Të Izoluar

Postuar në 22 Maj, 2025 21:35
Skerdilajd Zaimi

 

Një faqe në Facebook, lunate me një hartë të improvizuar nën titullin: Stereotipet japoneze të Europës. Ose Mbi Europën.

Ushqimi i keq – Anglia

Uiski – Skocia

Çokollata – Belgjika

Të hollë – Franca

Të mirë në futboll – Spanja

Dramatikë – Italia

Drakula – Rumania

Kos- Bullgaria

Verë – Moldavia

Gra të bukura – Ukraina.

Pra kështu e lidhin një vend të caktuar japonezët. Në Ballkan ngjyrat zbehen fare. Por interesante megjthatë.

Jehillëk – Sllovenia

Bregdet – Kroacia

Krenar-Bosnja

Tenis – Serbia

Krenar Mali i Zi

E ndërlikuar – Kosova

Krenar – Maqedonia e Veriut

E Izoluar – Shqipëria.

Në stereotipet europiane hyn edhe Turqia që “E Dashuron Japoninë”.

Ndonëse një lodër në rrjetet sociale, duhet thënë se ajo ilustron disa të vërteta që në fakt lidhen me prezencën në media, pra në informacionin e popullarizuar. Ne pse jemi të izoluar, kurse maqedonasit krenarë?

Është diçka që ndoshta gjen shpjegim në një klishe të ngulitur nga regjimi i Enver Hoxhës, apo përshkrimi që i bëhej atij regjimi kohë pas kohe në vende të ndryshme. Mesa duket është shumë e vështirë të kalohet nga “Vendi i Bunkerëve” te përkëdhelia gjeografike “Vendi i Shqiponjave”, për të vijuar me xhinglën e marketingut: “Maldivet e Europës”.

Nuk paska ngjitur mirë as “Narkoshteti”, ndonëse Vendi i Bunkerëve(sinonim i Koresë së Veriut të Europës) me Narkoshtetin, i përgjigjen më mirë të vërtetës historike dhe faktike. Në fund të fundit, ka një prirje psikologjike që do ta lidhë emrin, emërtesën me brendinë, ndaj edhe emri vjen e identifikon dhe kuptimëson personin apo vendin nëse duam.

Nuk aplikohet vetëm ndër ne. P.sh thuhet se dikur Petar Njegoshi i Malit të Zi, që supozohet se është një lloj Fishte malazez por me ndikim shumë më të thellë, tallej shumë keq me veshjen veneciane apo zakonet e italianëve. Përçmimi implikon premisë dhe zgjedhje dhe kështu p.sh qëllon që Europa Jugore të përtypë më mirë si pjesë të peizazhit të vet historik gomarin sesa Veriu. Ai është ferment i kultivimit të identitetit. Nuk ka asgjë krijuese tek një identitet arkaik, por një refuzim që luan rolin e parapetës i jep atij valencën politike.  

Kjo nuk e bën Europën e Jugut vend gomerësh, të cilët mes nesh ushqehen me lule(meqë ra fjala vetëm në Paris blihen lule), por namin e kanë se hanë gjemba. Thjesht kultura ka tonalitetet dhe ngjyrimet e veta që janë shumë të thella. Ato janë ontologjia e vërtetë e një komuniteti.

Ne mund të merremi përjetë me drogë. Nuk kemi për të qenë kurrë në imagjinar as siçilianë, as kolumbianë. Idiotët e panumërt shqiptarë që ngrysen e gdhihen me Toni Montanën në kokë, nuk kanë asgjë nga tragjikja e hispanikut kubanez në të cilin veproi si agjent fatal një etikë e fortë e krenarisë dhe fatkeqësisë për të dalluar të drejtën nga e padrejta, shëmtinë e pasurimit me domosdoshmërinë e saj. Toni Montana është një variant i shekullit të 20-të i Barry Lindon, personazhi ndoshta më I skalitur në historinë e kinemasë sepse aty ezaurohet në formën e vet më realiste fati në të gjithë etapën e vet.

Shqipëria nuk u bë e izoluar me Enver Hoxhën. Ajo ishte e tillë. Udhëtarët e shekullit të 19-të flisnin për zbulimin e një vendi tjetërlloj, që i ishte fshehur botës si entitet duke hyrë mes saj me portrete origjinalë luftëtarësh kolerikë. Shqipëria ishte një qoshe e humbur, edhe kur ajo ishte e famshme nga Ali dhe Mehmet Aliu. Ajo e ka izolimin në genin e saj. Shqipëria u lind si manifest izolimi dhe uzurpimi pas zhbërjes së Arbërisë Venedike ku kënetëzoi historinë e vet si ligatinë e një Perandorie të cilën donte ta zhvaste.

Edhe sot, për një lapsus frojdian ndoshta, Shqipëria marketohet ndër të tjera si “sekreti i fundit i Europës”, duke qenë sekret si kulturë, si histori, jo si gjeografi.

Sa keq pra që historia nuk po na lejon t’i endim vetes kostumin e Kapove, të krenarëve, por na lë kështu si stereotip të Izolimit. Të izoluar, pa fe, pa spiritualizëm. Njësoj si malakasët e Gjin Bue Shpatës, kështu për plaçkë e për emër, pa kanun e pa fre. Sapunë për gunë në këtë botë virane për të vazhduar edhe sot siç shprehet një studiues hungarez si “gjyqtarë të vetmuar të historisë së botës dhe historisë sonë”. Vetë përkufizimi na flet kaq hapur për izolimin tonë edhe psikologjik.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.