për të promovuar veten duke qenë fasada që vetëtin. Bishti i këtij palloi në atë ceremoni ishin ata që dikur do të quheshin Dinjitarë të shtetit, por që koha i nxori në palaço dhe karagjozë, e disa madje i çoi edhe në burg si hajdutë kronikë.

Fotot janë aty, hapini e shihni.

Zoti Rama ka kërkuar përherë vëmendjen. Ai I ngjan një kurtizaneje që ndjen se mosha po e vë para dhe kur nuk ka çfarë të tregojë, investohet në afera skandaloze. E narkotizon ndërgjegjen e paqetë nga ideja presuese se është një “Ish”, një askuhe, një I zakonshëm, me lodra skenike dhe teatrale. Kur ky film imagjinar nuk ecën siç duhet, atëherë kalohet në krahun tjetër.

Kështu z. Rama ndërtoi një marrëdhënie problematike me gazetarët, meqenëe kishte përplasje me pronarët. Termi “Kazan” u promovua si një gjetje që pajtonte injorancën me ligësinë, mungesën e profesionalizmit me thashethemin, shpifjen, përgojimin. Për qëllime të ditës kryeministri i Shqipërisë, i akuzuar edhe nga protestues studentë se nuk justifikonte dot as shtëpinë e vet, nisi një seri incidentesh me pyetje e përgjigje, që në të vërtetë u sqaruan nga koha. U sqaruan thuajse të gjitha në adresën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Ky historik i një relacioni artificialisht të vështirë mes Edi Ramës dhe medias, ka kaluar tashmë. Ai mund të ketë një vlerë për të trajtuar incidentin e tanishëm në selinë e News24, ku policë të qeverisë kanë bllokuar një godinë të cilën Irfan Hysenbelliu, një nga ata biznesmenët e tranzicionit që dolën nga hiçi, e shfrytëzon prej shumë kohësh.

Kjo marrëdhënie preferenciale, por edhe problemet me të drejtat sociale dhe financiare me gazetarët, ka ndarë njerëz të gazetarisë që e kanë çuar debatin në tonin e Edi Ramës. Qëkur u pyet nga Ylli Rakipi se cili nga pronarët e mediave ishte Kazan, u përgjigj se Irfani ishte një i tillë. Sandër Frangaj dhe Vjollca Hoxha, u mënjanuan nga ky etiketim. Pse? Fytyra e vrerosur e Edi Ramës aty na thotë se nuk kishte këllqe t’I etiketonte. Dhe kjo e bën personin Edi Rama një pis në këtë histori.

Irfan Kazani erdhi kështu në qendër të vëmendjes si dikush që nuk hyn në listë preferencash të një pushteti që në thelb ka vetëm një politikë të vërtetë: politikën e Marrëdhënieve me Publikun.

Ajo që po ndodh sot me një televizion privat ku gazetarë të tij protestojnë për një marrëdhënie administrative apo civile të pronarit me instucionet është një shfaqje që ka ndarë shumëkënd. një I punësuar ka të drejtë dhe është legjitime të protestojë për humbjen eventuale të vendit të punës, por është pak e vështirë të besohet se kjo ndodhi për të mbyllur gojën e gazetarëve apo për të cenuar lirinë e medias në fjalë. Më saktë: për të cenuar lirinë e gazetarëve!

Kjo parashtresë e deformon diskutimin dhe e zhvendos thelbin e diskutimit për lirinë. Një media që pranon të përfitojë një godinë shtetërore për të ushtruar aktivitetin e saj, ka sabotuar lirinë e vet që lidhet me shumë detyrime. Por kjo liri nuk interferon përherë me lirinë profesionale të gazetarëve. Historia e shkurtër por e pasur e mediave online, që zotërohen kryesisht nga gazetarë, provon se liria profesionale nuk është dicka e shenjtë mes komunitetit tonë. Se shantazhi dhe njëanësia e pacipë, kthesat prej neofitësh janë kaq të shpejta, saqë është diskutimi për Lirinë duhet të marrë një emërues të ri. Ai duhet të përfshijë gazetarët, profesionalizmin e tyre dhe sesa zotimi i tyre ndaj Lirisë është i vërtetë.

Zhurma e madhe për të drejtat sa vjen dhe po banalizohet sepse ajo më tepër sesa me përmbajtjen ka të bëjë me ruajtjen e një kufiri paprekshmërie dhe privilegjesh që pak kanë të bëjnë me gazetarinë. Sot që flasim ka shumë gazetarë që kanë vila dhe shtëpi krahasimisht të shtrenjta me pronarët e mediave që janë në fund të fundit, por edhe në pikënisje Biznesmenë.

Ne po jetojmë një kohë ku bëhet përherë e më e vështirë të kuptohet nëse denoncimi është një mesazh i koduar, një letër anonime, apo një fletërrufe. Por kjo është një dukuri që ka përfshirë mediat dhe gazetarinë kudo në botë, jo vetëm në Shqipëri. Këtu te ne, Shantazhi është industria e rëndë e të ashtuquajturit Pushtet i Katërt dhe ky shndërrim e përafron kriminalizimin e ri në Kodin Penal me një logjikë të rrezikshme që ngjan e nevojshme: ose do të ketë vetërregullim etik, ose shpërdorimi do të jetë i tillë saqë do të detyrojë ndërhyrje ligjore!

Patjetër që ky front nuk përfshin reporterët dhe ata që punojnë siç duhet, por edhe jashtë nuk i lë. Sepse profesioni në fjalë është I tillë ku saktësia bashkëlidhet në mënyrë deontologjike me angazhimin. Përndryshe po imitojmë ushtarin e mirë Shvejk! Irfani është sa viktimë aq edhe fajtor, sa edhe Kazani, nga ku ka dalë edhe palloi që qeveris duke u mburrur!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.