A është trafiku i kokainës kontribues në rritjen e sektorit të ndërtimit?

Postuar në 08 Gusht, 2025 18:04

Në njoftimin e sotshëm të SPAK për grupin e trafiut të kokainës të drejtuar ndër të tjerë nga Franc Çopja, evidentohet edhe këto të dhëna:

E.Ç. dhe F.G. organizuan dhe financuan trafikimin e 16.4 ton kokainë…me vlerë tregu prej 1.5 miliard deri 3.5 miliard euro…

Hetimi ka treguar se ky grup kishte ngritur një mekanizëm financiar jashtëzakonisht të sofistikuar për të qarkulluar dhe fshehur të ardhurat nga aktiviteti kriminal. Një prej metodave kryesore ka qenë transporti fizik i parave “cash” nga vendet e BE-së drejt Shqipërisë, duke përdorur shoferë autobusësh kryesisht shqiptar të transportit ndërkombëtar të pasagjerëve. Kjo mënyrë kishte disa përparësi për grupin:

Shoferët, në këmbim të shërbimit dhe rrezikut të marrë përsipër, përfitonin rreth 2% tarifë mbi shumën e transportuar. Këto pagesa bëheshin drejtpërdrejt nga anëtarët e grupit dhe garantoheshin nga personat përgjegjës për menaxhimin e logjistikës financiare.

Përveç transportit fizik, rrjeti përdorte edhe sistemin informal të transfertave të njohur si “haëala” ose “token”, ku shumat e mëdha qarkullonin përmes një zinxhiri ndërmjetësish pa asnjë evidencë bankare. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve kanalizohej drejt Bolivisë, e cila, për shkak të nivelit të ulët të kontrollit financiar dhe pozicionit të saj strategjik, shërbente si nyje kyçe për përfundimin e transaksioneve ndërkombëtare të parave.

Kombinimi i këtyre metodave, transporti fizik me shoferë të besuar dhe sistemi i transfertave informale, i mundësonte kësaj organizate kriminale qarkullimin e qindra milionë Euro cash, duke reduktuar ndjeshëm riskun e sekuestrimit dhe duke siguruar vazhdimësinë e aktivitetit të tij në shkallë ndërkombëtare

Ky aspekt na tregon dy gjëra me rëndësi: qarkullimin e lartë cash të monedhës europiane Euro në Shqipëri dhe nga shqiptarët jashtë saj dhe tjetra, se me 2% e shoferëve, mund të kuptohet një lloj shpërndarje e të ardhurave nga trafiku I kokainës në disa segmente të shoqërisë. SPAK njofton për sekuestrimin e resorteve dhe makinave, ndërkohë që duhet të kuptojmë se mekanizmi i ndalimit të pastrimit të parave nuk ka funksionuar, ose nuk ka rënë në gjurmë të kësaj lëvizjeje pikërisht sepse paratë kanë qëndruar jashtë sistemit bankar.

Por kjo nuk përjashton sasinë e lartë cash të parave në ekonominë shqiptare, që mund të shërbejnë si xhiroja financuese në sektorë të ndryshëm, si ndërtimi, kur deri më sot nuk ka një akt të vetëm sekuestroje për pastrim parash, ose burim të pajustifikuar të parave.

Në një vend ku asnjë institucion nuk merr përsipër ta masë apo të flasë me përafërsi për sasinë e euros cash në qarkullim, çdo spekullim është I ligjshëm. Këtë vit euro ka një rënie me më shumë se dy pikë krahasuar me rënien sezonale verore të vitit të shkuar, që ishte më e madhja. Guernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, analizoi muaj më parë se rënia e euros, ose mbiçmimi i lekut në treg ishte për shkaqe formale si investimet në ndërtim, investimet e huaja direkte, turizmi dhe remitancat. Por rënia e vazhdueshme edhe këtë vit, gjatë të ciit treguesit makroekonomikë nuk kanë lëvizur, e bëjnë të vështirë qëndrueshmërinë e kësaj analize.

Të kemi paraysh se kur një grup shqiptarësh që trafikojnë sasi kokaine në miliarda euro, është objektive të mendohet se një përqindje e tyre mbërrin në Shqipëri dhe hyn në ekonomi në shumë rrugë duke nxitur qarkullim të vazhdueshëm. Kjo as matet, as analizohet konkretisht, por vetëm si “aspekt agregat i një lëvizjeje të tërë”, duke lejuar që ekonomia e vërtetë e këtij vendi, ndërtimi të ecë në dyshimin permanent se po mbahet dhe po justifikon para që nuk janë të ligjshme.

Një tregues për këtë do të ishte ndikimi në treg i goditjeve që po bëhen ndaj disa grupeve që sjell me vete edhe ulje të fluksit informal në tregun e brendshëm.

s.zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.